“Rrugët e florinjta” të ministres Balluku: Koncesionet korruptive, kontratat abuzive dhe tenderat e paracaktuar
Emisioni “Inside Story” në Top Channel ka publikuar të martën një dokumentar për “rrugët e florinjta” të ministres Belinda Balluku, të gjitha koncesionet korruptive dhe tenderat e paracaktuar.
Një ndër temat e transmetuara në emision ishte origjina e koncesioneve Lekaj-Fier dhe Thumanë-Kashar. Ky projekt që dikur ishte parashikuar si një i vetëm.
Tenderi u shpall në Korrik të vitit 2020 nga ministria e Infrastrukturës dhe vlera e parashikuar e projektit ishte 1.18 miliardë euro. Interes shfaqi një kompani greke e quajtur “Terna”. Pas disa muajsh, në fund të vitit 2020 ministrja Belinda Balluku njoftoi anulimin e tenderit, pa dhënë detaje rreth ofertës së grekëve. Nuk dihet cilat ishin motivet që e shtynë ministren drejt këtij vendimi, por ajo që duket sot është rritja e faturës për taksapaguesit shqiptarë disa-fish.
Por, çfarë ndodhi më pas. Projekti u copëzua në 5 seksione. Lekaj – Fier dhe Thumanë–Kashar janë dy koncesione të ndryshme që shkojnë mbi 2.6 miliardë euro, pra, sa dyfishi i projektit fillestar që parashikonte ndërtimin e të gjithë aksit nga Miloti në Fier.
Këtu nuk duhet të harrojmë se 3 seksione të tjerë mbeten ende të paparashikuar, konkretisht Milot-Thumanë, Kashar-Pezë dhe Pezë-Lekaj. Kjo do të thotë se vlera e Milot – Fier, nga 1.18 miliardë që ishte parashikuar, mund të shkojë mbi 4 miliard me copëzimin dhe ndarjen e tortës së parave.
Ndërkohë, kompania “Fusha”, fituese e koncesionit Lekaj-Fier, është e njohur për numrin e lartë të kontratave që ka me shtetin shqiptar.
Ajo zotërohet nga Shkëlqim Fusha, i cili zotëron edhe disa kompani të tjera. Fusha numëron sipas të dhënave plot 61 kontrata publike me pushtetin lokal. Vlera që ka përfituar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë është mbi 5,8 miliardë lekë. Pra, rreth 50 milionë dollar, pa llogaritur këtu koncesionin e fundit që do ti kushtojë xhepave të shqiptarëve plot 1.3 miliardë dollar.
Kjo kompani numëron dhjetëra kontrata edhe me ndërmarrjet publike, ARRSH, sektorin e Shëndetësisë etj. Vetëm me Fondin Shqiptar të Zhvillimit sipas Open Corporates, Fusha shpk numëron 12 kontrata me vlerë plot 5,1 miliardë lekë ose afro 50 mln dollarë.
Ndërkaq, edhe disa kompanitë të tjera i janë bashkuar nën ombrellën e Fushës në koncesionin abuziv Lekaj-Fier. E përbashkëta e këtyre kompanive të futura nën ombrellën e Fusha shpk është se kanë pak ose aspak eksperiencë në ndërtim të rrugëve, sidomos të autostradave. Disa prej tyre madje nuk kanë as mjetet e duhura për të kryer punët që parashikon kjo kontratë koncensionare. Të gjitha këto shtojnë edhe më shumë hije dyshimi për favorizim të kompanive që mesa duket vetëm rrugë nuk ndërtojnë dot.
“Inside Story” bëri edhe një krahasim të kostove të projektit Lekaj-Fier me një projekt të ngjashëm diku në Shqipëri në një terren të njëjtë, pra fushor dhe rrugë kryesisht e drejtë. “Inside Story” siguroi preventivin e plotë ku renditen me detaje të gjitha punimet për një rrugë 3 kilometra të gjatë me 4 korsi dhe dy sense.
Nëse shohim të dhënat zyrtare të kostove të kompanisë që ka ndërtuar këtë rrugë, ato shkojnë në 536 milionë lekë pa TVSH. Thënë ndryshe, rreth 5 milionë euro për 3 kilometra rrugë me katër korsi. Aty përfshihet ndërtimi i rrugës nga fillimi, punimet e dheut, trotuaret, gjelbërimi, ndriçimi, strukturat anësore, sinjalistika e çdo detaj i mundshëm.
Pra, kostoja nuk shkon më shumë se 2 milionë euro për kilometër që është mëse normale dhe e justifikuar. Kompania ndërtuese e rrugës është futur në tender me garë duke dhënë një ofertë prej 5 milionë eurosh që ishte thuajse sa 50 % e fondit limit.
Pra, kur ka garë në një tender, si në rastin konkret, tendenca është që vlerat të ulen. Tani, nëse ndalemi dhe e krahasojmë me Lekaj-Fier, këtu qëndron edhe thelbi i abuzimit, mungesa e garës. Kjo është edhe një ndër kontratat më abuzive.
Siç theksuam më lart, kompania “Fusha”, mblodhi rreth vetes shtatë subjekte të tjera dhe u shpall fituese e koncesionit 35-vjeçar për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e segmentit Lekaj-Konjat-Fier.
Këto kompani parashikohet që të arkëtojnë rreth 1.3 miliardë euro gjatë zbatimit të kontratës, për një rrugë që në fakt në mbi 90 % është e ndërtuar dhe me standarde. Ajo që e bën më të rëndë është fakti se në garë kishte vetëm një ofertë. Pra, të gjitha dyshimet janë për garë të paracaktuar.
Konkurrentët e mundshëm u bashkuan rreth kompanisë “Fusha” për të ndarë fitimet. Koncesioni bën fjalë për një rruge me gjatësi 46 kilometra me një vlerë investimi prej 320 milionë euro pa TVSH. Në fakt, aksi, pjesë e korridorit blu, nuk është aspak një rrugë e re. Praktikisht i bie që vetëm 3,2 kilometra të jenë rrugë e re e ndërtuar nga fillimi pasi pjesa tjetër kalon në aksin ekzistues. I vetmi përmirësim në aksin ekzistues është një korsi emergjence 20 kilometra.
Rruga Rrogozhinë-Lushnje është një segment i përfunduar vetëm disa vite më parë. Edhe Lushnjë-Fier, rezulton me standardet që kërkon projekti i “Korridorit Blu”.
Kostoja e përllogaritur e projektit do të shkojë në plot 7 milionë euro për kilometër. Pa harruar faktin që këto para, hidhen për një rrugë të ndërtuar në pjesën dërrmuese. Jo vetëm kaq, por për koncesionarin janë parashikuar arkëtime të sigurta nga shteti për trafikun e munguar. Pagesa pritet të kushtojë 2 euro. Pra, në të ardhmen, çdo qytetar duhet të llogarisë një kosto shtesë prej 4 eurosh vajtje-ardhje nëse udhëton, fjala vjen, nga Tirana në Fier.
Por, nuk mund të lejohet në mënyrë kategorike vendosja e një tarife kalimi nëse nuk ka një rrugë alternative. Në rastin konkret, rruga alternative mungon dhe qytetarët nuk mund të detyrohen të paguajnë koncesionarin.
Një tjetër tender i dyshimtë që u analizua nga emisioni Inside Story oishte edhe kontrata ku Belinda Balluku i dha 10 mln dollarë “Gener 2” për skarpatet në Kardhiq – Delvinë
Çdo rrugë, tenderohet dhe parashikohet që punimet shoqëruese siç janë skarpatet anësore, të sistemohen nga kompania fituese për lotin përkatës.
Por, çuditërisht, në Maj të vitit 2022 Autoriteti Rrugor Shqiptar, në varësi të ministrisë së Infrastrukturës me në krye Belinda Ballukun, ka zhvilluar tender të veçantë për skarpatet. Fituese shpallet kompania “Gener 2”, e përfolur shpesh për përfitimin e koncesioneve të dyshimta. Vlera e kontratës është plot 1.43 miliardë lekë ose rreth 10 milionë dollar.
Po çfarë janë skarpatet? Ato janë pjesë e rrugës, ose ndryshe e rrethimit të rrugës. Skarpati përbën pjesën jashtë karrexhatës ku sipas rastit, vendosen element të caktuar për fiksimin e dherave apo shkëmbinjve. Sipas ekspertëve ato duhet të ishin parashikuar që në projektin fillestar të dhënies pasi është një prej komponentëve që përbën rrugën. Pra, nëse parashikon një rrugë pa skarpatet, është njësoj si të projektosh një veturë pa rrota. Kjo do të thotë se projekti fillestar për aksin Kardhiq -Delvinë që nuk ka të parashikuar skarpatet është abuziv. Për këtë, krerët e Ministrisë së Infrastrukturës duhet të mbajnë përgjegjësi.
Elementi tjetër që vihet re në aksin Kardhiq-Delvinë është copëzimi në lote i projektit. Në fakt, ky është një fenomen mjaft shqetësues që e shohim në shumicën e projekteve të mëdha. Kjo ndodh për dy arsye: E para dhe kryesorja ëhstë fakti se kompanitë shqiptare nuk përmbushin kritere për projekte të këtyre niveleve dhe vlerave. Kështu, shmangin konkurrencën e ndershme me kompani ndërkombëtare. Arsyeja e dytë është copëzimi për ndarjen e tortës së parave.
Auditimet kanë zbuluar edhe këtu fryrje të faturave me punime të pakryera, një vjedhje e hapur nga paratë e taksapaguesve.
Për Lotin 4, në libreza janë përfshirë volume punimesh të pakryera, për dy zëra punimesh, në shumën mbi 1,7 milionë lekë. Për Lotin 5, nga verifikimi i kryer në terren rezultuan se janë përfshirë volume punimesh, të pakryera për katër zëra punimesh, në shumën 7,4 milionë lekë pa TVSH. Për Lotin 6, janë përfshirë volume punimesh të pakryera, për plot gjashtë zëra punimesh në shumën 18,4 milionë lekë pa TVSH. Pra, në total shteti i ka falur kompanive private në total plot 27.5 milionë lekë të reja ose thënë dnryshe rreth 250 mijë dollar.
Për këtë aks rrugor është thirrur për të dëshmuar në SPAK ish drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato. Por, deri sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për kostot e fryra që rëndojnë shqiptarët.
Një tjetër kontratë e analizuar nga “Inside Story” ishte edhe aksi Thumanë-Kashar, pjesë e projektit “1 Miliardë” iu nënshtrua prokurimit pas një oferte të pa kërkuar të bërë nga kompania “Gener 2”.
Në korrik të vitit 2018 Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë njoftoi se kompania ishte shpallur fituese me një ofertë 225.8 milionë euro. Në garë ishin edhe tre kompani të tjera.
Megjithatë, qeveria u tërhoq nga projekti në vitin 2019 pasi deklaroi se këto para të parashikuara për projektin do t’i dedikoheshin “Paktit për Universitetin” pas protestave masive të studentëve. Asokohe, kishte shpërthyer skandali i tenderit 30 milionë euro për një prej loteve të unazës së Tiranës. Investigimet zbuluan pas kompania fituese D-H Albania kishte falsifikuar dokumentet për tenderin. Ajo rezultonte një zgjatim i “Gener 2”.
Qeveria u detyrua të bëjë hapa pas për koncesionin pasi “Gener 2” iu drejtua Gjykatës. Kjo e fundit i dha të drejtë duke detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të rinegociojë kontratën. Por, ajo që ishte skandaloze në këtë moment ishte fakti se qeveria nuk e ankimoi vendimin.
Le ta shohim pak më në detaje vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë të datës 27 korrik 2021 për këtë koncesion. Gjyqtarja Rilinda Selimi ishte kryesuesja e trupit gjykues, të përbërë ndër të tjera edhe nga gjyqtaret Altina Nasufi dhe Blerona Hasa.
Në argumentet e kompanisë thuhet se konkretisht, në momentin kur ka ndodhur anulimi nga ministria ajo kishte nënkontraktuar shërbime, konsulentë, siguri bankare, pagesa për stafin, kontrata huapërdorje, kontrata shitblerje etj. Këto, janë konsideruar dëme ndaj kompanisë. Sipas tyre, pala e paditur, pra Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në mënyre arbitrare ka marrë një vendim për ndërprerje procedure.
Ndër të tjera thuhet se ka qenë edhe vetë ministria ajo që ka kërkuar prej subjektit dhe prej organeve të pushtetit vendor që të fillohej menjëherë për marrjen e masave për zbatim të kontrates koncesionare.
Ky projekt do të zhvillohej me kapital të kompanisë në vlerë 25 milionë euro dhe 169 milionë euro do të merrej kredi.
Nga ana tjetër, ministria ka pretenduar se nuk konstatohen shkelje të ligjit nga ana e saj.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i dha të drejtë dhe me vendimin e datës 5 dhjetor 2019 vendosi rrëzimin e padisë së kompanisë.
“Gjykata ka vlerësuar se ky pretendim i palës paditëse është i pambështetur në përcaktimet e ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar.”
Por, situata ndryshoi në Apel ku u rrëzua vendimi i shkallës së parë, duke i dhënë të drejtë kompanisë “Gener 2”.
“Tërheqja e palës së paditur me anë të këtij akti nga procesi i miratimit të draft kontratës ka ndërhyrë në mënyrë të pajustifikuar në të drejtën e pritshme të palës paditëse për finalizimin e kontratës”.
Si rrjedhojë, gjykata vendosi shfuqizimin e urdhrit të ministrisë për anulimin e koncensionit. Ajo që bie në sy është se një nga antaret e trupit gjykues, gjyqtarja Altina Nasufi është shprehur kundër këtij vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit. Ajo që ngre hije të forta dyshimi është tërheqja e Ministrisë së Infrastrukturës nga procesi ligjor.
Institucioni i drejtuar nga Belinda Balluku, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar një vendim që vetë e kishte konsideruar të pa mbështetur në ligj. Pra, mungesa e një rekursi i hapi rrugën nënshkrimit të kontratës me “Gener 2”.
Ndërkohë, prej dy muajsh, banorët e fshatit Bërxullë dhe Fushë-Prezë, pjesë e Bashkisë Vorë protestojnë pasi projekti i rrugës Thumanë-Kashar është ndryshuar papritur duke u hyrë në arat dhe shtëpitë e tyre.
20 shtëpi në Bërxullë dhe 12 në Fushë-Prezë janë të rrezikuara në këtë moment teksa numri mund të rritet thonë banorët. Lista me firma e banorëve që preken nga devijimi I projektit është afro 80. Ata thonë se janë të paqartë se çfarë do të ndodhë me pronat dhe fatin e tyre.
Nëse shohim dhe krahasojmë këto dy harta ku shtrihet gjurma e projektit, ai në fakt ka ndryshuar në raport me projektin e vjetër që u anulua në vitin 2019. Projekti i mëparshëm vinte drejt sipas rrugës së aeroportit ndërsa ndryshimi i tanishëm përfshin një devijim që futet në tokat e fshatrave Fushë Prezë dhe Bërxullë.
Një përgjigje zyrtare nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit e ardhur banorëve konfirmon ndër të tjera se nuk rezulton të ketë aplikim për leje nga kompania apo vendim të miratuar nga KKT-ja për objektin “Autostrada Thumanë-Kashar”.
Një nga banorët që preket më së shumti nga ky devijim i projektit të rrugës në Bërxullë është Dritan Zeneli dhe familja e tij. Fadromat, të cilat dëgjohen dhe shihen të kenë ardhur shumë afër shtëpisë së Dritanit, i fusin tmerrin atij dhe fqinjëve të tij të cilët gjenden para një rreziku të madh.
“Në rrugën Thumanë-Kashar janë bo rreth 2-3 devijime, ku ky i fundit prek të gjitha pronat e mia. Rreth 5600 metra katrorë tokë arë plus kam magazina, dy banesa dhe stallat e bagëtive ku unë kam investuar në bujqësi dhe blegtori”.
I gjithë investimi i jetës së Dritanit me paratë e emigracionit është i rrezikuar të shuhet:
“Unë kam rreth 15 vjet që emigroj, dhe kam menduar që të rri afër familjes. të gjitha të ardhurat e mia ca kisha mbledh unë i kam investuar këtu. Isha jashtë dhe isha shumë frymëzues ndaj thirrjeve të kryeministrit, ministrive, u fokusova në bujqësi dhe në blegtori. e gjithë jeta ime, prej 15 vitesh i kam shpenzuar këtu”.
Rruga Press