Rriten sërish sipërfaqet e lejeve të ndërtimit në Tiranë, dyfishohen në tremujorin e dytë
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit që jepet në kryeqytet ka shënuar sërish rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të vitit, pas ngadalësimit në të parin, duke sinjalizuar për një vazhdimësi të bumit të ndërtimeve në Tiranë.
INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e dytë 2023 në Tiranë u dha gjithsej sipërfaqe prej rreth 461 mijë metra katror, që është mëse dyfishi i sipërfaqes së dhënë në tremujorin e parë po të këtij viti.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është 18.7%.
Të dhënat historike tregojnë se në tremujorin e dytë është dhënë sipërfaqja më e lartë ndonjëherë për këtë periudhë (maj-qershor).
Për 6 mujorin është dhënë gjithsej sipërfaqe me leje 660 mijë metra katror, që është gjithsesi sa gjysa e asaj që u dha në të njëjtën periudhë të një viti më parë, teksa në tremujorin e parë 2022 ishte dhënë një rekord prej 800 mijë metrash katror. (shiko grafikun: Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Tirane, T I dhe T II).Në vlerë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet ishte 22 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro për 6 mujorin e parë të vitit.
Në 6 muajt e parë të vitit, në Tiranë është dhënë rreth 62% e sipërfaqes së akorduar për të gjithë vendin.
Lejet e ndërtimit në vend
Sipas njoftimit të INSTAT, Në tremujorin e dytë 2023 janë miratuar gjithsej 509 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 339 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një rritje prej 50,1%.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2023, është 652.136 m 2, nga 661.945 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 1,5%.
Në tremujorin e dytë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 24,4 miliardë lekë, nga 25,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 5,8%./Monitor/
Rruga Press