Bota

REUTERS: Agjensitë amerikane të zbulimit ndoshta nuk do ta identifikojnë dot origjinën e COVID-19

UASHINGTON – Agjensitë amerikane të zbulimit thanë të premten se ndoshta nuk do të munden të identifikojnë origjinën e koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19. Ato qarkulluan një version të ri më të detajuar të raportit të tyre ku shqyrtohet nëse koronavirusi u transmetua nga kafshët tek njeriu, apo nëse doli nga ndonjë laborator.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI) thotë në një raport të çklasifikuar se origjina natyrore apo prejardhja nga një laborator janë të dyja hipoteza të mundshme se si SARS-COV-2 arriti të infektojë njerëzit.

Raporti hedh poshtë sugjerimet se koronavirusi mund të jetë përdorur si një armë biologjike, duke vënë në dukje se mbështetësit e kësaj teorie “nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë tek Instituti i Virologjisë në Wuhan” dhe se janë akuzuar për përhapje të dizinformimit.

Raporti i qarkulluar të premten është përditësim i një përmbledhjeje 90-ditore që administrata e Presidentit Joe Biden publikoi në muajin gusht, ndërsa po zhvillohej një betejë e fortë politike se sa duhej fajësuar Kina për efektet e pandemisë globale, në vend të qeverive që mund të mos kenë vepruar me shpejtësinë e duhur për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Lexo më shumë  Ukraina dhe Siria lidhin aleancë ushtarake

COVID-19 përshkruhej shpesh si “virusi kinez” nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili humbi fushatën për rizgjedhjeje ndërsa pandemia godiste ekonominë amerikane dhe shumë nga mbështetësit e tij.

Raporti i ODNI-së thotë se katër nga agjensitë amerikane të zbulimit dhe një grup pune me pjesëmarrjen e disa agjensive kanë “besim të ulët” në versionin se COVID-19 e pati origjinën tek një kafshë e infektuar ose një virus tjetër i ngjashëm.

Por njëra prej agjensive tha se ka “besim të moderuar” se infektimi i parë i një njeriu me COVID-19 ishte me shumë gjasa rezultat i një aksidenti në laborator, i lidhur ndoshta me ndonjë eksperimentim ose përfshirje të kafshëve në Institutin e Virologjisë në Wuhan.

Në këtë foto të 23 shkurtit 2017 shfaqen punonjësit gjatë kërkimeve në laboratorin e Institutit të Virologjisë në Wuhan, Kinë
Në këtë foto të 23 shkurtit 2017 shfaqen punonjësit gjatë kërkimeve në laboratorin e Institutit të Virologjisë në Wuhan, Kinë

Agjensitë amerikane të zbulimit mendojnë se nuk do të jenë në gjendje të japin një shpjegim më të qartë për origjinën e COVID-19ës pa ndonjë informacion të mëtejshëm që do të tregonte se virusi përshkroi një trajektore të caktuar nga kafshët për tek njerëzit, ose që laboratori në Wuhan po e menaxhonte këtë virus ose ndonjë virus të ngjashëm përpara se të shfaqej COVID-19ta.

Lexo më shumë  Mungesa e karburantit prek 18% të stacioneve në Francë

Raporti thotë se agjensitë amerikane dhe komuniteti global shkencor nuk kanë “mostra klinike apo një botëkuptim të plotë të të dhënave epidemiologjike nga rastet më të hershme të COVID-19ës” dhe shton se do ta rishqyrtojnë këtë konkluzion nëse do të shfaqet ndonjë evidencë e mëtejshme.

Kina është përballur me kritika ndërkombëtare se nuk bashkëpunoi më mirë për hetimin e origjinës së COVID-it.

Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *