Rrënimi i ekonomive lokale, pjesë e rrënimit ekonomik të vendit
Shkruan Sokol Kolgjini
– Ka vite që diferenca në çmimin e karburanteve midis Shqipnisë dhe shteteve kufitare asht e konfirmueme dhe me rritje progresive vit pas viti. Shkak kryesor për kët diferencë asht taksa e qarkullimit, vendosë në bazë të ligjit 157/2014 e cila e rrit çmimin e karburantit me 32.40 lek për litër. Kjo taksë krijon diferencën kryesore sepse këtë takse nuk e ka asnjë vend tjetër veç nesh. Duke shtue këtu edhe gjashtë taksat e tjera që ne kemi mbi karburantet, e bajnë këtë produkt ma të shtrenjtin në rajon. Për qytetet kufitare, fillimisht ky u duk si favorizim, por për shkak të pasojave negative me efekt zinxhirë që jep karburanti, ky u kthye në bumerang, të cilin do e spjegojmë ma poshtë.
– Shkallëzimi i taksimit që aplikohet nga vendet e rajonit, veçmas ai i TVSH-së, krijon një diferencë të ndjeshme në çmimet e produkteve krahasimisht me ato të vendit tonë. Kryesisht kjo ndodh për produktet bujqesore, blegtorale dhe në ushqimet e shportës të cilat tatohen nga 12 deri në 14% më pak se tek ne. Për pasojë, kjo sjell çmime ma të shtrenjta në tregun tonë, progresivisht nga 14-18% për këto produkte. Kjo diferencë, jo vetëm qe favorizon këto produkte në vendet kufitare qe të jenë të pa konkurueshem në tregjet e tyne, por edhe stimulon blerjen nga klientë të qyteteve tona kufitare, gja e cila vendos në krizë edhe rrjetin tregëtar vendas.
– Për me plotësue tablonë, goditjen finale e jep çvleftësimi i valutës dhe forcimi fiktiv i lekut. Efekti kryesorë i tij asht tek prodhuesi. Së pari, ky çvleftësim ka çue në falimentimin e bizneseve eksportues të cilët sillnin valutë të pastër brenda vendit. Së dyti, ka shkaktue ranien e interesit për prodhimin vendas pasi produkti i importit ofrohet me çmim ma të lire kur blihet në euro, pikërisht për shkak të ranies së saj fiktive.
Të tre këto probleme së bashku, duke amplifikue njani-tjetrin na çojnë në një situatë të cilën, për thjeshtësim, po e konkretizojmë me atë që po ndodh në fakt:
Një qytetar i Shkodrës, Tropojës, Hasit, Kukësit, Peshkopisë … e deri te i Pogradecit e Sarandës shkon në qytetin e tij kufitar për me ble naftën qe e ka 40-50 lek/litër ma lirë dhe me diferencën e mbetun (të fitueme) blen edhe ushqimet baze për familjen e vet, të cilat edhe këto i ka ma lirë, për arsyet që renditëm ma nalt.
E, nëse do bajmë një konkluzion përmbledhës, se ku na çon kjo situatë e krijueme, at’here mund të themi se ne po kthehemi në një vend që nuk prodhon asgja, nuk krijon të ardhuna nga asgja, nuk tregton asgja por vetëm konsumon. E kjo nuk mund të zgjase shume.
Kjo sepse:
-Ne na ofrohet karburanti, energjia e zhvillimit të një ekonomie me mbitaksime dhe çmim shumfish mbi rajonin.
-Taksohemi padrejtësisht, jo propocionalisht me ekonominë tonë dhe ma shumë se rajoni.
-Kemi vlersim fiktiv të lekut e valutës dhe për pasojë vlerë fiktive të punës, të pagës, të aseteve dhe të gjithë ekonomisë.
Prandaj te ne po falimenton eksportuesi; po demotivohet prodhuesi; -po favorizohet importi; -dhe shkatrrohet rrjeti tregëtar.
A po ndodhin të gjitha këto për shkak të injorancës së pushtetarëve?! Të papërgjegjshmërisë?!Të babzisë?!
Nuk e di!!!
Sokol Kolgjini
Rruga Press