Rekord betonizimi në 2022, Veliaj dha mbi 1.8 milionë m2 leje ndërtimi në Tiranë
Në vlerë, ndërtimet në Tiranë vlerësohen nga INSTAT rreth 63 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro.
Ritmi i ndërtimeve në kryeqytet ka vijuar me ritme të larta në vitin 2022 dhe kjo tendencë pritet të vijojë.
Sipas Statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katror. Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat ë detajuara sipas qarqeve.
Rekordi u shënua në tremujorin e parë 2022, kur u dhanë leje për një sipërfaqe prej 800 mijë metrash katror, duke u përgjysmuar në të dytin (388 mijë m2) dhe duke u reduktuar ndjeshëm në të tretin (272 mijë m2). Në tremujorin e katër, sipërfaqja e dhënë u rrit sërish dhe arriti në rreth 350 mijë metra katror.
Në total, në Tiranë për gjithë vitin 2022 u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin. Në vlerë, ndërtimet në Tiranë vlerësohen nga INSTAT rreth 63 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro.
Sipas INSTAT, vitit 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në të gjithë vendin është 2.667.497 m2, nga 2.316.709 m2 miratuar në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 15,1%.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 113 miliardë lekë në vitin 2022, nga 99.2 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2021, duke shënuar një rritje prej 14%.
Vrulli pritet të vijojë në Tiranë
Vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.
Nga dhënia e lejeve të ndërtimit bashkia arkëton rreth një të tretën e të ardhurave që ajo mbledh në total nga taksat dhe tarifat.
Bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2013, ky vrull pritet të vijojë. Në vitin 2023, Nga ky zë Bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura, që përbën 34% të totalit të të ardhurave të veta të Bashkisë, duke e bërë institucionin menaxhues të kryeqytetit tepër të varur nga lejet e ndërtimit, për sigurimin e të ardhurave të veta.
Në krahasim me parashikimin e 2022-it, (që ishte 4.8 miliardë lekë) nga ky zë pritet të arkëtohen rreth 16% të ardhura më shumë, ndërkohë që pritshmëria faktike e 2022-t është 6.5 miliardë lekë, një tregues se këtë vit Bashkia ka dhënë leje përtej parashikimeve.
Edhe në 2024-n dhe 2025-n, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit./Monitor
Rruga Press