Rriten kërkimet në Google “si të largohemi nga Rusia”
Fraza “Si të largohemi nga Rusia” e shkruar nga banorët rusë në Google ka arritur kulmin në 10 vitet e fundit.
Siç raporton CNN të mërkurën, kërkimet u rritën sidomos pas 24 shkurtit të këtij viti, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Nga kryeqyteti Moska, pastaj Novosibirsku, Shën Peterburgu e Murmansku, rusët po kërkojnë rrugëdalje nga vendlindja ku e ardhmja nuk po iu duket e ndritshme. Në fakt, sipas mediumit amerikan, e ardhmja ruse është e zymtë, e copëtuar brenda një izolimi dhe një censure.
Analizat e kërkimeve në internet thonë se shifrat për emigracion dhe kërkesat për fluturime jashtë vendit, përfshirë qytetarë të thjeshtë, ekspertë e aktivistë, janë rritur, pasi “nuk mund të jetojnë më nën Rusinë e Vladimir Putinit”.
Interesimi i rusëve për fjalën “emigrim” në Google u katërfishua mes shkurtit e marsit (2022), teksa kërkimet “viza për udhëtim” janë dyfishuar. E fraza “azil politik” pësoi rritje në Google gjithashtu.
Të dhënat zyrtare nuk e shfaqin numrin e saktë se sa rusë janë larguar nga Rusia, e as sa kanë bërë kërkesë për t’u larguar.
“Më 24 shkurt, gjithçka ndryshoi. Jetët tona u ndanë”, deklaroi një 26-vjeçare që jeton në Rusi, e që nuk dëshiroi ta publikonte identitetin e saj, por që u fsheh nën nofkën “Veronica”.
Ajo rrëfeu se një pjesë e miqve të saj u larguan nga Rusia pak para se të niste pushtimi i Ukrainës, kurse ajo mbeti “e izoluar” nën pushtimin e Putinit.
Miqtë e saj, siç tha ajo, duke i thyer marrëveshjet e qirave, e së bashku me kafshët, u nisën drejt Jerevanit, Tbilisit dhe Stambollit, derisa 26-vjeçarja, në vend se të largohej, u ngrit në protesta kundër asaj që shteti i saj synonte t’i bënte Ukrainës – ta pushtonte.
Megjithatë, kjo nuk i zgjati shumë. Rusia arrestoi me qindra banorë që u ngritën kundër luftës.
“Policia filloi t’i merrte aktivistët nga banesat e tyre. Policia erdhi në shtëpinë e prindërve në Siberi për t’i kërcënuar. Legjislacioni i ri rus u miratua në fillim të marsit, ku njerëzit mund të dënohen deri në 15 vjet burgim nëse ndajnë informacione ‘të rreme’ rreth luftimeve në Ukrainë”, tha Veronica.
Rruga Press