Lajme

Rizvanolli: Sivjet nuk pritet të ketë rritje të çmimit të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se qytetarët e vendit nuk pritet të preken sivjet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Jemi në periudhën që ZRRE-ja është duke e trajtuar çështjen e tarifave të energjisë elektrike, por me siguri që rritje nuk do të ketë. Sa do të jenë tarifat mbesim të shohim nga ZRRE-ja”, ka theksuar Rizvanolli në magazinën “Info Plus” në RTK.

Ajo ka thënë se në bazë të analizave dhe situatës aktuale Kosova nuk pritet të ketë ndonjë problem me furnizim me energji, por ka thënë se kjo nuk do të thotë që të mos jemi të kujdesshëm në këtë drejtim, ngase sipas saj përderisa ka konflikte në botë, veçmas në vende të cilat janë të ndërlidhura me prodhimin e energjisë, gjithmonë ekziston një paparashikueshmëri.

“Nevoja për të rritur efiçenicën e energjisë dhe për ta kursyer energjinë gjithmonë ekziston. Gjatë dy viteve të fundit ne e kemi mbajtur gjendjen stabile dhe nuk ka pasur rritje të kërkesës për energji në amvisëri”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Sa i përket deklaratave të mëparshme të kryeministrit Kurti, kur ai ishte në opozitë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë, ministrja ka thënë se ajo deklaratë është e vitit 2016, që ka qenë një kontest krejt tjetër dhe është thënë në kontest tjetër, ndërsa situata në ndërkohë ka ndryshuar diametrelisht.

“Megjithatë përkundër krizës energjetike në botë ne kemi arritur t’i mbajmë tarifat më të ulëta edhe pas rritjes së çmimit, jo vetëm në krahasim me vendet e Evropës, por edhe me ato të rajonit”, ka shtuar Rizvanolli.

Rizvanolli: Pagesa e rrymës në veri, problem i trashëguar

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ftuar në ‘Info Plus’ të RTK-së ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagesën e energjisë në veri, e cila nxori aktvendim lidhur me kompensimin e qytetarëve në vlerë mbi 40 milionë euro që iu faturua rryma e shpenzuar në veri. Ajo tha se edhe kjo çështje si shumë të tjera janë të trashëguara nga e kaluara dhe se është zgjidhur.

Megjithatë, ajo tha se janë në pritje të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si institucion përgjegjës, që të marrë vendimin në përputhje me aktvendimin e Kushtetueses.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“Jemi në pritje të ZRRE-së që të marrë vendim dhe të na japë sqarime lidhur me mënyrën e zbatimit të tij, kjo për faktin sepse ka kompleksitete teknike të cilat duhet të sqarohen dhe të zgjidhen para zbatimit”, tha ministrja Rizvanolli.

Tutje, sipas saj, mos pagesa e rrymës nga konsumatorët në veri ka qenë një padrejtësi dhe një barrë e madhe financiare që u është ngarkuar qytetarëve të tjerë.

Prandaj, siç tha ajo, për hirë të ruajtjes së sovranitetit është mbuluar kjo kosto.

“Për hirë të ruajtjes së sovranitetit, kjo kosto është mbuluar  nga ne të tjerët. Kjo nuk është e drejtë. Edhe kjo është ndër çështjet e tjera që janë trashëguar e që janë problematike. Por edhe këtë çështje të trashëguar të kaluarës do ta zgjidhim, të gjitha institucionet e vendit së bashku. Tashmë kjo çështje është e zgjidhur”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo tha se çështja e pagesës së rrymës në veri tashmë është e kryer.

YouTube player