Rusia drejt ndarjes! Kaputillimi në Ukrainë pritet të shpërbëjë shtetin me dhjetra etni brenda tij
Nga Dan Negrea “National Interest”
Pushtimi katastrofik rus në Ukrainë, të kujton fushatën ushtarake të Britanisë dhe Francës në Kanalin e Suezit në vitin 1956. Tërheqja poshtëruese shënoi edhe fundin e statusit të tyre si fuqi të rangut të parë dhe fillimin e një periudhe të trazuar krizash politike dhe humbjesh territoriale për shkak të lëvizjeve për pavarësi.
Historia mund të përsëritet, teksa Rusia po dështon në përpjekjen e saj për ta pushtuar Ukrainën. Ajo po pëson humbje të mëdha aspektin ushtarak, fuqinë ekonomike dhe pozitën ndërkombëtare. Tashmë është e qartë se Rusia nuk është një fuqi e madhe në të njëjtën kategori me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
Dhe ajo është duke hyrë në një periudhë trazirash politike, e cila ka të ngjarë të përfshijë edhe kërkesat e ripërtërira për pavarësi nga ana republikave të saj përbërëse, ashtu si dikur gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1956, Britania dhe Franca dukeshin shumë të forta.
Ato ishin fituese në Luftën e Dytë Botërore, fuqitë evropiane dominuese, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe sundimtare të perandorive të mëdha koloniale. Ndaj u ndjenë mjaftueshëm të forta për ta pushtuar Egjiptin, që ta pengonin presidentin vendas Gamal Abdel Nasser të shtetëzonte e Kanalin e Suezit.
Por superfuqitë e vërteta të asaj kohe e kundërshtuan atë sulm – Shtetet e Bashkuara kërcënuan me sanksione ekonomike, ndërsa Bashkimi Sovjetik me një hakmarrje ushtarake – ndaj Britania dhe Franca u detyruan që të tërhiqeshin të poshtëruara.
Kryeministri britanik, Anthony Eden, u akuzua se e kishte gënjyer parlamentin, dhe u detyrua të jepte dorëheqjen. Duke e ndjerë dobësinë e Londrës, kolonitë e Britanisë shtuan përpjekjet e tyre për pavarësi. Monarkia pro-britanike në Irak u rrëzua në vitin 1958. Kjo u pasua nga pavarësia e Qipros dhe Maltës. Deri në vitin 1967, kishin fituar pavarësinë më shumë se 20 koloni britanike
Kriza në Francë ishte edhe më e rëndë. Tërheqja nga Kanali i Suezit, erdhi 2 vite pasi garnizoni francez në Dien Bien Phu u dorëzua tek vietnamezo-veriorët, dhe teksa disa ushtarakë ia atribuan këto disfata një klase politike pa shtyllë kurrizore.
Në vitin 1958, një grup ushtarakësh dhe zyrtarësh kolonialë organizuan një grusht shteti në Algjeri. Republika e Katërt u shemb, dhe Charles de Gaulle mori sërish pushtetin si kreu i Republikës së Pestë. Në vitin 1962, algjerianët e fituan luftën e tyre të gjatë për pavarësi, ndërsa 900.000 europiano-algjerianë u larguan drejt Francës nga frika e hakmarrjes.
Lëvizjet për pavarësi u forcuan në të gjithë kolonitë franceze. Lufta Rusi-Ukrainë e Vladimir Putinit, ka qenë tej mundësive të Moskës. Ajo do ta detyrojë Rusinë të njohë kufizimet dhe statusin e saj të zvogëluar. Ky dështim, ka të ngjarë që shoqërohet me kërkesa të reja për pavarësi nga republikat dhe territoret përbërëse.
E gjithë bota është dëshmitare e paaftësisë së ushtrisë ruse për të projektuar forcë edhe në një vend fqinj, që është sa 1/3 e madhësisë në aspektin e popullsisë. Ekonomia ruse po tkurret për shkak të kostos së luftës dhe sanksioneve. Inflacioni po shkon mbi 20 për qind. Vetëm këtë vit ekonomia do të bjerë me 10 për qind.
Bursa ruse nuk po funksionon, ndërsa aksionet ruse të tregtuara në Londër kanë pësuar një rënie me 90 për qind. Efekti i sanksioneve shumë të ashpra dhe gjithëpërfshirëse të vendosura ndaj Rusisë nga shumica e fuqive të mëdha ekonomike të botës, vetëm do të rritet me kalimin e kohës.
Të rënda janë edhe pasojat politike ndërkombëtare të këtij pushtimi. Rusia nuk ka aleatë të rëndësishëm në këtë luftë. Kina po i jep vetëm një mbështetje të heshtur. Bjellorusia është aleate, por ka shumë pak për t’i ofruar. Ndërkohë, gati e gjithë Evropa, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia, Australia dhe shumë vende të tjera të botës së lirë, janë rreshtuar kundër Rusisë dhe po e ndihmojnë shumë Ukrainën.
Këto sfida të mëdha po trajtohen nga një sistem politik i brishtë, i ndërtuar rreth diktaturës personale të Putinit. Zëvendësshefi i tij i kabinetit, Vyacheslav Volodin, e përmblodhi kështu këtë mentalitet “Pa Putinin, nuk ka Rusi!”. Për t’u përballur me pakënaqësinë në rritje ndaj luftës, Putinit do t’i duhet që të rrisë akoma më tej represionin e brendshëm.
Por edhe kjo ka kostot dhe kufijtë e saj:sot në aparatin rus të sigurisë ka më shumë njerëz
sesa në forcat e saj të armatosura, dhe më shumë njerëz në burg sesa në kohën e Brezhnev. Pushtimi i Ukrainës ka qenë një llogaritje e gabuar e madhe. Putin mendoi se do të ishte si pushtimi i Hungarisë në vitin 1956 apo ai i Çekosllovakisë në 1968, që e bëri më të fortë Bashkimin Sovjetik.
Në fakt është më shumë si Lufta e Afganistanit e viteve 1979-1989, pas së cilës Bashkimi Sovjetik u shpërbë, dhe disa nga republikat e tij përbërëse u bënë të pavarura. Nuk është diçka e paprecedentë që republikat përbërëse të Rusisë të kërkojnë pavarësinë kur Moska është e dobët. Një moment i tillë ishte revolucioni rus i vitit 1917.
Disa republika përbërëse shpallën në atë kohë pavarësinë e tyre, dhe disa prej tyre qëndruan të pavarura për vite me radhë. Midis tyre ishin Lituania, Letonia, Estonia, Tatarstani dhe republikat e Kaukazit të Veriut. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, disa republika u bënë vende të pavarura:Moldavia, Bjellorusia, Ukraina, Gjeorgjia, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani, Turkmenistani, Taxhikistani dhe republikat baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë..
Procesi i shpërbërjes mund të kishte shkuar edhe më larg, pasi disa rajone të tjera ruse, si Siberia, Uralet, Karelia dhe Tatarstani, deklaruan në atë kohë “sovranitetin” e tyre. Por për të parandaluar më shumë humbje territoriale, presidenti Boris Yeltsin sugjeroi një federatë, e cila u premtoi republikave aq “sovranitet sa mund ta përballonin”, dhe negocioi nënshkrimin e marrëveshjeve me rajonet më të trazuara.
Po çfarë i ushqen pretendimet për pavarësi në Rusinë e sotme? Federata Ruse përbëhet nga 85 “subjekte federale”, ose pjesë përbërëse, nga të cilat 22 janë republika të emërtuara sipas etnive jo-ruse. Rusia ka mbi 190 etni, dhe shumë prej tyre jetojnë në vende të largëta si Siberia dhe rajoni i Kaukazit.
Po pse do të zgjidhnin të shkëputeshin nga Moska? Për dy arsye kryesore:ekonomike dhe kulturore. Rusia e sotme, ashtu si dikur Bashkimi Sovjetik, nuk është një histori e suksesit ekonomik. Rusia është një fuqi ekonomike mesatare, me një PBB sa Spanja ose Teksasi në SHBA.
PBB-ja e saj për frymë, është edhe më pak mbresëlënëse. Në indeksin e Bankës Botërore të vitit 2020, Rusia renditej e 85-ta, midis Bullgarisë dhe Malajzisë. Alexei Kudrin, ish-zëvendëskryeministër dhe Ministër i Financave, dhe ekonomisti rus ndoshta më me ndikim, tha në një intervistë të vitit 2018, se Rusia mund të shpërbëhet ashtu si BRSS, nëse “udhëheqja ruse nuk heq dorë nga mentaliteti sovjetik”.
Ndër faktorët e rrezikut që ai përmendi ishin varësia nga nafta, sanksionet, qasja e kufizuar në teknologji, mungesa e fuqisë punëtore dhe produktiviteti i ulët i punës. Ndërkohë shumë nga republikat dhe rajonet, kanë lidhje më të ngushta me vende të tjera sesa me Rusinë.
Ato mendojnë se marrin pak ose aspak përfitime nga qeveria qendrore në Moskë, të cilën e shohin si të korruptuar dhe të paaftë. Motivimi tjetër kryesor është ai kulturor. Rusia u zgjerua kryesisht përmes luftërave pushtuese, shumica prej tyre të gjata dhe të përgjakshme. Ajo e ruajti sundimin e saj përmes terrorit, duke zhvendosur shpesh popullsi në tokat e largëta. Shteti rus është i qartë për rolin qendror të kulturës së tij sllave, si dhe për rolin e privilegjuar të Kishës Ortodokse Ruse, një mbështetëse kryesore e regjimit. Por kjo gjë nuk i pëlqen shumë republikave me shumicë jo-ruse dhe jo të krishterë.
Shënim: Dan Negrea, anëtar i lartë në Scowcroft Center në think-tankun “Atlantic Council”. Gjatë viteve 2018-2021, ka punuar në Departamentin e Shtetit në Zyrën e Planifikimit të Politikave, dhe si Përfaqësues Special për Çështjet Tregtare dhe të Biznesit.
Rruga Press