Raporti i Europol: Mafia shqiptare e lidhur me kartelet e Amerikës Latine
Agjencia evropiane për zbatimin e ligjit në BE, Europol, ka publikuar raportin e dytë për rrjetet kriminale që kërcënojnë Bashkimin Evropian.
Dy vite pas publikimit të raportit të parë “Dekodimi i rrjeteve kriminale më kërcënuese të BE-së”, Europol sjell një tjetër panoramë të grupeve kriminale, ku rrjetet shqiptare zënë një rol të rëndësishëm.
Në raport theksohet se rrjete kriminale shqiptare janë vendosur në Amerikën Latine dhe vazhdojnë të përfitojnë nga lidhjet e tyre me kartelet e drogës.
Sipas vlerësimit të Europol, këto rrjete kanë kapacitete për të organizuar transportimin e dërgesave shumëtonëshe të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Në mesin e krimeve të analizuara janë edhe aktivitetet financiare, ku mashtrimet përmes qendrave telefonike në Shqipëri zënë një vend të rëndësishëm në raport.
Roli i rrjeteve shqiptare në Amerikën Latine
Në raport thuhet se ‘Ndrangheta ka krijuar rrugë të gjera të trafikut të kokainës në Amerikën Latine dhe përdor rrjete kriminale shqiptare për të mbikëqyrur marrëveshjet në terren.
Si pasojë, kjo organizatë ka arritur të krijojë një pozitë dominuese në trafikun e drogës nga Amerika Latine, duke kontrolluar procesin kriminal nga burimi deri te shpërndarja përfundimtare.
Sipas Europol, disa rrjete kriminale shqiptare janë vendosur në Amerikën Latine dhe vazhdojnë të përfitojnë nga marrëdhëniet e tyre me kartelet e drogës.
Edhe rrjete të tjera kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë zgjeruar pjesëmarrjen e tyre në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Rrjet shqiptar i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave
Një rrjet kriminal shqiptar, i organizuar mbi baza klanore, merrej me trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.
Raporti thotë se ky rrjet organizonte dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Evropës, duke operuar në shkallë globale.
Për realizimin e këtyre transporteve, rrjeti bashkëpunonte me organizata të tjera kriminale brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian.
Udhëheqësi i këtij rrjeti koordinonte dërgesat nga vende të ndryshme duke përdorur mjete komunikimi të koduara.
Rrjet kriminal i lidhur me kartelin “Los Lobos”
Një rrjet i trafikut të drogës, i lidhur me kartelin ekuadorian Los Lobos, ishte objekt i një hetimi ndërkombëtar.
Sipas raportit, rrjeti drejtohej nga një person i konsideruar objektiv me vlerë të lartë për autoritetet.
Ai përdorte kompani eksporti frutash si mbulim për aktivitetet ilegale, duke fshehur drogën brenda ngarkesave të ligjshme.
Sinjalizimet për kontejnerë të dyshimtë çuan në kontrolle dhe sekuestrime në portet kryesore evropiane.
Raporti thekson se rrjeti ekuadorian bashkëpunonte me një rrjet kriminal shqiptar.
Anëtarët e këtij rrjeti shqiptar udhëtonin rregullisht në Ekuador për të negociuar marrëveshje, ndërsa qeliza kriminale në vende të ndryshme evropiane merreshin me logjistikën dhe shpërndarjen e drogës.
Qendra telefonike në Shqipëri të përfshira në mashtrime investimesh
Europol përmend gjithashtu një rrjet kriminal të përfshirë në skema të mashtrimeve online në shkallë të gjerë, i cili operonte disa qendra telefonike në Shqipëri.
Këto qendra ishin të organizuara në mënyrë profesionale, me ndarje të qartë të detyrave mes ekipeve të specializuara, të koordinuara nga drejtues ekipesh dhe menaxhmenti i lartë.
Në total, këto qendra punësonin rreth 450 persona.
Reklamat në rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit promovonin platforma investimi që paraqiteshin si të ligjshme.
Viktimat kontaktoheshin nga punonjësit e call center-ëve, shpesh në gjuhën e tyre amtare, me qëllim fitimin e besimit. Pas regjistrimit në platforma, ata bindeshin të transferonin shuma të tjera parash.
Sipas raportit, viktimat ndodheshin në vende të ndryshme të Evropës dhe në pjesë të tjera të botës, ndërsa dëmi financiar total vlerësohet në të paktën 50 milionë euro.
Ky rrjet kriminal u shkatërrua në vitin 2026 pas një hetimi ndërkombëtar që zgjati dy vite.
Rruga Press

