Restauruesit nxjerrin në dritë ikonën “Shën e Premtja me 4 shenjtorë”
Ikona “Shën e Premtja me 4 shenjtorë” po del në dritë në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat.
Specialistët e DRTK Berat vijojnë punën për rikthimin në jetë të kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore.
“Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë DRTK-Berat është duke dal në dritë një tjetër ikone. Gjatë procesit të punës për pastrimin nga verniku i degraduar i ikonës “Shën e Premtja me 4 Shenjtor” me autor Kostandin Zografi”, thekson DRTK Berat.
Kjo ikonë është gjetur në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Vanaj të Fierit. Shën Kolli është një ndër shenjtorët më të njohur si për Kishën Katolike Perëndimore, por edhe për Kishën Lindore Ortodokse. Kulti i këtij shenjtori daton që në shek. VI ndaj edhe trojet shqiptare nuk përjashtohen për shkak të besimit dhe devotshmërisë së vjetër ndaj krishtërimit.
Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë. Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.
Rruga Press