Lajme

Rritja e çmimit të naftës po falimenton peshkatarët

Gati 40 për qind e peshkarexhave dhe motobarkave të peshkimit në vend nuk i ka ngritur spirancat që prej fillimit të marsit, ndërsa peshkatarët ankohen se rritja e çmimit të naftës po i çon drejt falimentimit.

Për 23 vjet me radhë, Adriatik Qaja dilte në det me anijen e tij të peshkimit dhe punësoi më vonë peshkatarë të tjerë. Por rritja e fundit e çmimit të naftës dhe mungesa e ndihmës e vulosi fatin e biznesit të tij.

“Duke qenë se çmimi i naftës u rrit e po ashtu dhe taksat ishin shumë të larta, unë falimentova. U detyrova të mbyll licensën e të shes peshkarexhën me të gjithë paisjet që kisha për peshkim,” tha Qaja për BIRN.

Pasi mbylli biznesin e tij, babai i pesë fëmijëve shkoi të punonte për anijen e peshkimit të një kolegu, por edhe aty e ndoqën të njëjtat vështirësi.

“Edhe pronari që unë po punoj aktualisht me të është drejt falimentimit. Sa të mbarojmë këtë furnizim nafte që kemi, do ta mbyllë dhe ai biznesin dhe do ta nxjerrë në shitje,” shtoi Qaja.

Peshkatarët ankohen se një pjesë e mirë e flotës nuk po del më në det për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe shumë prej peshkatarëve po shkojnë drejt falimentimit.

Shqetësimi i tyre konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, QNOD, e cila i tha BIRN në një përgjigje zyrtare se krahasuar me të njëjtën periudhë të 1 viti më parë, numri i anijeve të peshkimit që kanë dalë në det në të gjithë portet e vendit kishte rënë me 40 për qind, ndërsa në Shëngjin ishte përgjysmuar.

Sipas QNOD, një vit më parë nga porti i Shëngjinit kishin dalë për peshkim 141 peshkarexha, ndërsa në të njëjtën periudhë këtë vit vetëm 72 të tilla ishin vënë në lëvizje.

Në të gjithë vendin, numri i anijeve të peshkimit që dolën në det ra nga 2535 në 1539 brenda vitit.

Të dhënat përputhen me ndryshimet në çmimin e naftës, pavarësisht lehtësimit për këtë kategori nga akciza dhe taksa e qarkullimit. Pranverën e vitit 2021, peshkatarët e blinin një litër naftë me 70 lekë, ndërsa tani paguajnë më shumë se dyfishin me 150 lekë për litër.

Lexo më shumë  Kurti: Arianit Besiri në moshën njëvjeçare u detyrua të largohet nga Kosova, sot është kryetar i komunës Morbach në Gjermani

Nga rritja në rënie të menjëhershme

Të dhënat e INSTAT të publikuara më herët tregojnë se sektori i peshkimit në Shqipëri kishte shënuar një rritje të qëndrueshme prej vitit 2016. Sasia e peshkut të kapur në Shqipëri u rrit nga 12.500 ton në vitin 2016 në 16,800 ton në vitin 2020.

Por me rritje e menjëhershme të çmimeve të naftës, peshkatarët i thanë BIRN se flota tashmë po qëndron e ankoruar.

“Këtu është një situatë shumë e vështirë. Që prej rritjes së çmimit të naftës, puna është stopuar dhe rreth 90% e peshkarexhave nuk dalin në det,” thotë Tonin Zefi, përfaqësues i subjekteve të peshkimit në Shëngjin.

Ndërkohë, punonjësi i njërit prej bizneseve të peshkimit në Shëngjin, që kërkoi të mos identifikohej, thotë se subjekti për të cilin ai punon ka vendosur të ndalojë punën deri në stabilizimin e çmimit të karburantit, e për rrjedhojë ai nuk po paguhet.

“Prej 3 javësh kompania ku unë punoj e ka ndaluar punën. Shkak është bërë çmimi i lartë i karburantit. Pronari na ka thënë se e ka të pamundur ta përballojë dhe do të qëndrojmë pushim deri në stabilizimin e çmimit të karburantit,” tha ai.

Burri tha se kjo i kishte mohuar atij dhe familjes së tij të ardhurat e nevojshme për jetesë. “Me këtë punë mbaj familjen,” tha ai, ndërsa shtoi se shpresonte që kriza të mbyllej shpejt.

Iris Hasani, një peshkatar që punon me një barkë të vogël tha se situata ishte e ngjashme edhe për ta.

“Benzina është shumë shtrejtë. Ku mundemi me ja dal me benzinë? Çdo gjë është katastrofë. Çdo ditë e don nga 20 mijë lekë benzinë me dal në det, fitimi zero. Ka se vjen edhe bosh, pa peshk pa asisen,” tha ai.

Kriza prek edhe konsumatorin

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës
Varkat e vogla të peshkimit në Shëngjin. Foto: Elvis Hila.

Mosdalja e flotës së peshkimit në det është ndjerë edhe në bizneset e tjera të lidhura me peshkimin. Kuzhinieri Gjovalin Zeka, i cili ka një restorant në Ishull-Lezhë pranë lagunës së Vainit tha se tani ishte bërë mjaft e vështirë për të siguruar produktet e detit.

“Ne si biznes kemi hasur shumë vështirësi tek sigurimi i produktit. Në radhë të parë, peshkatarët nuk marrin guximin fare të dalin në det. Një ndër arsyet është sepse ata nuk e kanë të sigurtë se çfare nxjerrin prej detit, por ama kanë të sigurtë shpenzimin që bëjnë,” thotë Zeka duke u solidarizuar me peshkatarët.

Shefi i kuzhinës thotë se situata është në përkeqësim. “Situata realisht është duke u vështirësuar çdo ditë e më shumë, rritja e çmimeve ka bërë këtë faktor,” shtoi ai.

Zeka thotë se për ata që kanë një restorant të bazuar te peshku i egër kjo ndikon drejtpërdrejt. “Vijnë shumë klienta edhe largohen, sepse unë nuk i siguroj peshk deti,” u ankua ai.

Kuzhinieri thotë se edhe rritja e çmimeve të produkteve të detit rrezikon të largojë klientët. “Imagjinoni që peshku ka çmim pak më të lartë, nuk po mundemi t’i prekim më me dorë fare”, thotë ai.

Të njëjtin shqetësim ka edhe Tonin Zefi, i cili thotë se nëse rritet çmimi peshku rrezikon të mos shitet. “Nuk mund ta rrisim më as çmimin e peshkut, sepse as qytetarët nuk kanë mundësi financiare ta blejnë,” tha ai. Për peshkatarët kjo do ishte një humbje më shumë, pasi rrezikon që produkti për të cilin janë lodhur të shkonte kot.

Një peshkatar i tha BIRN se mungonin mundësitë për ruajtje të peshkut të zënë.

Zefi thotë se për shkak të situatës, mjaft peshkatarë janë tashmë pa rroga.  “Në peshkim janë të punësuar një numër i konsiderueshëm personash të cilët duke qenë se puna është bllokuar normalisht që nuk paguhen”, thotë Zefi.

Për peshkatarët e vetmja mundësi për të normalizuar punën është ndërhyrja në çmimin e karburanteve./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *