KryesoreLajme

Reuters: Samiti i NATO-s në pikëpyetje, mund të mos mbahet në Shqipëri!

Planet për zhvillimin e samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027 janë vënë në pikëpyetje, për shkak të rezervave të administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare me nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes të Tiranës.

Kështu raportoi Reuters, duke cituar një diplomat të NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre burime të njohura me diskutimet.

Sipas raportit, projekt-deklarata e samitit të NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara nuk përmend zhvillimin e samitit pasues në Shqipëri, ndryshe nga deklaratat e mëparshme të aleancës, ku vendi ishte përcaktuar si mikpritës i takimit të vitit 2027.

Burimet thonë se administrata Trump ka shprehur shqetësime lidhur me nivelin e ulët të investimeve të Shqipërisë në mbrojtje. Një prej tyre tha se organizimi i samitit në një vend që ende nuk ka përmbushur objektivat e NATO-s për shpenzimet ushtarake mund të krijonte tensione politike dhe reagime negative nga presidenti amerikan.

Lexo më shumë  31 ditë revoltë për largimin e Ramës/ Media publike franceze: Diaspora po mobilizohet masivisht 

Në të njëjtën kohë, Reuters kujton se NATO po shqyrton edhe mundësinë e heqjes dorë nga praktika e mbajtjes së samiteve çdo vit, një ide që ishte raportuar edhe më herët dhe që synon të shmangë përplasje të mundshme politike gjatë mandatit të Trump.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare minimizoi rëndësinë e mungesës së Shqipërisë në projekt-deklaratë.

“Draftet janë drafte, jo vendime”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë për Reuters, duke theksuar se dokumenti është ende në proces negociatash dhe mund të ndryshojë.

Në një deklaratë për agjencinë, qeveria shqiptare bëri të ditur se po finalizon masat fiskale për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në përputhje me angazhimet e marra në Samitin e Hagës. Sipas saj, gjatë vitit 2026 shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë do të arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 2.2% do të dedikohet për mbrojtjen bazë dhe 0.4% për sektorë të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë.

Lexo më shumë  Protestuesit e arrestuar refuzojnë të takojnë të zgjedhurin e Ramës për Avokat të Popullit

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar së fundmi se Shqipëria, së bashku me Çekinë dhe Slloveninë, ka premtuar të kalojë pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen gjatë këtij viti.

Megjithatë, sipas një diplomati evropian të cituar nga Reuters, mbetet ende e mundur që Shqipëria të jetë mikpritëse e samitit të NATO-s.

“Ata po rrisin ritmin e përmbushjes së angazhimeve. Do të shohim ku do të përfundojë procesi, por unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”, tha ai.

Rruga Press

YouTube player