Rusia akuza Kosovës për mercenarë në Ukrainë, reagon ministri Sveçla
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia pretendon se trupave ukrainase i janë bashkuar 156 mercenarë nga Kosova.
Autoritetet ruse pretendojnë se kanë eleminuar 61 mercenarë nga Kosova, ndërsa për 60 të tjerë thuhet se janë larguar. Aktualisht, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, 35 shtetas të Kosovës mbeten pjesë e luftës në Ukrainë.
Por një gjë e tillë mohohet nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
“Ne nuk kemi asnjë informacion për asnjë qytetar të Republikës së Kosovës që është pjesë e luftës në Ukrainë, e për më pak se paskemi edhe viktima në mesin e tyre, ashtu siç paskan deklaruar agjencitë e presidentit rus, Vladimir Putinit”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se të gjitha pretendimet e Rusisë, në raport me Kosovën, janë propagandë.
“Kjo me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe t’i mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse, ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.
Rruga Press