Opinion/Aktualitet

Ruben Avxhiu: Nëse do vërtet një zhvillim ekonomik në rajon, Grenell le ta nisë nga Beogradi

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptaro Amerikane “Illyria”, z. Ruben Avxhiu, flet për takimin e Çim Peka të Syri TV-së me Ambasadorin Richard Grenell, ku ndër të tjera Avxhiu thotë se; “Nëse do vërtet një zhvillim ekonomik në rajon, Grenell le ta nisë nga Beogradi. Aty fillon dhe mbaron i vetmi vullnet politik për të risjellë luftën dhe pasigurinë në rajon”.

Ja postimi i tij i plotë:

Çim Peka, i Syri TV-së është takuar me Ambasadorin Richard Grenell dhe ka përcjellë disa mendime të këtij të fundit për politikën në rajon.
Prononcimet e Grenellit m’u dukën normale. Është kundër shpalljes “non-grata” të Sali Berishës. Përgënjeshtroi se ka kërkuar ndarjen e Kosovës. Tha se burgimi në Hagë i Thaçit e të tjerë ishte i padrejtë.

Ajo që nuk m’u duk normale ishte një shënim “Post Scriptum” në fund nga Çim Peka.
Po e ripostoj këtu:
“Rick Grenell nuk është as antishqiptar, as pro-serb. Ai thjesht ka punuar dhe vazhdon të punojë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Qëllimi i tij i vetëm është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai beson fuqishëm se derisa trupat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë, populli i Kosovës nuk do të shohë kurrë një ekonomi të madhe. Cila kompani private perëndimore do të investojë në një vend që ka nevojë për sigurinë e NATO-s për të ruajtur paqen?!”
* * *
Kjo m’u duk komplet mbrapsht dhe është shumë zhgënjyese nga Ambasadori Grenell, nëse e ka thënë vërtet kështu.

1) E para, prania e NATO-s – përkundrazi – është garancia më e madhe për çdo biznes që dëshiron të investojë në Kosovë, apo në rajon.
Që prej themelimit të NATO-s, më shumë se 70 vjet më parë, asnjë vend anëtar i NATO-s nuk është sulmuar. Asnjë vend i mbrojtur me baza të NATO-s nuk është sulmuar.

Për dekada me radhë të Luftës së Ftohtë, bazat e NATO-s, në Europën Perëndimore ishin garancia e paqes që ofroi mbulesën e sigurisë për bumin ekonomik më të madh në historinë e njerëzimit.

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Askund nuk ishte kjo përvojë më domethënëse sesa në Gjermaninë Perëndimore, ku bazat amerikane dhe të NATO-s vepronin vetëm pak më larg Berlinit Lindor dhe Gjermanisë Lindore pro-sovietike. Përballë kishin një kundërshtar shumë më spektakolar sesa Serbia e Vuçiqit. Bumi ekonomik i Gjermanisë Perëndimore krijoi praktikisht dy botë brenda të njëjtit vend.

Në fund të Luftës së Ftohtë, u hap edhe Europa Lindore dhe e mbaj mend si sot udhëheqësin e famshëm antikomunist të Polonisë Lech Walesa kur bëri kërkesën për t’u anëtarësuar në NATO dhe tha me humor: “Të ftojmë këta gjeneralët me uniformë, se pas tyre vijnë gjeneralët e tjerë, si General Motors, General Electrics…”
Nuk është NATO apo Kosova që duhet të ndryshojnë ndonjë gjë që rajoni ynë të ketë një të ardhme ekonomike, por Serbia, me gjuhën e saj luftënxitëse me obsesionin e saj me një mit mesjetar, me aleancat e saj me Rusinë, Kinën, Iranin e çdo vend tjetër me të cilat është përplasur edhe SHBA.

2) E dyta, ideja e largimit të bazës së trupave amerikane dhe të NATO-s nuk është diçka e re. Vetëm se më parë, është thënë si kërcënim për Kosovën, kurse këtu na u dha si një gjë e mirë. (Në Serbi, prania e NATO-s shihet si e vetmja pengesë për rimarrjen e Kosovës.)

Në 10 mars 2020, Senatori David Perdue, një republikan nga Georgia, shkroi se nëse Kosova nuk ia heq tarifat mallrave të Serbisë, atëhere “SHBA duhet ta rimendojë praninë e saj aty.” Ai shtoi se në Kosovë janë 650 trupa amerikane dhe se “është koha që t’i sjellim në shtëpi”.
Ky kërcënim i tij në Twitter u ripostua nga Ambasadori Grenell si dhe nga një prej djemve të Presidentit Donald Trump.

Kërcënimi ishte shumë drastik dhe ekstrem. Tarifat i kushtonin Serbisë financiarisht, por largimi i NATO-s mund ta eliminonte Kosovën praktikisht nga harta dhe mund të risillte luftën në Ballkan. Asnjë nga të tre këto personazhe duket se e kishte menduar mirë çfarë po kërkonte.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Kryeministri Albin Kurti në atë kohë kishte thënë se do t’ia hiqte Serbisë tarifat gradualisht. Por Grenell kishte kërkuar heqjen e tyre të menjëhershme.
Kurti u rrëzua shumë shpejt pas kësaj nga pushteti, por një vit më vonë ishte rikthyer përsëri me një koalicion shumë më të gjerë. Ndërkohë që si Presidenti Trump ashtu edhe Senatori Purdue kishin humbur në zgjedhje.

Largimin e këtij të fundit e prita më gëzim, pikërisht për këtë ndërhyrje të panevojshme dhe të padrejtë ndaj Kosovës. Bashkë me ta humbi pushtetin dhe rëndësinë edhe Ambasadori Grenell.

Tani pyetja është se pse në atë kohë largimi i trupave nga Kosova shihej si gjë e keqe për Kosovën. Dmth, hiqjani tarifat Serbisë ose do të pësoni heqjen e trupave nga Kosova. Kurse tani kjo është pozitive?
Edhe Administrata Biden ka vazhduar ta kërcënojë qeverinë e re të Kurtit, por kjo e fundit të paktën ka kërcënuar me ndërprerje fondesh dhe ulje të nivelit të takimeve dypalëshe. Grenelli me shokë kërcënuan me heqjen e themelit të sigurisë.
Nuk është NATO-ja ajo që tremb bizneset në Kosovë por kërcënimi i Serbisë se nuk do ta njohë kurrë dhe se një ditë ushtria e saj do të kthehet në Kosovë.

Nëse do vërtet një zhvillim ekonomik në rajon, Grenell le ta nisë nga Beogradi. Aty fillon dhe mbaron i vetmi vullnet politik për të risjellë luftën dhe pasigurinë në rajon. Të gjithë vendet e tjera, mund të kenë mbetur të pakënaqura nga zgjidhjet e kompromiset, por e kanë mbledhur mendjen e po mundohen të bëjnë të më mirën në kushtet që jemi.

YouTube player