Bota

Gjermania nën trysni për të dërguar tanke në Ukrainë

Gjermania po përballet me trysni në rritje për të furnizuar Kievin me tanke luftarake. Sot presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy shprehu zhgënjimin rreth mungesës së armatimeve të mjaftueshme, ndërsa janë shënuar 11 muaj nga sulmi rus ndaj vendit të tij.

Vetëm disa orë pas marrjes së detyrës, ministri i ri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius, priti në Berlin sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin. Zoti Pistorius tha se armatimet gjermane që i janë dhënë deri tani Kievit, kanë qenë të vlefshme dhe se Berlini do të vazhdojë edhe në të ardhmen, së bashku me partnerët e tij, të mbështesë Ukrainën në luftën e saj për liri, pavarësi territoriale dhe sovranitet.

Por ai nuk përmendi çështjen e tankeve ‘Leopard 2’ që Ukraina i ka kërkuar prej kohësh. Prej javës së kaluar kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të dërgojë tanke ‘Challenger 2’, Berlini është përballur me trysni në rritje, për të furnizuar Kievin me tanke luftarake ose të paktën t’u hapë rrugë vendeve të tjera, si Polonisë, që të ofrojnë tanke ‘Leopard’, prodhim gjerman, nga rezervat e tyre.

Lexo më shumë  Vendet evropiane ngurrojnë t’i japin Ukrainës kundërajrorët Patriotë

Shefi i Pentagonit Austin do të udhëheqë të premten një takim të rregullt mes zyrtarëve të lartë të mbrojtjes në bazën ajrore amerikane ‘Ramstein’ në Gjermani. Ai tha se gjatë takimit do të përsëritet angazhimi i përbashkët për të mbështetur e forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës për një kohë të gjatë. Por zoti Austin nuk përmendi konkretisht ndonjë mjet të ri ushtarak.

Gjatë një fjalimi online në një takim të fondacionit ‘Victor Pinchuk’ që u mbajt në Davos të Zvricrës, presidenti Zelenskyy shfaqi disa doza kritike ndaj mbështetësve të mëdhenj si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë hezituar t’i dërgojnë tanke Kievit. Takimi i fondacioni mbahet paralet me mbledhjen vjetore të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit.

Zoti Zelenskyy u ankua për mungesën e armëve specifike dhe tha se lufta nuk mund të fitohet thjesht me motivim moral.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar të furnizohet me mjete më të rënda ushtarake si tanket ‘Leopard’ dhe ‘Abrams’ prodhim amerikan, por udhëheqësit perëndimorë janë treguar të kujdesshëm.

Gjermania ka qenë veçanërisht në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Kritikët, disa brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë, janë ankuar prej kohësh rreth atij që shihet si hezitimin i kancelarit Olaf Scholz për dërgimin e armatimeve.

Zoti Scholz ka qenë i kujdesshëm ndaj një trysnie të tillë. Ai ka thënë se Gjermania nuk do ta ndërmarrë e vetme këtë hap, duke u siguruar gjithashtu që NATO të mos bëhet palë në luftë me Rusinë.

Të mërkurën në Davos zoti Scholz shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj një pyetjeje në lidhje me tanket ‘Leopard’, duke thënë se Gjermania do të mbetet një nga furnizuesit kryesorë me armë të Ukrainës dhe se “Berlini nuk bën kurrë diçka vetëm, por së bashku me të tjerë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara”./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *