Robelli: BE-ja po e përkëdhel Serbinë për ta mbajtur nën kontroll
Enver Robelli, redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”, e ka cilësuar aspak largpamës Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, me të cilin lavdërohej Serbia për përpjekjet e saj për fqinjësi më të mirë. Sipas tij, një raport i tillë tregon pafuqinë e Bashkimit Evropian për t’u ballafaquar me problemet në fqinjësinë e afërme.
“Më duket se ka një hile të madhe në këtë përkëdheljen që i bëhet Serbisë, ndoshta sepse është shteti me potencialin më të madh për të destabilizuar rajonin. Por s’është në rregull nga prizmi i BE-së që të injorohet roli i Kishës Serbe dhe politikës serbe në shkaktimin e trazirave në Mal të Zi, roli i Beogradit dhe i politikanëve në Bosnje për destabilitetin permanent të Bosnje e Hercegovinës, ndërsa për Kosovë dihet që një pjesë të madhe të ndikimit Serbia e ruan në veri të Kosovës dhe e kemi parë me bllokim të rrugëve e qarkullimit, ku Serbia vazhdon të luajë rol destruktiv”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se destabilizimi nga Serbia ka qenë i vazhdueshëm dhe ka nisur shumë më herët. “Është aktive në shumë fronte në rajon dhe kjo mendoj se flet shumë edhe për BE-në që s’ka strategji të qartë për zgjerim në Ballkan e as guximin askush në Bruksel që të thotë se ajo që kemi premtuar me vite për fat të keq s’mund të realizohet, nga frika se mund të ketë efekt destabilizues në rajon”.
Duke folur për qëndrimet evropiane kundrejt Serbisë, Robelli ka thënë se BE-ja shpeshherë ka dhënë deklarata përkëdhelëse “për ta mbajtur nën kontroll”, në vend se të ketë politikë më proaktive e kritike. Te kjo pikë ka përmendur edhe Gjermaninë me qëndrim të tillë.
Sa i përket qëndrimeve të fundit të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, që qortoi Kosovën për iniciativën e saj për luftim të krimit në veri, Robelli ka thënë se ai bën pjesë në grupin e politikanëve që shtrojnë dilemën se përse të pengohet ndarja e Kosovës nëse arrihet një marrëveshje mes dy vendeve. Sipas tij, frika qëndron vetëm në efektin domino që mund të ketë në rajon ndarja e Kosovës.
Ndërsa për letrën me të cilën BE-ja bashkë me SHBA-në, pak ditë pas deklaratës së Borrellit, u shprehën se Kosova duhet të luftojë kontrabandën në çdo cep të saj, gazetari i njohur e ka parë si reagim amerikan për të korrigjuar deklaratat e rrezikshme e jostrategjike të zyrtarëve të BE-së.
Sipas Robellit, edhe ndryshimi i pushtetit në Gjermani dhe ardhja e mundshme e Olaf Scholzit si kancelar nuk do të sjellë shumë ndryshim të kursit të Gjermanisë. Ai e ka konsideruar Scholzin si pjesë të krahut të moderuar të Socialdemokratëve./koha/