Rikthimi në Konventën Evropiane të Teatrit, mundësi për zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës
Teatri Kombëtar i Kosovës është rikthyer në Konventën Evropiane të Teatrit, pas mungesës prej gati tetë vjetësh. TKK-ja, nëpërmjet njoftimit në rrjete sociale, ka bërë të ditur se ka arritur të marrë votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti.
“Nga sot Teatri Kombëtar i Kosovës iu bashkua familjes së madhe të ‘European Theatre Convention’, thuhet në njoftimin e TKK-së, i cili në këtë rrjet qe pranuar më 2013, por vetëm një vit pas, në fund të 2014-s, u tërhoq.
Anëtarësimi në Konventën Evropiane të Teatrit (ETC) bëhet me pagesë dhe ai është një rrjet i cili financohet nga publiku i tij. Siç ka bërë të ditur edhe Ministria e Kulturës, TKK-ja gjatë mbledhjes së Asamblesë, në konferencën që po mbahet në Pragë, u votua nga 32 anëtarët e rrjetit.
“Nga ky anëtarësim (TKK) do të përfitojë në zhvillim profesional, bashkëpunime artistike dhe avokim për teatrin në nivel evropian”, ka shkruar MKRS-ja.
Kushtrim Sheremeti, drejtor i përgjithshëm i TKK-së, ka thënë për KOHËN se anëtarësimi i TKK-së në Konventën Evropiane të Teatrit ofron mundësi të mëdha të bashkëpunimit, rrjetëzimit, bashkëprodhimeve, si edhe shkëmbimit të anëtarëve të TKK-së me teatrot e tjera evropiane.
“European Theatre Convention është një prej platformave më të mëdha dhe më të rëndësishme të Teatrit Evropian, sidomos të teatrove kombëtare, ndër të tjera e mbështetur edhe nga Komisioni Evropian. Mundësia e bashkëpunimit, rrjetëzimit, bashkëprodhimit dhe lëvizjes së TKK-së me anëtaret e rrjetit është e madhe”, ka thënë Sheremeti, i cili të premten ka qenë në Pragë.
ETC-ja është një mundësi e mirë edhe për aktivitetet e shumta që i ofron në fushën e teatrit e veçmas faktin se përmes saj, TKK-ja do të ketë mundësi edhe të shfaqë vepra teatrale jashtë Kosovës.
“Prodhimet e TKK-së, përpos që e kanë vendin aty ku prodhohen, ato gjithashtu, edhe më shumë, e kanë vendin në skenën botërore sepse kanë cilësi dhe kjo është një prej arsyeve kryesore që ne po mundohemi ta hapim TKK-në me botën dhe me këtë rast e kemi filluar me Europian Theatre Convention”, ka shpjeguar Sheremeti.
Përveç pagesës, për t’u bërë pjesë e “European Theatre Convention”, teatrot anëtare të saj gjithashtu duhet të ofrojnë edhe cilësi. Përzgjedhja e shfaqjeve që jepen në TKK është gjithashtu një kërkesë që duhet plotësuar.
Me projekte teatrore kreative dhe inovative, me cilësi të lartë, ETC-ja kërkon ta riafirmojë rolin e teatrit në një hapësirë publike evropiane, duke ofruar qasje në kulturë, për të gjithë brezat.
Duke lidhur krijuesit e teatrit dhe qytetarët e Evropës, ETC përdor teatrin për të mbështetur dialogun ndërkulturor dhe me aktivitetet e tij, të zhvillojë kompetencën ndërkulturore në shoqëritë gjithnjë e më të ndryshme, në një botë hiper-konkurruese.
Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, ETC-ja përfaqëson teatrot evropiane anëtare dhe merr pjesë në shkëmbimin e praktikave të mira dhe ideve të mira ndërmjet institucioneve evropiane, shteteve anëtare dhe shoqërisë civile.
E themeluar në vitin 1988, ETC promovon Teatrin Evropian si një platformë jetike për dialogun, demokracinë dhe ndërveprimin, që i përgjigjet, reflekton dhe angazhohet me audiencat e sotme të ndryshme dhe shoqëritë në ndryshim.
ETC-ja është rrjeti më i madh i teatrove të financuar nga publiku në Evropë, me 44 anëtarë nga 26 vende. Konferencat ndërkombëtare të teatrit “ETC” mbahen dy herë në vit në një teatër anëtar të ETC-së.
Rruga Press