Opinion/Aktualitet

Rekuiem për Jonadën dhe çfarë mësuam nga kjo vrasje

Shkruan Aurora Velaj

Vrasja e vogëlushes Jonada Avdia të martën, tek po lozte në breg të detit i lëndoi zemrat e të gjithë shqiptarëve shumë fort. Të gjithë po vajtojmë! Të gjithë e dimë se Jonada u largua nga jeta padrejtësisht, për shkak të paftësisë dhe papërgjeshmërisë së një funksionari shteti. Teksa familja, në vend që të ishte me pushime në plazhin e bukur të Potamit, sot ka hapur dyert e mortit, dhe i japin vogëlushes së tyre lamtumirën e fundit. Ndërsa Potani, sot është braktisur dhe në vend të buzëqeshjes së Jonadës flokëartë, pranë vendit ku ajo qëndroi me familjen e saj, janë vendosur lule. 

Nuk kanë kaluar as 20 muaj nga një tjetër vrasje që po aq fort i indinjoi shqiptarët, ajo e Klodian Rashës, të riut 25 vjeçar i cili u vra në Tiranë nga një efektiv i Policisë së Shtetit, më 8 dhjetor 2020. Të dy këto përjetime tragjike për të gjithë kombin shqiptar, kanë ndodhur brenda një afati shumë të shkurtër kohor dhe shkatarët janë fuksionarë të shtetit, në pikun e paaftësisë dhe papërgjeshmërisë.

Por nuk mbaron me kaq cikli i vrasjeve ku shteti është përgjegjës i drejtpërdrejtë, i cili ka treguar paaftësi dhe jofunksionim të strukturave, si për parandalimin e shumë vrasjeve të ndodhura, ashtu edhe me mospërgjeshmërinë e plotë, duke mos i vënë vrasësit para drejtësisë së merituar edhe kur vrasjet ndodhin. 

Vetëm dy ditë më parë, në Laç u bë një protestë e madhe për heshtjen e shtetit për vrasjen e katër personave në qarkun e Kurbinit brenda 10 ditëve të fundit.  “Liria është e shtrenjtë, por vdekja edhe më shumë”, thërrisnin me të madhe ata, por kush i dëgjonte? ASKUSH!

Lexo më shumë  Zgjedhjet në MV na rikthejnë tek epoka e Bogdanit

Edhe vrasjet brenda familjes do mund të reduktoheshin ose parandaloheshin në shumë raste. Të kujtojmë këtu vrasjen e 23 vjeçares Sabrina Bengaj, në 11 shtator 2011, në pragun e shtëpisë, e cila mund të ishte parandaluar, pasi vrasësi, bashkëshorti i të ndjerës, ishte dënuar më parë për dhunë. Po ashtu edhe vrasja e Xhuliana Topallit, që u vra me kallashnikov nga burri i saj, apo e Valentina Mamaj Vruzhit, 50 vjecares së mirë që vdiq nga duart e burrit, në Fier, apo Jetlira Elezi, së fundmi në Elbasan. Dhe vargu i vrasjeve vetem vazhdon dhe rritet. Sipas World Population review, Shqipëria renditet midis vendeve me numër më të lartë të vrasjeve në Evropë, gjatë vitit 2021 e deri tani, ndërsa interesi i shtetit karshi tyre sa vjen e zvogëlohet.

Ndëkohë saga e vrasjeve mes bandash dhe larje hesapesh, ka gjakosur rrugët e Shqipërisë dhe duket se nuk ka për të marrë ndonjëherë fund, nga ana tjetër shkalla e lartë e papunësisë në Shqipëri, i shtynë të rinjtë gjithnjë e më shumë ose të largohen nga vendi ose t’i hyjnë rrugës së krimit. 

Çdo veprim ka një pasojë, por edhe çdo mosveprim ka një pasojë gjithashtu, dhe çdo gjë është e lidhur me çdo gjë. Në këtë rast, mosvënia në zbatim e ligjit, ka sjellë si pasojë që strukturat shtetërore të mos funksionojnë dhe si pasojë hallkat e shtetit të mos fuksionojnë. Ka tridhjetë vite që po punohet në mënyrë sistematike që hallkat e shtetit të mosfuksionojnë.   

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Dhe kemi arritur këtu tani, kur në ditë me diell, aty ku duhet të ishte një vend i sigurt, siç është bregu i detit për fëmijët, të na i vrasin vogëlushët nga pakujdesia, mosnjohja e rregullave dhe e ligjeve apo mosçarja e kokës nga ana e përfaqësuesve të shtetit karshi qytetarëve të vet.

Dhe kështu e humbën vogëlushen, Jonadën, e cila sapo kishte çelur si lule e bukur dhe mezi priste të rritej. Kështu kemi humbur jetë nga ditët tona çdo ditë me shpresën se gjërat një ditë do shkojnë mirë në Shqipëri. Dhe do vazhdojmë të humbim ditë nga jetët tona nëse hidhërimi (shkakun) nuk na kthehet në revoltë (pasojë). Dhe veprimet tona të bëra me koshiencë dhe të bashkuar, t’i kthejmë në një pasojë që t’u kushtojë shtrenjtë atyre që e shkaktuan këtë tragjedi.   

Dhimbën duhet ta kthejmë në forcë, e forcën në veprim, pa qenë nevoja të na thërrasin politikanë të tjerë të dështuar në mitingjet e tyre. Populli ynë ia ka treguar gjithmonë vendin të ligut, të padrejtit, pushtuesit dhe grabitqarit historikisht! Është koha ta tregojë edhe tani!    

Rekuiem për Jonadën e vogël!

Jonada ishte shumë e vogël që të mësonte mësime nga jeta, ajo erdhi si ëngjëll dhe iku si e tillë nga kjo botë. Por ajo na dha ne të rriturve një mësim shumë të mirë!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *