Rikthim te plani franko-gjerman?/ Këshilltari i Scholzit dhe Macronit do të shkojnë në Kosovë në janar
Gjermania dhe Franca po tentojnë t’i japin një tjetër shtysë procesit të dialogut, që këto kohë është spostuar nga vëmendja mes përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, të cilat bartin në çdo moment potencialin e shpërthimit të një konflikt të mirëfilltë.
Këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Jens Plettner dhe ai i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Emmanuel Beaune, do të qëndrojnë në Prishtinë në muajin janar, e konfirmuar kjo nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pohoi se atyre do t’u bashkohet edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Qëllimi i vizitës, sipas presidentes, është pikërisht intensifikimi i dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Duke komentuar kërkesat e Serbisë për Asociacion, Osmani e bëri të qartë për mediat në Kosovë se ndërkombëtarët nuk i kanë kërkuar Kosovës që të dalë jashtë kushtetutës.
Propozimi zyrtar i BE-së mori emrin “plani franko-gjerman”, i cili quhet kështu pasi variantin e tij të parë e prezantuan në shtator në një udhëtim të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd, pikërisht Plettner dhe Beaune.
Deri tani plani evropian po mbahet ende konfidencial. Konsiderohet se plani ka elemente që mund të çojnë deri në një marrëveshje finale.
Rruga Press