Regjia dhe skenari i komunikimit publik të Hashim Thaçit! – Si u lejua ai të japë një intervistë në medie, ndërkohë që është në masa të plota sigurie në Hagë?!
Shkruan Prof. dr. Enver Bytyçi
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë këto ditë një intervistë për gazetën “Nacionale” të Kosovës. Është intervista e parë që ai jep prej asaj dite të shtatorit 2020, kur u detyrua të dorëzojë detyrën e kreut të shtetit e të niset për në Hagë, për t’iu përgjigjur akuzës së ngritur qershorin e atij viti nga prokuroria e kësaj gjykate për “krime lufte”! Por nuk do të merrem me përmbajtjen e kësaj interviste, sepse nuk është kjo kureshtja ime dhe e qytetarëve të Kosovës. Çështja ka të bëjë me faktin se si ai u lejua të japë një intervistë në medie, ndërkohë që është në masa të plota sigurie në Hagë?! Pse ndodhi kjo dhe kush e bëri të mundur një gjë të tillë?!
Akte të tilla japin gjithnjë sinjale, jo vetëm në rastin Thaçi. Leja për të dhënë intervistë është një hap i madh për të respektuar lirinë e një të akuzuari për “krime lufte” e madje të dyshuari se mund të kërcënojë dhe likuidojë dëshmitarët e procesit, siç kanë përsërit disa herë prokurorët e Gjykatës Speciale. Intervista e dhënë nuk është një akt i rastësishëm. Edhe në kushte normale një intervistë e një politikani të formatit të Hashimit funksionon e realizohet sipas një skenari dhe regjie të mire menduar.
Ndërsa në rastin konkret regjia dhe skenari shkojnë përtej redaksisë dhe gazetarit intervistues.
Në rastin konkret duhet leje. Lejen e jep vetëm kryetari i Trupit Gjykues ose prokurori. Gjyqtari në fjalë ose prokurori e ka dhënë këtë leje. Po kurioziteti lidhet me atë se çfarë ka ndryshuar tani pas tri vitesh që kur Hashim Thaçi ndodhet në qelinë e burgut të Hagës?! Pse u shfaq në publik ish-presidenti i vendit pikërisht në këtë kohë, megjithëse nën arrest?! Janë pyetje enigmë. Ndoshta nuk do të marrin kurrë përgjigjen e saktë. Por do të shohim nëse kjo intervistë në gazetën “Nacionale” do të pasohet me intervista të tjera ose jo! Do të shohim se sa herë të tjera do të sëmuren nëna dhe babai i ish-presidentit, që atij t’i krijohet mundësia të vijë në Kosovë! Dhe do të shohim se si p.sh Jakup Krasniqit nuk i sëmuret askush, asnjëherë!
Pra, bie në sy një fenomen tjetër. Nuk i gëzojnë këto privilegje tre bashkëvujatësit e ish-bashkëluftëtarët Hashim Thaçit. Nëse do të kishte arsye për të lejuar të lëshohet në intervista, kjo do t’i lejohej më së pari Jakup Krasniqit, njeriut më të pafajshëm ndër ata të katër sa i përket akuzave që ngrihen. Por jo Jakupit! Lëshime të tilla po i bëhen Hashimit. Se Jakupi nuk kërcënon lidershipin aktual të Kosovës. Këtë lidership e kërcënon vetëm Hashim Thaçi. Se Jakup Krasniqi nuk ka qenë për ndryshimin e kufijve dhe tjetërsimin e territorit të Kosovës. Për ndarjen e vendit ishte dhe mbetet vetëm ish-presidenti Thaçi.
Se Thaçi është i gatshëm të bëjë kompromiset e lëna përgjysmë me Aleksandër Vuçiç, kjo dallohet në intervistën e tij për këtë gazetë, e cila më shumë shtjellon tezat serbe për Kosovën, sesa politikat kombëtare të lidershipit të saj. Se Thaçi i qëndron besnik deklaratës së 18 gushtit 1918 në Alpbach të Austrisë, për t’i thënë të gjitha çfarë kishte projektuar me presidentin serb kundër territorit të Kosovës, kjo u duk qartë edhe në aspekte të tjera. Asnjë autoritet i Serbisë e madje asnjë medie e Beogradit nuk reagoi kundër kësaj interviste. Çka të çonte ndërmend se pjesë e skenarit dhe regjisë ishte vetë presidenti I Serbisë.
Serbia, përkundrazi, i merr në mbrojtje të gjithë analistët e politikanët pro-Vuçiç. Ndërkohë që mediet e presidentit serb nuk lenë deklaratë dhe vizitë të Albin Kurtit pa e keqinterpretuar! Duket se Thaçi dhe Vuçiç rezonojnë në mesazhet që japin. Intervista e ish-presidentit të Kosovës ishte konfirmim I gatishmërisë së tij për t’u rikthyer në misionin e para tri viteve në bisedimet me Serbinë. Hështja e Aleksandër Vuçiç është gjithashtu mesazh për ndërkombëtarët. Presidenti I Serbisë, duke heshtur në rastin e kësaj interviste e madje në rastin e arrestimit të Thaçit, ka dhënë dhe jep mesazh te aktorët perëndimorë se “Me Hashim Thaçin është i gatshëm ta mbyllë procesin e dialogut”! Sigurisht në favor të Serbisë së Madhe.
Kjo është arsyeja pse ish-presidenti i Kosovës u shfaq për herë të parë në publik. Dhe, me shumë mundësi, do ta shohim atë edhe herë të tjera në krah të opsioneve serbe për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi! Në këto kushte lidershipi i Kosovës duhet të jetë vigjilent. Kurrë më në pushtet ata që punuan për ndarjen e Kosovës! Kurrë më afër politikës e në politikë këta njerëz që duan ta shkatërrojnë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës!
Rruga Press