REAGIM ndaj deklaratës publike të Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës (RRGGK)
Shkruan Sami Kurteshi
Në deklaratën publike të datës 12 mars 2025, ndër të tjera RRGGK shkruan:
“Sami Kurteshi, gjatë intervistes me gazetaren e Nacionales, Besarta Hoti.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës shpreh shqetësim të thellë për përdorimin e gjuhës seksiste nga Kurteshi, posaçërisht shprehja “ta hangsha loçkën,” e cila është poshtëruese dhe krejtësisht e papërshtatshme në çdo kontekst. Kjo lloj gjuhe përforcon një kulturë misogjiniste dhe seksiste, duke krijuar një mjedis të pasigurtë për gazetaret.”
Në këtë rast, për të arsyetuar deklarimin publik të detyrueshëm nga bosat e tyre kriminelë, RRGGK shkruan dy të pavërteta, që janë gënjeshtra.
Gënjeshtra e parë, unë nuk i kam dhënë kurrë intervistë një gazetareje me emrin e lartëcekur, të cilën as e kam njohur dhe as e njoh edhe sot. Aq më pak lejoj të “intervistohem” për një altoparlant kriminal përbaltës e dezinformues me titullin “Nacionale”. Përcjellja/ndjekja nga një grua e re me mikrofon në dorë dhe kamerë, as është gazetari dhe as intervistë, por është veprim i poshtër me qëllim përbaltjeje e denigrimi.
Gënjeshtra e dytë, e neveritshme, fyese e me qëllim denigrues, është shprehja “ta hangsha loçkën,”.
Se unë ju paskam drejtuar me një shprehje të këtillë, është gënjeshtër e llojit më të poshtër që përdorë RRGGK, një përpjekje skajshmërisht e ulët për cenim të dinjitetit të njeriut. Kurrë nuk e përdor unë këtë shprehje me njerëzit e panjohur. Unë kam njerëzit e mi të dashur, loçkat e zemrës sime! Por personi i cituar me emër e mbiemër nga RRGGK, nuk i takon këtij rrethi të njerëzve, sikurse edhe asnjë nga të RRGGK.
E sa për “kulturë[n] misogjiniste dhe seksiste”, që përpiqet ta vë në fjalorin dhe qëndrimin tim RRGGK, unë kujtoj se pikërisht RRGGK, me shërbimin që i bën kapitalit financiar nga krimi i organizuar i padronëve të tyre kriminelë, është bartëse besnike e “kulturë[s] misogjiniste dhe seksiste”, e mendësisë shtypëse patriarkale ndaj gruas në përgjithësi, që ndihmon për të “krijuar një mjedis të pasigurtë për gazetaret.” në veçanti.
Kapitali financiar nga burime të kriminalizuara, si kategori ekonomike publike e mbizotëruar absolutisht nga burrat e kriminalizuar, të cilit i shërbejnë me apo pa vullnet e dëshirë, edhe “gazetaret” e lidhura në e nga RRGGK, është thelbi dhe burimi i “kulturë[s] misogjiniste dhe seksiste”, i shtypjes patriarkale të gruas, që “krij[on] një mjedis të pasigurtë për gazetaret.”
Për fund, si gazetare që e konsiderojnë veten, le të hulumtojnë burimin dhe prejardhjen e kapitalit/mjeteve financiare të cilit i shërbejnë, ndoshta ndërgjegjësohen sadopak për “kulturë misogjiniste dhe seksiste” që “krij[on] një mjedis të pasigurtë për gazetaret.”
Rruga Press