Rikthehet pirati Sandokan, e interpreton aktori me origjinë shqiptare
Është padyshim një nga aktorët më të njohur turq, jo vetëm në vendin e tij, por edhe nga të paktët që kanë arritur tashmë famën edhe në perëndim, veçanërisht në vende si Spanja dhe Italia.
Can Yaman, që publiku shqiptar ka njohur si protagonist i serialeve si “Dolunay” dhe “Erkenci Kuş”, mund të bëj hapin e madh në karrierë, duke marrë rolin e një miti të viteve 70-80.
Aktori turk me origjinë shqiptare, nga momenti që babai i tij është djali i një emigranti nga Prishtina, pritet të marrë rolin e Sandokanit, piratit të Malajzisë në një serial italian që do të tentojë të rifitojë suksesin e origjinalit, ku protagonist ishte aktori indian Kabir Bedi.
Seriali pritet të transmetohet vitin e ardhshëm, dhe do të ketë praninë e aktorëve të njohur italianë si Luca Argentero dhe Alessandro Preziosi.
Lindur në Stamboll, aktori 31-vjeçar ka pohuar vetë origjinën e gjyshërve të tij. “Nga ana e babait tim flasin shqip, por unë nuk flas se jam rritur me familjen e nënës”, ka deklaruar aktori, që ka pohuar edhe se ka ndenjur disa kohë në Tiranë.
Yaman nuk është aktori i vetëm turk që ka deklaruar prejardhje shqiptare. Diçka të tillë e kanë deklaruar publikisht emra të njohur si Kivanç Tatlitug, Halit Ergenç dhe Engin Altan Dyzyatan.
Rruga Press