Reagimi i BE-së për zgjedhjet, Kallas dhe Kos: Kosova ka treguar angazhim për parimet demokratike
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë më 9 shkurt 2025.
Në deklaratë thuhet se populli i Kosovës ushtroi të drejtën e tij demokratike duke votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare, gjersa rikujtojnë se Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision Vëzhgues Zgjedhor (MVZ) i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore si dhe për të nxjerrë rekomandime.
“Sipas konstatimeve preliminare, zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa është zbatuar ligji i ri zgjedhor. Fushata ishte e ‘gjallë’. Procesi i përgjithshëm tregoi qëndrueshmëri dhe angazhim ndaj parimeve demokratike”, thuhet në deklaratë.
“Ne presim me padurim formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën për t’iu afruar BE-së dhe për të përfituar plotësisht nga mundësitë e rëndësishme si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen për bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane. Kosova pritet të zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Nuk ka alternativë për Dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Kaja Kallas dhe Marta Kos.
Tutje në deklaratë rikujtohet se Kosova ka dorëzuar një aplikim për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.
“Komisioni mbetet i disponueshëm për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo ta kërkojë Këshilli”, thuhet në deklaratë
Rruga Press