Lajme

Rusia e interesuar për gjykimin në Hagë, ankohet në OKB se krerët e UÇK-së ‘po i mbajnë mirë’

Më 12 dhjetor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt një konferencë ku u fol për aktivitetet e mekanizmave të mbetur lidhur me gjykatat penale. Aty më e zëshmja ishte Maria Zabolotskaya, përfaqësuese e Rusisë. Një pjesë të mirë të fjalimit, ajo ia ka dedikuar Kosovës dhe Gjykatës Speciale. Madje, me detaje të cilat nuk dihen publikisht.

Shteti i Rusisë po del të jetë mirë i informuar për të gjitha zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Hagës. Madje, përveç proceseve e detajeve që janë të shpalosura publikisht, duket se ata kanë dijeni edhe për “masat ekstreme” që iu vendosen ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim.

Gjatë një konference ku u diskutua për aktivitetet e mekanizmave të mbetur nga gjykatat penale, përfaqësuesja ruse, Maria Zabolotskaya, ka krahasuar kushtet me të cilat mbahen në paraburgim serbët e dyshuar për krime lufte, dhe të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

Zabolotskaya aty përmend se ata kanë mundësi shëtitje, mundësi leximi, dhomën e lutjeve, kontot bankare me të cilat mund të bëjnë blerje dhe detaje të tjera. Kjo pavarësisht se të gjitha këto janë të rregulluara me procedura e udhëzime specifike, dhe janë parime bazë të të drejtave të njeriut.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Regjimi i paraburgimit që Dhomat për tetë shqiptarë të Kosovës, përfshirë të ashtuquajturin ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është sa më i butë. Ai përfshin të drejtën për të përdorur palestrën, bibliotekën dhe dhomën e lutjeve, për të ecur në zonën e caktuar dhe për të paguar mallrat dhe shërbimet me para nga një llogari e veçantë. Sanksionet për shkeljen e rregullave të regjimit janë gjithashtu shumë të buta: paralajmërim, gjobë monetare, heqje e përkohshme e disa privilegjeve”, ka thënë ajo në këtë konferencë, raporton “Nacionale”.

Këto informacione që rusja i ka thënë në këtë konferencë, disa prej tyre janë publike. Kjo në disa udhëzime, rregullore të Gjykatës Speciale për paraburgimin. Duket se Rusia është fort e interesuar për kushtet e paraburgimit, duke i njohur me detaje disa prej rregullave. Ajo deklaroi se në rast se ka shkelje, atëherë personat dërgohen dy javë në izolim, por pa i ndaluar telefonatat.

“Masa ekstreme është vendosja dy-javore në izolim, por pa ndalim të telefonatave”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Në Udhëzuesin për Disiplinë që është gjithashtu publik, jepen detaje për kushtet për të cilat foli përfaqësuesja e Rusisë. Pra, gjithçka për të cilën është ankuar Rusia, është e rregulluar me ligjet e Speciales.

Ajo gjithashtu ka folur edhe për numrin e madh të vizitave, dhe e vlerësoi si “skandal” faktin që Thaçi i kishte takuar prindërit. Vizita e parë që Thaçi e kishte pasur me prindërit qysh prej arrestimit.

“Gjithashtu, vetëm në vitin 2022, personave të arrestuar iu lejuan 880 vizita (nga familjarë dhe të tjerë). Madje, në fund të majit dhe në fillim të shtatorit 2023, Hashim Thaçi u lejua të vizitojë Kosovën për të parë prindërit e tij të sëmurë. Kjo përkundër disa skandaleve të profilit të lartë që përfshinin frikësimin e dëshmitarëve në rastin e tij. Me fjalë të tjera, ne shohim një dallim të dukshëm në kushtet e paraburgimit ndërmjet të dënuarve serbë dhe shqiptarë të Kosovës”, ka thënë ajo.

Megjithatë, numri i vizitave gjithashtu është fakt publik në raportin e punës për vitin 2022./KosovaPost

Rruga Press

YouTube player