Opinion/Aktualitet

Rreziku i madh pas Jo-së së BE-së

Shkruan Klodian Tomorri

Pak orë pasi Bashkimi Europian i përplasi Jo-në e radhës dhe ndoshta atë përfundimtaren Shqipërisë për hapjen e negociatave, qeveria në Tiranë publikoi për konsultim publik projektligjin për një amnisti të gjerë fiskale. Rastësi? Ndoshta. Por siç thotë një shkrimtare e famshme amerikane; rastësia është lajmëtari i së vërtetës.

Ajo që dimë me siguri është se Bashkimi Europian ishte një nga kundërshtarët më të fuqishëm të Amnistisë Fiskale dhe ndoshta edhe pengesa kryesore se pse qeveria po frenohej për ta miratuar atë. Por tashmë rrethanat kanë ndryshuar.

Braktisja e nuses në altar- siç thotë kryeministri- nuk ka zbehur vetëm shpresat për një anëtarësim të mundshëm të Shqipërisë në BE, por ka krijuar dhe një risk shumë të madh. Praktikisht ka asgjësuar levën e presionit pozitiv që prespektiva e anëtarësimit ushtronte mbi qeverinë dhe klasën politike në Shqipëri. Tashmë rreziku që vendi të hyjë në një një rrugë të mbrapshtë është i madh.

Lexo më shumë  BE-ja zyrtarisht kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën

Projekti për të amnistuar penalisht krimet në fushën e tatimeve dhe doganave është sakaq një masë, e cila do të shkaktojë debate në Shqipëri dhe pakënaqësi në korridoret e Brukselit. Por frika më e madhe është se ajo mund të jetë vetëm hapi i parë i një rrugëtimi që mund të shkojë shumë larg në relaksimin e kuadrit rregullator financiar. Me pak fjalë, me refuzimin e lodhshëm ndaj Shqipërisë, Europa mund të ketë ndezur fitilin e krijimit të një parajse fiskale mu në zemër të saj.

Në fakt Bashkimi Europian numëron sakaq një sërë qëndrash financiare në gjirin e tij, që i afrohen shumë parajsave fiskale. Hollanda, Qipro, Malta, Luksemburgu në një mënyrë apo një tjetër praktikisht këtë biznes bëjnë. Ndihmojnë të pasurit të shmangin taksat apo të fshehin paratë e tyre. Por në rastin e Shqipërisë ka një risk madhor shtesë.

Lexo më shumë  "(Hot)Spot Albanese" në "RAI 3", është emisioni që duhet të shihet nga çdo shqiptar. Emisioni që bën bashkë ministrat e brendshëm të Edi Ramës, pjesa më e madhe e tyre të lidhur me trafikun e drogës

Një vend me institucione të dobëta dhe klasë të korruptuar politike, kur hyn në këtë rrugë shndërrohet në një lavatriçe masive, që pastron jo vetëm paranë gri të evazionit dhe kontrabandës por edhe llumin e zi të trafiqeve, korrupsionit dhe organizatave mafioze.

A është BE e vetëdijshme për këtë risk? Ndoshta. A ka ajo mekanizma për të mos e lejuar materializmin e tij? Sigurisht. Përjashtimi nga sistemi i pagesave, bllokimi i transaksioneve tregtare, madje edhe rikthimi i vizave janë disa prej tyre. Por tashmë një gjë është e sigurtë. Nëse deri dje BE dhe Shqipëria kanë tregtuar karrota mes tyre, këtëj e tutje me gjasa do të shkëmbejnë shkopinjtë. Qytetarët shqiptarë janë vetëm dëmi kolateral i kombinimit fatal mes keqqeverisjes që kanë zgjedhur vetë dhe tradhëtisë së madhe europiane ndaj Shqipërisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *