Bota

Rriten përpjekjet e Rusisë, 15 helikopterë në Luhansk, sulme të reja edhe në Donetsk

Zyrtarët ushtarakë ukrainas thonë se rusët kanë shtuar përpjekjet e tyre për të shkatërruar mbrojtjen e Ukrainës në rajonin e Luhanskut, duke sjellë 15 helikopterë për të përforcuar ofensivën.

Mbrojtja e Ukrainës rreth qyteteve Severodonetsk dhe Lysychansk mbetet nën presion të madh nga bombardimet e artilerisë dhe sulmet ajrore, të cilat janë rritur gjithashtu në fshatrat më në jug, si Vrubivka.

Pse kjo zonë: forcat ruse po përpiqen të thyejnë linjat ukrainase në këtë zonë dhe të arrijnë përfundimisht kapjen e Luhanskut. Sipas shumicës së vlerësimeve, ata kontrollojnë rreth 90% të rajonit.

Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Luhanskut, tha se në luftimet e fundit ishin vrarë katër civilë dhe se uzina e azotit në Severodonetsk ishte goditur sërish.

Lexo më shumë  Britania premton 3 miliardë funte në vit ndihmë për Ukrainën

“Bota ruse shkatërron gjithçka që del në rrugën e saj, duke u përpjekur të imponojë atë lloj jete në rajonin e Luhanskut – pa njerëz, shtëpi, fabrika”, tha ai.

Hayday tha se qyteti kishte përballuar 15 sulme artilerie të martën.

Sulme të reja në Donetsk: Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës pranoi poashtu se kishte sulme të reja nga forcat ruse në drejtim të Slovianskut, në rajonin e Donetskut.

Për javë të tëra, forcat ruse janë përpjekur të shtyjnë në drejtim të jugut, për të përfunduar marrjen e Donetskut. Shtabi i Përgjithshëm tha se forcat ruse po përpiqeshin të rrethonin njësitë ukrainase rreth qytetit Lyman dhe po përpiqeshin të merrnin kontrollin e plotë mbi vendbanimin Drobysheve, aty afër.

Lexo më shumë  Macroni ripërsërit se nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

Nëse ata ia dalin, mbrojtja ukrainase në Lyman do të ishte e cënueshme nga sulmet në tre drejtime. Të martën në zonë pati zjarr të rëndë artilerie.

Më në veri: Në Kharkiv, Shtabi i Përgjithshëm tha se rusët vazhduan të bombardonin fshatrat në veri të qytetit për të penguar kundërsulmin e Ukrainës, e cila në disa vende ka çuar trupat ukrainase në kufirin rus.

Diku tjetër, pa dhënë detaje, Shtabi i Përgjithshëm tha se “armiku vazhdon të bombardojë pozicionet e artilerisë së trupave tona dhe infrastrukturës civile në vendbanimet kufitare të rajoneve Chernihiv dhe Sumy”./CNN

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *