Lajme

Reuters për Belinda Ballukun: Dosja e korrupsionit në zemër të qeverisë shqiptare!

Një raportim i agjencisë ndërkombëtare Reuters analizon krizën politike të javëve të fundit në Shqipëri, pas protestave në Tiranë dhe akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Shkrimi e lidh situatën me ambicien e qeverisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke theksuar se zhvillimet e fundit mund ta komplikojnë këtë objektiv.

Reuters ndalet te akuzat e SPAK për manipulim tenderësh, te përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe prokurorisë speciale, si dhe te reagimi i Bashkimit Europian, i cili paralajmëron se lufta efektive kundër korrupsionit mbetet thelbësore për progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Shkrimi i plotë i Reuters

Ndërsa protestues hodhën bomba molotov drejt godinës së qeverisë së Shqipërisë në qendër të Tiranës javën e kaluar dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, një thirrje jehonte: “Rama ik në shtëpi! Kjo qeveri e korruptuar duhet të japë dorëheqjen!”

Tensionet ishin rritur që kur Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, ngriti akuza ndaj zëvendëskryeministres së kryeministrit Edi Rama, Belinda Balluku, në dhjetor, nën dyshimin për ndërhyrje në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021 me vlerë mbi 200 milionë euro.

AKUZAT PËR KORRUPSION RREZIKOJNË RRUGËTIMIN E SHQIPËRISË DREJT BE-së

Por pasojat, të përforcuara nga një seri skandalesh korrupsioni gjatë vitit të kaluar, janë përshkallëzuar.

Protestat e vazhdueshme dhe fakti që kriza përfshin një nga aleatet e tij më të afërta përbëjnë një sfidë të konsiderueshme për Ramën, i cili drejton vendin ballkanik që nga viti 2013, fitoi lehtësisht rizgjedhjen vitin e kaluar për herë të katërt dhe gëzon marrëdhënie të mira me liderë nga Brukseli në Uashington.

Kjo mund të komplikojë gjithashtu planin e tij për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

Lexo më shumë  Milionat për pastrimin e lumit Lana në Tiranë nga ujërat e zeza, i mori lumi

“Shqipëria duhet ta kuptojë se për t’u bërë anëtare e BE-së, respektimi i shtetit të së drejtës është një parakusht,” tha Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London. “Kjo duhet të kuptohet thellë, përndryshe nuk do të duket mirë në raport me BE-në.”

Në përgjigje të pyetjeve të Reuters, zëdhënësja e Ramës mbrojti bilancin e tij.

“Shqipëria e meriton të anëtarësohet (në BE) për shumë arsye dhe lufta kundër korrupsionit pa asnjë hezitim është një prej tyre,” tha Manjola Hasa.

Shqipëria ishte e izoluar nga bota për gati 50 vjet nën një regjim komunist që u rrëzua në fillim të viteve 1990. Si në shumë pjesë të Europës Lindore, fundi i komunizmit solli një periudhë korrupsioni të shfrenuar.

Megjithatë, reformat në drejtësi në vitin 2016, krijimi i SPAK-ut në vitin 2019 dhe rritja e qëndrueshme ekonomike forcuan argumentin e saj për anëtarësim në BE.

Bisedimet me BE-në nisën në vitin 2022 dhe më 17 nëntor të vitit të kaluar Shqipëria hapi raundin e fundit të temave për diskutim, si një nga vendet më të avancuara në projektin e zgjerimit të BE-së në Ballkan.

Tre ditë më vonë, një njoftim për shtyp i SPAK-ut shpalli ngritjen e akuzës ndaj Ballukut.

TUNELI DHE UNAZA

Akuzat fokusohen në dy tenderë të vitit 2021, një për ndërtimin e një tuneli rrugor dhe një tjetër për një segment të unazës rreth Tiranës. Balluku, si ministre e Infrastrukturës, akuzohet se ka orientuar tenderët për të favorizuar kompani të caktuara.

Aktakuza, e cila është parë nga Reuters, përfshin fragmente mesazhesh tekstuale mes Ballukut dhe kolegëve të saj, përfshirë drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili gjithashtu është marrë i pandehur.

Në një mesazh më 10 shtator 2021, ajo duket se i kërkon drejtorit të takohet me një zyrtar të kompanisë NOVA Construction 2012.

Lexo më shumë  Tokat bujqësore në Shqipëri prej ditësh nën ujë/ Përmbytjet përgjysmuan eksportet e zarzavateve 

Katër ditë pas takimit, NOVA hyri në një kontratë me dy kompani të tjera për të formuar një konsorcium, i cili më pas fitoi kontratën për unazën.

SPAK tha se Balluku kishte “paracaktuar fituesin” dhe kishte “krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta”.

Reuters nuk arriti të përcaktojë nëse drejtori është takuar me NOVA-n. Kompania nuk iu përgjigj kërkesës për koment dhe as avokati i Ballukut.

Balluku, e cila u pezullua nga një gjykatë antikorrupsion në nëntor, tha rreth asaj kohe se nuk do të komentonte çështjen apo “gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat”.

RAMA AKUZON PROKURORËT SHQIPTARË PËR TEJKALIM KOMPETENCASH

Ndërkohë, marrëdhëniet e SPAK-ut me Ramën kanë qenë herë pas here të tensionuara.

SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut për paraburgim, por Rama e kundërshton këtë dhe akuzon SPAK-un për tejkalim kompetencash. Të hënën ai u tha deputetëve se tre herë kishte refuzuar ofertat e Ballukut për dorëheqje.

“Nuk ekziston diçka e tillë si dorëheqje nën presion nga një pushtet që ka dalë jashtë territorit të vet,” tha ai ndërsa Balluku ishte e pranishme.

Po atë ditë, Rama njoftoi se planifikonte të ndryshonte ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërkohë që janë nën hetim penal, një veprim që opozita tha se synonte ta mbronte atë dhe aleatët e tij.

BE-ja po e ndjek situatën.

“Retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale është kundërproduktive,” tha zyra e BE-së në Tiranë në një deklaratë për Reuters.

“Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”/Përshtati Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player