Sport

Reja: Duhet ndeshja perfekte, pas Mancinit dua të fitoj edhe unë në “Wembley”

Trajneri Edy Reja nuk pranon të dorëzohet dhe kërkon të luajë shanset e tij në sfidën me Anglinë. Në konferencën për shtyp në “Wembley” për sfidën e madhe me Anglinë, trajneri kuqezi shpreson që skuadra të bëjë një lojë të mirë dhe të marrë pike ndaj ekipit më të mirë në grup. Ai solli në vëmendje rastet e tjera kur trajnerë si Capello dhe Mancini kanë bërë surprizën në “Wembley” ndaj dhe karikon skuadrën për këtë ndeshje edhe pse e pranoi se duhet një paraqitje perfekte para Anglisë.

“Të gjithë ndeshjet in nisim për të bërë mirë, për të fituar. Anglia është skuadër me vlera të mëdha jo vetëm individuale por edhe kolektive. Duhet të bëjmë ndeshjen perfekte, të bëjmë figure të mirë dhe të bëjmë rezultat siç kemi bërë gjithmonë në këtë kompeticion”.

Anglezët kanë marrë frikë nga italianët, ndoshta do të kenë edhe nga ne?

“Uroj që fati të jetë në anën tone nesër. Kam menduar për Mancinin, ai ka treguar rrugën për të mundur anglezët, mendoja se Italia do të pësonte 3 gola por më pas luajti dhe fitoi duke e merituar Europianin. Shpresoj që të jetë edhe ogur i mirë për ne për të marrë një fitore të parë”.

Do të jetë një sfidë pjekurie, Southgate ju vlerëson shumë si një ekip kompakt. Ku duhet të kini më shumë kujdes, te forca e rivalit apo atë që duhet të bëjmë ne?

“Vlerën e Anglisë e njohim. Kam kërkuar në javë që të punojmë për ekuilibrin e skuadrës. Kemi bërë mirë por nuk mund të presim vetëm Anglinë por edhe të tentojmë. E njohim forcën tone dhe të Anglisë, janë favorite por nëse bëjmë ndeshjen tone me personalitet mund të bëjmë gjëra të mëdha. Shpresoj që lojtarët të mos kenë frikë, të luajnë ashtu siç dine dhe siç janë. Duhet të jemi perfekt 100% jo vetëm në fushë por edhe ata që mund të futen mëpas. Southgate e vlerësoj më vjen mirë për vlerësimin. Ekipi për atë që ka treguar deri tani ka bërë mirë, kemi bërë disa gabime të tepërta sidomos me Poloninë dhe pa ato gabime do të ishim këtu për të shkuar në Botëror. Nuk ka mbaruar ende por do të bëjmë gjithçka me bindje të madhe”.

Cilat janë dilemat e formacionit, si është gjendja e Brojës?

“Kam dyshime si gjithmonë, duhet të gjej ata që janë më në formë. Kam problem për të zgjedhur, shpresoj të hedh në fushë më të mirët. Broja ka qëndruar këtu për t’u kuruar dhe do të vendosim nesër nëse do të luajë, nuk do të jetë titullar dhe do të vlerësojmë para ndeshjes. Formacionin nuk mund të them asgjë sepse ua them lojtarëve para ndeshjes”.

Pse nuk bënë stërvitje në “Wembley” si zakonisht, Cikalleshi do të jetë kapiteni?

“Ishte rrugë e gjatë deri në stadium dhe gjetëm zgjidhjen më të mirë pranë hotelit ku qëndrojmë të stërvitemi. Cikalleshi kapiten? Doja të ndryshoja diçka sepse dilte gjithmonë Berisha”.

“Wembley” do të jetë “Sold Out” dhe lojtarët do të derdhin gjak në fushë, a prisni një karakter të tillë nga ekipi?

“Wembley” është tempull i futbollit dhe jam mik i Capellos që më ka treguar se çfarë është ky impiant, jam i emocionuar. Cikalleshi tregoi se skuadra do të tregojë gjithçka. Mancini ka fituar, Capello ka shënuar dhe nuk ka dy pa tre, shpresoj të bëjmë dhe ne diçka”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *