Opinion/Aktualitet

RiLindja i RìVraú dëshmorët e 21 janarit

Nga Andi Bushati

Zakoni i lodhur për të rikujtuar në çdo përvjetor dëshmorët e 21 janarit, ashtu siç bënte regjimi i vjetër në çdo 5 maj, me disa nga ata që kishin vrarë pas shpine gjatë luftës, po fillon të bëhet i neveritshëm. Përtej pritjeve në zyrën me harta të Ramës dhe vendosjes së luleve në trotuar, gjithçka tjetër është hipokrizi. Këtë herë ka qenë ministri i drejtësisë Ulsi Manja, që njësoj si paraardhësi i tij Saimir Tahiri, rimori një nismë për rihapjen e dosjes. 

Natyrisht përtej fanatikëve të partive gjithkush është i bindur se masakra e 2011-ës, në bulevard, ishte një krim shtetëror, i cili nuk mund të ndodhte pa urdhër politik. Të gjithë janë në një mendje se procesi që u zhvillua për të ishte një farsë e organizuar nga pushteti i kohës, që vetëm drejtësinë nuk vuri në vend. Ekspertiza e FBI-së e tregoi qartë se provat e krimit u fallcifikuan, tytat e pistoletave u ndryshuan, serveri i kryeministrisë u fshi, gëzhojat u hoqën nga perimetri i krimit, prokurorët nuk u lanë të hetonin apo të pyesnin zinxhirin komandues të gardës. Kaq mjafton për tu bindur se nuk kishim të bëjmë me një ‘pakujdesi’ por me një krim të urdhëruar dhe të fshehur nga lart, që do të mbetet ndoshta një nga njollat më të mëdha në karrierrën politike të Sali Berishës. 

Pra, deri diku, nuk ka asnjë diskutim se çdo përpjekje serioze për ta zbardhur të plotë atë ngjarje është e mirëpritur. Por, delenxhijtë e rilindjes e kanë humbur prej kohësh të drejtën që publiku tu’a besojë këtë mision. Anatemimi i drejtësisë së vjetër dhe ankesat për këtë të renë, prokurorët dhe gjykatësitë e së cilës i kanë vettuar vetë, nuk pinë më ujë. Pasi ka ngjarje dhe mistere të cilat edhe vende me një pushtet të admirueshëm të ligjit nuk i kanë zbardhur dot kurrë. Kjo mund të ndodhë edhe me 21 janarin. Por ama, një forcë politike nuk matet vetëm me suksesin që ka pasur drejtësia gjatë kohës që ajo ka qenë në pushtet, por mbi të gjitha me moralitetin që ajo e ka trajtuar çështjen për të cilën i kërkon llogari prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dhe këtu, në një dekadë, rilindasit i kanë vrarë për së dyti viktimat e 21 janarit. Rama dhe PS nuk vunë kurrë as një filtër moral, nuk përdorën asnjë kordon higjenik për të ndërtuar kauza të përbashkëta ata të cilët dikur u renditën përkrah vrasësve.

Lexo më shumë  Një idiotizëm i ri politik: "grusht shteti" i qeverisë kundër opozitës

Le të kujtojmë se ky pushtet u ndërtua në bashkëpunim me Ilir Metën, kundër të cilit ata katër “kokëpalarë” dolën të protestonin në mënyrë të ashpër. Së bashku me LSI-në, rilindasit përkujtuan së bëshku një sërë përvjetoresh të masakrës, deri sa dy partitë u ndanë për interesat e veta elektorale, dhe aspak për këtë çështje që moralisht s’do duhej të ti kishte lënë të bashkoheshin kurrë. 

Le të kujtojmë se ende dhe sot, TV Klan, ai televizioni që propagandoi atë videon e manipuluar, sikur protestuesit ishin vrarë nga turma, në sinkron me alibinë që po përhapte Berisha, sot është i preferuari i pushtetit. Edi Rama dakron me drejtuesit e tij në një muaj, më shumë se ç’i ka pritur familjet e viktimave në dhjetë vite dhe kjo media ndihet sot nën pushtetit e tij shumë më rehat sesa nën atë të Saliut.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Le të mos harrojmë se një ish ministre e PD-së, Majlinda Bregu, që mbajti mbrëmjen e krimit në “Opinion”, një qëndrim kundër viktimave që të rrënqethte mishin, u shpërblye nga kjo qeveri me lobimin për postin e shefes së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Dhe qershia mbi tortë, është përzgjedhja si kryebashkiak i PS-së së Matit, i gardistit të grupit të gatshëm në 21 janar, Agron Malajt, që u shpërblye nga qeveria Berisha me katër paga shtesë për katër të vrarët. Ky personazh vazhdon të mbështetet nga qendra dhe të votohet nga baza e nënshtruar socialiste duke e legenosur përfundimisht memorien e atij krimi të shëmtuar. 
Ka dhe plot politikanë, gazetarë, pronarë mediash, me të cilët, për interesa të çastit, ky pushtet e ka flakur tej filtrin higjenik të 21 janarit. Por edhe rikujtesat e mësipërme janë mjaft për të dëshmuar se as Rama dhe as Rilindja, nuk e kanë një shtyllë morale, këtë tragjedi që hiqen sikur i përlot ende. 

Ata mund të organizojnë përkujtimore, mund të shpërndajnë shpërblime për familjarët dhe herë pas here të shtiren sikur po angazhohen për rihapjen e hetimit. Por, politikisht, vetëm janë tallur, pasi për atë që kishin 100% në dorë s’janë treguar dinjitozë në asnjë moment. Sa herë i është dashur, nuk kanë nguruar të bëjnë aleancë me mbrojtësit e dikurshëm të grupit të zjarrit, qoftë edhe për interesin më të vogël momental. Dhe këtë pabesi nuk e korrigjon dot drejtësia, as ajo e vjetra e Saliut, as kjo që kanë ngritur vetë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *