Lajme

Raporti: ‘Qeverisja e hapur’ e Edi Ramës mbetet një projekt në letër

Qeveria shqiptare prej vitesh trumbeton nisma që synojnë hapjen e saj ndaj publikut, por angazhimet kanë mbetur në letër pa arritur të japin efekte të prekshme për qytetarët, sugjeron një raport monitorimi i nismës “Partneriteti për Qeverisje të Hapur”.

Raporti i referohet angazhimeve të qeverisë për vitet 2020-2022 në kuadër të detyrimeve ndaj nismës “Partneriteti për Qeverisjen e Hapur” – një nismë globale e inicuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i bërë qeveritë më transparente, llogaridhënëse dhe efektive.

Angazhimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare lidhen me parandalimin e korrupsionit, ngritjen e regjistrit të pronarëve përfitues fundorë, adoptimin e planeve të integritetit brenda ministrive si dhe zgjerimin e aksesit në ndihmë ligjore.

Por siç konkludojnë edhe ekspertët e pavarur, i gjithë procesi i angazhimit ka qenë më shumë formal dhe nuk ka reflektuar problematikat e vërteta të vendit apo të mundësojë gjithpërfshijen e shoqërisë civile në këto procese.

Shqipëria është anëtare e “Partneritetit për Qeverisje të Hapur” që prej vitit 2011 dhe akualisht po zbaton planin e gjashtë kombëtar. Megjithatë, në dy cikle radhazi, vendi ka dështuar të plotësojë standardet minimale të kërkuara sa i përket angazhimit të organizatave të shoqërisë civile në planet për qeverisjen e hapur.

Sandra Pernar, koordinatore e lartë rajonale për Europën e “Partneritetit për Qeverisje të Hapur” i tha BIRN se problemet u tejkaluan në vitin 2022, pasi ministrja asokohe e shtetit, Milva Ekonomi ndërmori hapa për të plotësuar kriteret e nevojshme. Megjithatë, pasi Ekonomi humbi portofolin gjatë ndryshimeve në qeveri tetorin e vitit të kaluar, mbetet ende e paqartë se kush do ta drejtojë këtë proces.

“Angazhimet e këtij plani veprimi [2020-2022] ishin më të theksuara dhe mbulonin një gamë më të gjerë politikash krahasuar me planin e mëparshëm,” tha Pernar për BIRN, ndërsa shtoi: “Megjithatë, qeveria vazhdoi të replikonte strategjitë ekzistuese në angazhime me pak kontribut nga shoqëria civile”.

“Për më tepër, shumë angazhime përfshinin piketa që kishin filluar tashmë zbatimin përpara se të finalizohej plani i veprimit dhe rezultuan në angazhime që nuk kishin ambicie,” shtoi ajo.

Qeverisje e mbyllur  

Anëtare prej vitit 2011 e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, OPG, Shqipëria ia doli të ngrinte një mekanizëm të pavarur për monitorimin e realizimit të angazhimeve vetëm në fund të vitit 2022.Sipas raportit për planin e monitorimit 2020-2022, vetëm pesë nga nëntë angazhimet e ndërmarra ishin plotësuar. Gjithsesi, edhe impakti i angazhimeve të plotësuara vlerësohet se ka qenë margjinal.

Lexo më shumë  Osmani: Në Këshill të Sigurimit e thash vetëm të vërtetën që Serbia s’mund ta mohoj

Fushat ku qeveria ka ndërrmarrë angazhime kanë të bëjnë me antikorrupsionin, qeverisjen digjitale, aksesin në drejtësi dhe transparencën fiskale.

“Raporti i vetëvlerësimit të qeverisë në fund të mandatit përmbante pak prova për përfundimin e shumë angazhimeve,” vlerëson raporti. “Megjithatë, është shumë herët për të përcaktuar nëse planet e integritetit kanë çuar në ndryshime institucionale rreth parandalimit të korrupsionit,” thekson raporti.

Përfshirja e shoqërisë civile vlerësohet e ulët, ndërsa në rastet kur angazhimet patën rezultate, ato u zbatuan në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, është njëra prej organizatave të përfshira në këtë proces duke dhënë kontribut konkret në hartimin e planeve të integritetit si një angazhim në luftën antikorrupsion. Sipas Rovena Sulstarovës, menaxhere e programit të Qeverisjes në IDM, ky objektiv mbetet pjesërisht i përmbushur dhe nuk ka ende një vlerësim për impaktin e këtyre instrumenteve në parandalimin e korrupsionit.

“Përveç 11 ministrive të linjës (6 prej të cilave janë bërë me asistencën e IDM)  që kanë të hartuar dhe miratuar këtë instrument, institucionet e varësisë te tyre nuk kanë plotësisht  të miratuar një plan integriteti,” tha Sulstarova.

“Edhe ne nivelin e qeverisjes vendore, 24 bashki nga 61 bashkitë e vendit aktualisht kanë të hartuar dhe miratuar një plan integriteti,” shtoi ajo.

Arjola Agolli nga organizata “Partners Albania” e quan zhvillim pozitiv hartimin e këtyre planeve, por sipas saj, mbetet i paqartë monitorimi i impaktit të tyre në këto institucione.

“Vënia në zbatim, monitorimi dhe raportimi mbi zbatimin e planeve përkundrejt treguesve të matshëm, mbetet e nevojshme të realizohet. Vetëm në këtë mënyrë mund të identifikohet dhe vlerësohet nëse krijimi i tyre ka cuar në ndryshime institucionale rreth parandalimit të korrupsionit apo jo,” i tha Agolli BIRN-it në një analizë të zbatimit të angazhimeve të qeverisë shqiptare për qeverisjen e hapur.

Matja e nivelit të qeverisjes së hapur varet nga shumë faktorë, sugjeron Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Sipas tij, përkundër aspekteve dokumentare dhe vizuale për qeverisje të hapur, në fakt ka një stanjacion në këtë aspekt dhe transparenca nuk shihet si detyrim kushtetues ndaj taksapaguesve.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

“Janë shtuar rastet e kontratave sekrete, është shtuar numri i prokurimeve me flamur të kuq, që do të thotë se ka më pak konkurencë, janë shtuar rastet e emërimeve me konkurse fiktive e kështu me radhë, që tregojnë një qeverisje më të mbyllur,” tha Preçi për BIRN.

Pa mekanizma kontrolli

Përfshirja e shoqërisë civile në zbatimin e planeve të veprimit për qeverisje të hapur konsiderohet një element kyç për rezultate konkrete. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile i thanë BIRN se shoqërisë civile i mungon një mekanizëm i mirëfilltë kontrolli për nivelin e zbatimit të masave nga ana e qeverisë.

Arjola Agolli nga “Partners Albania” thotë se qeverisë i mungojnë raportet periodike mbi impaktin e planeve të veprimit si dhe një plan i qartë monitorimi me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe grupeve të interesit, ku përfshihet edhe shoqëria civile.

“Përfshirja e vetme është dërgimi për konsultim në momentin e miratimit të planit dhe të raportit respektiv,” tha Agolli, duke sqaruar se edhe në këto raste nuk është e qartë se cilat organizata përfshihen.

Zef Preçi mendon se përfshirja në program është një mundësi e mirë për të mësuar, por nuk është shfrytëzuar për këtë qëllim. Sipas tij, qeveria nuk ka shfrytëzuar burimet ekzistuese për hartimin e angazhimeve, të tilla si raportet e organizatave vendase apo atyre ndërkombëtare.

“Në vend që të eksplorohet mjedisi i brendshëm, ecet me një listë amorfe pa prioritete dhe planet e veprimit bëhen ‘web-based’, nuk janë reflektim i problematikave që ka vendi,” tha Preçi.“Por qeveria vazhdon me të njëjtin mënyrë, merr nga interneti dhe vendos aty sa për sytë e ndërkombëtarëve,” shtoi ai.

Pernar nga Partneriteti për Qeverisje të Hapur i tha BIRN se pjesmarrja e shoqërisë civile  është një garanci për sukses dhe kjo del qartë sipas saj nga dëshmitë e 170 raporteve të këtij mekanizmi.

“Roli i organizatave të shoqërisë civile është i drejtpërdrejtë në këtë proces nëpërmjet ‘Mekanizmit të Pavarur të Raportimit’, theksoi Pernar.

“…dialogu dhe pjesëmarrja e vazhdueshme e palëve të interesuara gjatë procesit të zbatimit është shumë e ndërlidhur me nivele të larta të përfundimit dhe rezultate më të forta,” përfundoi ajo.

Rruga Press

YouTube player