Lajme

Rritja e çmimeve “fryu” eksportet shqiptare për janarin

Eksportet e nisën me një rritje të ndjeshme vitin 2022.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për muajin janar Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e 35 miliardë lekëve, në rritje me 47.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e eksporteve për janarin 2022 përfaqëson gjithashtu një rekord historik për këtë periudhë të vitit.

Kontributin kryesor në rritjen e eksporteve për muajin janar e ka dhënë grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me pothuajse një të katërtën e shtesës së eksporteve krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë, eksportet e këtij grupi arritën në 9.4 miliardë lekë, me një rritje prej 162% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky fakt tregon se rritja e lartë e vlerës eksporteve për muajin janar mund të jetë e lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve energjetike dhe lëndëve të para, sidomos të naftës bruto.

Rritje të lartë të eksporteve shënoi edhe grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, me 55% më shumë krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

Lexo më shumë  Shqipëria e dyta në botë për azilantët nën 18 vjeç në raport me popullsinë në dekadën e fundit

Edhe në këtë grup besohet se rritja e çmimeve ka dhënë një ndikim të konsiderueshëm. Rritje me ritme të larta shënoi edhe grupi i produkteve ushqimore, me 28% më shumë se një vit më parë.

Grupi “Tekstile dhe këpucë” regjistroi rritje të eksporteve me 8.2%, por ngelet ende grupi me peshën kryesore në eksporte, me afërsisht 29% të totalit.

Tregjet kryesore të eksporteve edhe për janarin ishin vendet e Bashkimit Europian, me 76% të vlerës totale të tyre.

Italia ngelet partneri kryesor në eksporte, me 47% të totalit të tyre.

Eksportet drejt Italisë për janarin u rritën me 38%. Rritje edhe më të lartë shënuan eksportet drejt Gjermanisë, që u zgjeruan me 3.4 herë krahasuar me një vit më parë dhe përbënin më shumë se 10% të eksporteve totale për janarin.

Edhe importet shënuan një rritje të ndjeshme, me 21% më shumë krahasuar me një vit më parë dhe prekën vlerën totale të 55 miliardë lekëve. Ndikimin kryesor në rritjen e importeve e dhanë grupet “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “Ushqime, pije, duhan”.

Lexo më shumë  Lubonja: Nëse SPAK do ishte i pavarur, Veliaj do të arrestohej

Grupet me peshën kryesore në improte për janarin “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, me 19% të totalit, i ndjekur nga “Materiale ndërtimi e metale”, me 17%, Ushqime, pije, duhan, me 16.5% dhe “Minerale lëndë djegëse, energji” me 15%.

Edhe tek importet struktura e rritjes sipas grupmallrave dëshmon një ndikim të lartë të rritjes së çmimeve në vlerat e përgjithshme të këmbimeve tregtare.

Megjithatë, të paktën për janarin, rritja e eksporteve me ritme ndjeshëm më të larta se importet bëri që deficiti tregtar të ngushtohej.

Sipas INSTAT, deficiti preku vlerën e 20 miliardë lekëve, në rënie me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deri tani, efekti i rritjes së çmimeve në tregje për bilancin tregtar të Shqipërisë kishte qenë negativ.

Për vitin 2021, deficiti tregtar u zgjerua me gati 30%, me një tendencë rritëse sidomos në muajt e fundit të vitit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *