Lajme

Raporti i Kongresit amerikan: Edi Rama shpenzoi mijëra dollarë në hotelin e Trumpit

Midis viteve 2017-2020, kryeministri shqiptar, Edi Rama, këshilltarët e tij dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri shpenzuan rreth 6 mijë USD në hotelin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Uashington.

Detajet specifike të shpenzimeve janë pjesë e një raporti prej 156 faqesh të titulluar: “Shtëpia e Bardhë në shitje”, i përgatitur nga anëtarët të demokratëve të Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. Raporti i cilëson pagesa të tilla si përpjekje për të ndikuar mbi ish-presidentin e SHBA-ve.

Duke përdorur dokumente të siguruara nëpërmjet një beteje ligjore nga kompania ‘Mazars’, raporti detajon shpenzimet e zyrtarëve të huaj në favor të bizneseve të presidentit Trump, të cilat në total kapin një vlerë prej 8.7 milionë USD.

Duke i ngritur interesat e tij personale financiare dhe prioritetet politike të fuqive të huaja të korruptuara mbi interesin publik amerikan, ish-Presidenti Trump ka shkelur, si urdhëresat e qarta të Kushtetutës ashtu edhe precedentin e kujdesshëm të vendosur dhe të respektuar nga çdo president i mëparshëm në krye,” shkroi në një hyrje të raportit përfaqësuesi Jamie Raskin i Maryland, demokrati kryesor në Komitetin e Mbikëqyrjes.

Sipas raportit, në janar dhe mars të vitit 2018, këshilltarët e Ramës, Dorjan Duçka, Endri Fuga dhe Keisi Seferi shpenzuan secili mbi 1,000 USD. Vetë Rama shpenzoi 1,158 USD gjatë një vizite në mars 2018. Gjithashtu, Damian Gjiknuri, atëherë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, shpenzoi për një qëndrim prej 1,025 USD në qershor 2018.

Shpenzimet përkojnë me një periudhë të trazuar në politikën shqiptare që erdhi pas zgjedhjes në detyrë të presidentit Trump.

Në atë kohë, Partia Demokratike e Shqipërisë në opozitë, e udhëhequr nga Lulzim Basha ndërmori një fushatë që përkonte me retorikën e Trump [Bëjeni Shqipërinë të madhe sërish] dhe i akuzoi socialistët me në krye Edi Ramën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri u karakterizuan nga bojkotet, protestat dhe akuzat për manipulim të votave.

Lexo më shumë  Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Sipas raportit, përplasja politike lokale në Tiranë u transferua në një përpjekje përtej oqeanit nga PD dhe PS për të influencuar administratën Trump nëpërmjet lobimit.

Partia Socialiste e Ramës punësoi lobistin Brian Ballard, një mbledhës fondesh i shquar për Trump dhe lobist në Uashington, kundrejt një tarife prej për 20 mijë USD në muaj. Rivali i tij politik, Basha, angazhoi Nicholas Muzin, një ish-ndihmës i Senatorit Ted Cruz dhe këshilltar i fushatës së Trump.

Nëpërmjet lobisitit Nicholas Muzin, kreu i Partisë Demokratike Luzlim Basha arriti të siguronte një foto me Donald Trump dhe e përdori atë gjerësisht në fushatën për zgjedhjet parlamentare ne vitin 2017, ku ai rezultoi i pasukseshëm.

“Fakti që politikanët e huaj mund të marrin një takim, të bëjnë një shtrëngim duarsh dhe të bëjnë një foto që shpërndahet gjerësisht në vendin e tyre – kjo është me shumë vlerë për ta,” vlerëson raporti, duke cituar një lobist amerikan. “Ata do të bënin pothuajse çdo gjë për ta arritur këtë.”

Sipas raporti të Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama në hotelin e Trump në Uashington me datë 3 dhe 4 mars 2018, lidhet me një takim me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, ndaj të cilit u ngritën akuza nga prokurorë Federalë për mosdeklarimin e marrëdhënies me Ramën dhe oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Gjithashtu, McGonigal akuzohet se përfitoi qindra mijë dollarë në cash nga një biznemen shqiptaro-amerikan nga Nju Xhersi, Agron Neza – i lidhur me këshilltarin e Edi Ramës, Dorian Duçka.

“Departamenti i Drejtësisë [në SHBA] përcaktoi se zoti McGonigal kishte udhëtuar më parë në Shqipëri për të takuar zotin Rama disa herë dhe, deri në takimin e 4 marsit, zoti McGonigal kishte marrë 225 mijë USD në pagesa cash nga zoti Neza,” shkruan raporti.

Lexo më shumë  KEDS: Filloi instalimi i njehsorëve smart në veri

“Gjithashtu, pretendohet se zoti McGonigal kishte kaluar informacione potencialisht dëmtuese rreth zotit Muzin—lobisti amerikan për kundërshtarin kryesor të zotit Rama—nga zyra e zotit Rama tek zyrtarë të tjerët në SHBA,” shton raporti.

Sipas prokurorëve federalë në SHBA, Edi Rama ka darkuar me Charles McGonigal dhe Agron Nezën me 4 mars 2018 në hotelin Trump në Uashington. McGonigal është deklaruar fajtor për fshehjen e aktivitetit të tij në favor të kryeministrit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi ta frekuentonte hotelin ndërkombëtar Trump në Uashington, gjatë vizitës së tij në Mars 2018. Gjatë dy netëve, Rama dhe ndihmësit e tij shpenzuan 3,474 USD në hotel. Ata qëndruan në të njëjtin kat me Agron Nezën. Nuk ka asnjë të dhënë që McGonigal të ketë qëndruar në Hotelin Ndërkombëtar Trump gjatë kësaj periudhe.

Ndërsa, Dorjan Duçka, një tjetër këshilltar i Ramës i pëfolur në çështjen McGonigal, rezervoi katër dhoma gjatë dy netëve në Hotelin Ndërkombëtar Trump në Uashington, më 18 dhe 19 Janar 2018, me një kosto prej 1,503 USD.

Të dhënat e siguruara nga kongresmenët e SHBA, tregojnë gjithashtu se ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka qëndruar gjithashtu në Hotelin Ndërkombëtar Trump në Uashington nga 24 qershor deri më 26 qershor 2018, duke shpenzuar 1,025.66 USD.

Përveç qeveritarëve shqiptarë, edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe këshilltarët e tij kanë shpenzuar gati 5 mijë USD në Hotelin Ndërkombëtar Trump në Uashington./ Nga Besar Likmeta BIRN

Rruga Press

YouTube player