Rrëzohet rekursi i Fatmir Mediut në Gjykatën e Lartë, do ketë rihetim
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga Fatmir Mediu, i cili kërkonte që të prishej vendimi i Apelit të Posaçëm, që dy muaj më parë pranoi kërkesën e SPAk dhe dha “dritën jeshile” për rihetimin e ish-ministit të Mbrojtjes në kohën e Gërdecit.
Muaj më parë magjistratja e posaçme Saida Dollani mori vendimin në dhomë këshillimi, duke i hapur rrugë nisjes së hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, shkruan newsbomb.al. Menjëherë pas këtij vendimi Gjykata e Lartë i dorëzoi SPAK dosjen e arkivuar të tragjedisë së vitit 2008 dhe SPAK regjsitroi procedim penal.
Ardian Visha, avokati i Fatmir Mediut e quajti vendimin antikushtetues dhe bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Sipas Vishës, vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit duhet të prishej pasi Fatmir Mediu nuk mund të rihetohet.
Ai pretendonte se vepra penale për të cilën ish-ministri akuzohet është parashkruar, por sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, Fatmir Mediu nuk është gjykuar asnjëherë për Gërdecin. Sot, Gjykata e Lartë e ka rrëzuar rekursin e Fatmir Mediut dhe SPAK vazhdon hetimet për të.
SPAK, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të Fatmir Mediut, ka njoftuar regjistrimin e procedimit penal për veprat penale:
– “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu.
Rruga Press