KryesoreLajme

Rrenat e Vuçiqit për çnjohjet, diplomatët e Kosovës i kundërpërgjigjen Serbisë

Diplomatët e Kosovës gjatë javës i janë kundërpërgjigjur propagandës së Serbisë, për pretendimet se kinse disa shtete kanë tërhequr njohjen, duke takuar ambasadorët e disa prej shteteve që janë përmendur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me ç’rast kanë konfirmuar kështu raportet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.

Në kuadër të propagandës kundër Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ditë më parë kishte theksuar se nëntë vende kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës, duke përmendur Somalinë, Burkina Fason, Gabonin, Eswatinin, Libinë, Guinean, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucian dhe Maldivet.

Por, diplomatët e Kosovës gjatë javës kanë takuar ambasadorët e disa prej këtyre shteteve, të cilët kanë kofirmuar marrëdhëniet diplomatike me vendin tonë.

Pretendimet e Vuçiqit për çnjohje – konsulli i Kosovës në New York dhe ambasadorja e Maldiveve rikonfirmojnë marrëdhëniet midis dy vendeve

Pak ditë pasi presidenti serb ka pretenduar se në mesin e shteteve që kanë tërhequr njohjen është edhe shteti i Maldiveve, një gjë e tillë është demantuar nga konsulli i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, i cili ka takuar ambasadoren e këtij shteti në SHBA.

Reka, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se gjatë takimit me ambasadoren e Maldiveve janë rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Maldiveve.

Konsulli i Kosovës në New York, Blerim Reka dhe ambasadorja e Maldiveve, Thilmeeza Hussain

“Kënaqësi të takoja ambasadoren Thilmeeza Hussain, ambasadore e Maldiveve në SHBA dhe Përfaqësuese e Përhershme e Maldiveve në OKB. Rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, Kosovë – Maldive që nga viti 2009”, ka shkruar Reka.

Takimi i ambasadorit Agron Bajrami me ambasadoren e Libisë, Jerary

Lexo më shumë  Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami ka takuar të mërkurën ambasadoren e Libisë në këtë shtet, Amel Jerary, me të cilën ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.

Ambasada e Kosovës në Belgjikë në një postim në Facebook thekson se në një bisedë miqësore, të zhvilluar në ambasadën e Libisë në Bruksel, dy ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e dy vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë edhe në atë të Magrebit.

“Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.

Ambasadori Bajrami u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 kemi marrëdhënie diplomatike. Ai shtoi se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në anën tjetër, ambasadorja Jerary citohet të ketë thënë se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë.

Ambasadori i Kosovës në Turqi takon ambasadorin somalez : Diskutuam mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve

Lexo më shumë  Reagon parlamenti italian: E papranueshme telefonata e Ramës për drejtorin e medias italiane

Edhe ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi më 10 janar ka takuar ambasadorin e Somalisë, Jama Abdullahi Mohamed.

Në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Ankara thuhet se të dy ambasadorët kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ambasadori i Somalisë, Jama Abdullahi Mohamed

“Ambasadori Vrenezi realizoi takim me Ambasadorin e Somalisë Jama Abdullahi Mohamed me të cilin diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, si dhe shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ambasadori Kapiti takon komisioneren e lartë të Eswatinit

Eswatini ishte ndër shtetet që kishte përmendur Aleksandar Vuçiq, se kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

E ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti të enjten ka njoftuar se ka takuar komisioneren e lartë të Eswatinit,Thandazile P. Mbuyisa.

Kapiti ka bërë të ditur në llogarinë e tij në Facebook se kanë biseduar për forcim të marrëdhënieve mes Eswatinit dhe Kosovës. Këtu ka përmendur edhe eksplorimin e mundësive ekonomike.

“Sot bëra një vizitë te Komisionerja e Lartë, Thandazile P. Mbuyisa në Ambasadën e Mbretërisë së Eswatinit, në Londër. Ishte kënaqësi të trajtonim ngjarjet aktuale globale dhe ne mezi presim të forcojmë marrëdhëniet tona Eswatini-Kosovë duke eksploruar mundësitë ekonomike”, ka shkruar Kapiti.

Ndryshe, ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, këto shtete janë Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *