Rrezik nga përmbytjet në Shqipëri, disa lumenj në pikën kritike
Reshjet e shiut në Shqipëri kanë shkaktuar përmbytje, ndërsa rritja e nivelit të ujit në disa lumenj rrezikon ta vështirësojë situatën edhe më shumë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, në zonën e nënshkodrës afro 1.000 hektarë tokë janë nën ujë, pasi lumi Buna ka dalë nga shtrati në Muriqan dhe në Oblikë.
Ndërkaq, në Lezhë ka prezencë të ujit edhe brenda në qytet. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një konferencë për mediat tha se edhe lumenjtë Drin, Mat, Shkumbin, Vjosë janë afër pikës kritike dhe rrezikojnë të dalin nga shtrati dhe të shkaktojnë përmbytje në zonat përreth.
Peleshi tha se situata është më serioze në veri të vendit, por probleme janë shfaqur edhe në jug, ku ka pasur vërshime të përrenjve malorë e për pasojë edhe rrëshqitje të dheut në rrugë.
Situata e krijuar ka detyruar Ministrinë e Arsimit të pezullojë mësimin në 56 shkolla.
Në disa zona në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korçë ka ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e defekteve që kanë shkaktuar stuhitë e shiut.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka rritur praninë në të gjitha akset rrugore, në të cilat janë krijuar vështirësi për shkak të motit të keq.
Rreth dy muaj më parë përmbytjet në Shqipëri shkaktuan dy viktima. Si pasojë e përmbytjeve rreth 300 persona janë evakuuar nga banesat e tyre, ndërsa rreth 4.500 hektarë tokë është mbuluar nga uji, kryesisht në qarkun e Shkodrës.
Rruga Press