Rrustemi: Serbia po angazhohet për të krijuar eskalim artificial
Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Adnan Rrustemi, ka thënë se viti 2023 e ka acaruar Serbinë si asnjëherë më parë. Këtë ai e ka arsyetuar me veprimet që ka marrë Serbia ndaj Kosovës – përfshirë sulmin terrorist në Banjskë.
Rrustemi në “Interaktiv” ka theksuar se Serbia kryen akt agresioni edhe kur konteston integritetin territorial.
“Ky vit ishte viti që e ka bërë Serbinë më të acaruar ndonjëherë në raport me Kosovën. Është e habitshme, në kuptimin e asaj që marrëveshja do duhej të ndikonte drejt shtensionimit, normalizimit e pranimit të realitetit, ndërkohë që Serbia ka ardhur duke u bërë më agresive ndaj Kosovës. Marrë parasysh veprimet që kanë ndodhur, refuzimi për ta nënshkruar, shkelja e Serbisë të pikave të marrëveshjeve, akti terrorist në Banjskë, kidnapimi i policëve, letra e Bërnabiqit BE-së – në veçanti kontestimin e integritetit territorial të Kosovës. Kontestimi i shprehur i integritetit territorial në kundërshtim me marrëveshjen bazë të Brukselit, është prelud i aktit të agresionit”, ka thënë ai.
Rrustemi është shprehur se Serbia po angazhohet për të krijuar përshkallëzim artificial, ndërsa ka përmendur si shembull retorikën e presidentit serb.
“Ka një lloj angazhimi të Serbisë për të krijuar eskalim artificial, për të krijuar një sentiment të pabazuar si deklarata e sotme e Vuçiqit që më rrjedhin lotët kur shoh serbët duke pritur para bankomatëve. Njerëzit që presin para bankomatëve supozohet se presin për të marrë”, ka shtuar ai.
E, sa i përket çështjes së dinarit, Rrustemi ka potencuar se Kosova bashkëpunon me partnerët në të gjitha çështjet por se kjo nuk nënkupton pushimin e funksionimit të institucioneve për shkak se Serbisë mund t’i duket provokim.
“E kuptoj se edhe partnerët tanë mund t’i kenë perspektivat e tyre më të gjera në kontekst të zhvillimeve gjeopolitike përtej Kosovës e rajonit. Por, edhe duhet të kohabiton Kosova në raport edhe me shqetësimet e tyre përtej Kosovës dhe interesat e tyre sepse në fund interesat e tyre janë edhe tonat. Por, kjo nuk duhet të nënkuptojë pushimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës përgjatë kësaj periudhe se funksionimi i tyre po e provokojka një shtet tjetër si Serbia”.
Duke folur për qeverisjen 3-vjeçare të VV-së, Rrustemi ka thënë se vendosja e rendit dhe ligjit në veri ka qenë në synimet e Qeverisë, edhe pse publikisht nuk ka qenë në prioritetet e listuara të saj.
Rruga Press