KryesoreLajme

Rexhë Byberi nuk njeh as ligj e as frikë nga SPAK, “qendis” 52 mln lekë tender tjetër për kushëririn e tij

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, duket se nuk pyet më as për ligjin dhe as për frikën e SPAK, ndërsa vijon të shpërndajë tendera publikë në favor të familjarëve të tij. Rasti më i fundit lidhet me një tender të zhvilluar nga Bashkia Tropojë, i cili i është dhënë kompanisë “Vllaznimi sh.p.k”, në pronësi të Bashkim Byberit, kushëririt të kryebashkiakut.

Më 5 qershor, Bashkia Tropojë shpalli procedurën për “rikonstruksion, asfaltim rrugësh dhe mbushje gropash në disa akse të bashkisë”, me një fond limit prej 52 milionë lekësh. Sipas dokumenteve të tenderit, gjithçka duket e orientuar drejt një fituesi të paracaktuar. Në garë morën pjesë tre kompani, ku dy prej tyre rezultojnë të lidhura me familjarë të kryebashkiakut.

11111.PNG

Bëhet fjalë për “Vllaznimi sh.p.k”, në pronësi të Bashkim Byberit, si dhe “Trajler sh.p.k”, kompani në pronësi të Anila Byberit, e identifikuar më herët nga media si familjare e kryebashkiakut të Tropojës.

Nga dokumentacioni rezulton se “Trajler sh.p.k” nuk ka paraqitur asnjë ofertë ekonomike, duke krijuar dyshimin se pjesëmarrja e saj ka shërbyer vetëm për të krijuar fasadën e një gare formale.

Lexo më shumë  Ish-ministri Bushati: Pasqyrimi i protestave nga mediat ndërkombëtare është investimi më i mirë për imazhin tonë si popull

Por skema duket se është “prishur” nga pjesëmarrja e kompanisë “Florida sh.p.k”, e cila ka paraqitur një ofertë më të ulët se “Vllaznimi sh.p.k”. Edhe pse kishte ofertuar rreth 5 mijë euro më pak për realizimin e punimeve, kompania është skualifikuar, ndërsa tenderi i është dhënë subjektit në pronësi të kushëririt të kryebashkiakut.

2222.PNG
3333.PNG

Ironia thellohet edhe më tej nga fakti se vendimi është firmosur nga Zyra Islamaj, me autorizim të Rexhë Byberit. Të dy këta zyrtarë kanë qenë më herët nën hetim nga SPAK dhe janë përballur me drejtësinë në GJKKO.

Kryebashkiaku i Tropojës u mor i pandehur nga SPAK për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 277 milionë lekësh përmes shkeljeve ligjore në ndërtimin e dy rrugëve rurale. Çështja është dërguar për gjykim në GJKKO, ndërsa ndaj Byberit janë aplikuar më herët masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe më pas “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë, gjatë periudhës kur Byberi ishte nën hetim, drejtimi i Bashkisë Tropojë iu besua Zyra Islamajt si kryetare e komanduar. Edhe ajo përfundoi në rrjetën e SPAK, pasi akuzohej se kishte shfrytëzuar funksionin publik për ndërtimin pa projekt të një ure pranë banesës së motrës së saj. Islamaj u dënua nga GJKKO me 2 vite e 1 muaj burg për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”, dënim që më pas u pezullua duke u konvertuar në 2 vite shërbim prove. Krahas kësaj mase, asaj iu hoq edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Lexo më shumë  “The Albanian Files”/ BIRN: Anatomia e ‘rilindjes arkitekturore’ të Edi Ramës

Tenderi i fundit përbën një tjetër rast që ngre dyshime serioze për shkelje të ligjit mbi konfliktin e interesit nga ana e kryebashkiakut të Tropojës. Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme për favorizim të kompanive të lidhura me familjarët e tij, deri më tani nuk rezulton të ketë nisur ndonjë hetim i ri apo të jetë marrë ndonjë masë konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Nëse edhe ky rast kalon në heshtje, atëherë përgjegjësia nuk mbetet më vetëm te Rexhë Byberi, që ndan fondet publike me familjarët e tij, por edhe te prokuroritë dhe institucionet shtetërore që zgjedhin të mos reagojnë. /VNA/

YouTube player