Opinion/Aktualitet

Rusët që po largohen

Pas Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e emigrantëve polakë shkuan në Londër, por ruajtën ndjenjën e posesivitetit ndaj asaj që kishin humbur. Shumë folën për “Lwów-i-Wilno”, ashtu siç rusët këmbëngulin ende për “Krymnash” (“Krimeja jonë”). Kushdo që pranonte se kufiri lindor i Polonisë shtrihej në lumin Bug, konsiderohej tradhtar
Në diskutimin më të gjerë rreth luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, elementi i rëndësishëm por i anashkaluar është eksodi i rusëve nga atdheu i tyre. Megjithëse është e pamundur të përcaktohen përmasat e kësaj dukurie, ne mund të presim që fluksi të vazhdojë, veçanërisht nëse SHBA-ja ndjek politikën për të joshur specialistë shumë të aftë dhe për të mbështetur ikjen e trurit rus, siç ka propozuar presidenti Joe Biden.

Diaspora ruse mund të jetë partner kyç në ndërtimin e Rusisë së re, pasi Vladimir Putini të largohet nga pushteti. Por emigrantët nuk mund të llogarisin në pritje të ngrohtë në Evropë, ku pakënaqësia edhe kundër “rusëve të zakonshëm” tashmë është e përhapur.

Sigurisht se ndjenja është disi e kuptueshme, duke pasur parasysh se “operacioni special ushtarak” i Putinit në Ukrainë me sa duket ka mbështetje të madhe në mesin e publikut rus. Gjetje të tilla nga anketuesit nuk mund të injorohen. Megjithëse Kremlini ka aktivizuar fuqinë e plotë të makinës propagandistike, nuk është sikur po jetojmë në vitet 1940. Rusët, që duan të vërtetën, mund ta kuptojnë me lehtësi.

Mirëpo ende duhet të pyesim nëse të dhënat e sondazheve mund të shfaqin gjendjen e vërtetë të opinionit publik rus, edhe kur ato mblidhen nga qendra e pavarur, shumë e respektuar, “Levada”. Në një demokraci, anketuesit u kërkojnë qytetarëve të rendisin preferencat e tyre për kandidatë të shumtë dhe rezultatet ofrojnë pamje të drejtpërdrejtë se ku qëndron publiku (me një diferencë të vogël gabimi). Por çfarë duhet të bëjmë me sondazhet që u japin njerëzve një “zgjedhje” midis një figure me 83% mbështetje dhe askujt tjetër?

Të përgjigjesh “jo” do të thotë ta vendosësh veten jashtë kufijve të normalitetit. Edhe nëse nuk e mbështesni Putinin, mund të mos dëshironi të merrni pozicionin e të qenit “të ndryshëm nga të gjithë të tjerët”, aq më pak të jeni plotësisht të sinqertë me anketuesit, që bëjnë pyetje të ndjeshme politikisht. Duke pasur parasysh këto komplikime, më e mira që mund të bëjmë është të supozojmë se mbështetja për Putinin është me të vërtetë e përhapur. Megjithëse ai sigurisht nuk mbështetet nga 70-80% e rusëve, mund të ketë mbështetjen e rreth gjysmës.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Por, edhe nëse do të ishte e vërtetë që vetëm 10-20% e rusëve e kundërshtojnë Putinin, prapëseprapë fjala është për 14-28 milionë njerëz. Pse t’i tjetërsoni ata, duke lëshuar dënime të gjera të shoqërisë ruse? T’i bësh armiq këta aleatë të mundshëm, nuk është as e drejtë dhe as e mençur politikisht.

Pavarësisht se a e fiton apo humb luftën Rusia, ajo nuk do të pushojë së ekzistuari. Për më tepër, problemi nuk është ky apo ai lider rus (a kanë qenë vërtet kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri historikisht?) apo “rusët e zakonshëm”. Problemi me Rusinë buron nga kultura politike, e formuar nga ortodoksia bizantine dhe dominimi mongol, dhe një ekonomi e bazuar në nxjerrjen e lëndëve të para.

Të gjithë këta faktorë punojnë kundër demokracisë. Nëse të ardhurat e njerëzve rrjedhin nga burimet natyrore dhe shpërndahen nga fuqitë që janë, çfarë lloj regjimi duhet të presim? Nëse ndryshimi i këtij modeli është i mundur, do të duhen shumë vjet dhe do të kërkonte shpërbërjen e shtetit, me shumë gjasa në vija etnike. Do të kërkonte gjithashtu mentalitet të ri në Evropën Perëndimore, e cila aq shpesh u tregua mendjelehtë kur ishte fjala për Rusinë.

Emigrantët do të ishin kandidatë të natyrshëm për ta drejtuar këtë proces, me kusht që t’i plotësojnë disa kritere. Në të kaluarën, ata që ikën nga Rusia ose Bashkimi Sovjetik e urrenin regjimin, por ndanin besimin se Rusia mund dhe duhet të jetë vërtet e madhe, që apriori do të thotë se ajo përfshin Ukrainën. Edhe disidentët si Aleksander Solzhenitsyn dhe Joseph Brodsky menduan kështu. Nëse grupi më i fundit i emigrantëve ndan këtë pikëpamje, nuk ka asgjë për të folur. Perëndimi nuk duhet t’u bëjë favore këtyre rusëve.

Por, le të shpresojmë se emigrantët e sotëm janë të ndryshëm, ose mund të ndryshojnë pozicionin e tyre. Një pikë interesante referimi është historia e emigrimit polak pas vitit 1945. Për një kohë të gjatë polakët u kapën në mënyrë të dëshpëruar pas statusit të tyre të humbur prej kohësh si fuqi rajonale, duke ushqyer iluzione se Lituania, Bjellorusia dhe pjesë të Ukrainës Perëndimore i përkisnin Polonisë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ata theksuan se deri në vitin 1939, Wilno (tani Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë) dhe Lwów (tani qyteti ukrainas i Lvivit) ishin brenda kufijve polakë. Dhe shumë polakë madje ëndërruan të rivendosnin Komonuelthin Polako-Lituanez që ekzistonte para ndarjeve të viteve 1772-95. Edhe sot, nëse polakët janë të sinqertë, do të pranojnë se teksa i konsiderojnë bombardimet ruse në Kharkiv dhe Kiev si tragjike, ata e shohin kërcënimin ndaj ndërtesave historike në Lviv si gjë shumë më të rëndë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e emigrantëve polakë shkuan në Londër, por e ruajtën ndjenjën e posesivitetit ndaj asaj që kishin humbur. Shumë folën për “Lwów-i-Wilno”, ashtu siç rusët këmbëngulin ende për “Krymnash” (“Krimeja jonë”). Kushdo që pranonte se kufiri lindor i Polonisë shtrihej në lumin Bug, konsiderohej tradhtar.

Shumë ngadalë do të shfaqej një alternativë e mençur ndaj kësaj mënyre të të menduarit. Filloi në Paris, ku një qendër e vogël, e organizuar rreth Institutit Letrar dhe revistës “Kultura” të Jerzy Giedroyc, filloi të formulonte një doktrinë të njohur si ULB, e cila thoshte: “Nuk do të ketë Poloni të pavarur pa një Ukrainë, Bjellorusi dhe Lituani të pavarur”.

Qëllimi nuk ishte avancimi i një vizioni idealist kozmopolit. Përkundrazi, ULB-ja kishte të bënte me realizmin e ashpër politik: nëse polakët do të vazhdonin të luftonin vendet që shtriheshin midis Gjermanisë dhe Rusisë, ata do të vazhdonin të humbnin. Vetëm duke bashkëpunuar, vendet më të vogla të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore mund të synonin pavarësinë. Ky këndvështrim tani shërben si themeli i politikës së jashtme polake (madje edhe për Qeverinë aktuale nacionaliste). Kësisoj, mund të imagjinohet një e ardhme, në të cilën një këndvështrim i tillë do të përqafohej nga “rusët e zakonshëm”.

(Autori, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *