Ramë Lahaj vjen me këngë dedikuar nënës së tij: Nanë nuk m’prite as mu, as kangën (VIDEO)
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj sjell një version të ri të këngës “Për mu paska ken’kismet”, nën dirigjimin e Gridi Krajës dhe shoqëruar nga Orkestra Filharmonike e Maqedonisë.
Përmes një shkrimi në Facebook ai këtë këngë thotë se ia dedikon nënës së tij të ndjerë.
Noftimi i tij i plotë:
Në ato netët e rralla të viteve të fundit, kur jemi ulë me pa televizor bashkë si dikur, kur u mbledhshim mas darke e sigurisht unë kryet n’prehnin tand, televizori e dha kangën “Për mua paska ken’kismet ” ja rrite zanin e me the “fort e du qet kangë”.
E kisha majtë shënim me ta knu por dojsha me konë një datë e rëndësishme për ty e mue, për ne. U gëzova fort që ma ne fund i erdh reni kësaj vere me rastin e krijimit te festivalit, platformës së edukimit të gjeneratës se re, projekt ky që fort më gëzoj e ma shumë më idhnoi.
Nanë nuk m’prite as mu, as kangën. Por unë ty kangën ta knova edhe natën e frymës tande të fundit, e kam me vazhdue me t’knu edhe atëhere kur të më shteron zani.
Se me zanin tand jam rritë, me zanin tand zgjohem edh sot e kësaj dite.
Je zani i jetës e motivit, për të vazhdu para, za qe nuk shteron kurrë, nanë.
Gabeli jot!
Kujtojmë se mbajtja e koncertit “Ramë Lahaj & Friends” në sheshin Skëndërbeu në Prishtinë, më datën 7 gusht 2021, nuk u realizua gjerë në fund siç kishte paralajmëruar tenori shqiptar, pasi që gjatë asaj dite atij i kishte vdekur nëna dhe kjo ka qenë arsyeja që e ndërpreu koncertin në gjysmë.


