Lajme

Regjistrimi i popullsisë nis më 5 prill, për herë të parë do të përfshihen edhe komunat veriore

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2024 do të realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë proces.

Për herë të parë në regjistrim do të përfshihen edhe komunat veriore të banuara me shumicë serbe, thotë kryeshefi i Agjencisë, Avni Kastrati.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare e banesave. Tashmë kanë përfunduar trajnimet për stafin kryesor, kurse në javët në vazhdim do të trajnohen mbikëqyrësit dhe regjistruesit, duke përfshirë edhe komisionet komunale.

Instrumentet e tjera të nevojshme për regjistrim, si aplikacioni, softueri dhe pajisjet janë të gatshme, dhe nuk pritet të ketë pengesa për fillimin e këtij procesi, thotë kryeshefi i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati.

“Është me ligj, secili qytetar duhet të marrë pjesë në regjistrim, edhe do të ketë sanksione në bazë të ligjit për ata që nuk marrin pjesë. E rëndësishme është se secili qytetar mund të regjistrohet, nuk mund të ketë alibi, pasi regjistruesi e viziton tri herë. Është me ngjyrë të kuqe nëse nuk është zhvilluar intervista, kur të zhvillohet bëhet me ngjyrë të gjelbër”, thotë Kastrati.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Territori i Kosovës është ndarë në zona dhe është përcaktuar edhe numri i saktë i regjistruesve për secilën komunë, sqaron Kastrati.

“Instrumentet janë shumë të qarta, secili do ta dijë zonën e vet të regjistrimit dhe sa ekonomi i ka përafërsisht në atë zonë. Nuk presim sfida, sepse janë dy instrumente, harta digjitale dhe harta fizike e madhe, pra kufiri i zonës”, thekson ai.

Për herë të parë do të bëhet regjistrimi i banorëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Kastrati sqaron se është hapur konkursi për të gjitha komunitetet, pasi intervista do të zhvillohet në gjuhën e komunitetit.

“Nuk presim sfida madhore, mund të ketë sfida të vogla, të papritura, por ato nuk e minojnë procesin e regjistrimit, sepse procesi nëse realizohet 99 për qind, ka metoda statistika që mund të vlerësojë nëse një ekonomi nuk ka dalë, pra nuk presim sfida madhore”, thekson Kastrati.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ndonëse procesi është i fokusuar për regjistrimin e banorëve rezidentë në Kosovë, përmes disa metodave synohet edhe regjistrimi i diasporës. Të dhënat preliminare do të publikohen tre muaj pas regjistrimit, pohon Kastrati.

“Publikojmë të dhënat sa banorë i ka Kosova, sa secila komuna, ndoshta edhe disa indikatorë. Ndërsa në fund të vitit e publikojmë raportin final që tregojmë vetëm disa të dhëna, sepse do të jenë 24 publikime të ndryshme tematike”, pohon Kastrati në një intervistë për Radio Kosovën. Kosto e përgjithshme e regjistrimit të popullsisë është 12.5 milionë euro, të ndara nga Qeveria e Kosovës. Sipas regjistrimit të bërë në vitin 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion.

Rruga Press

YouTube player