Opinion/Aktualitet

Rama, zëdhënësi i dështuar i Vuçiqit / Fillon rrëzimi i Beogradit në Tiranë

Nga Idriz Morina

Edi Rama po mundohet ta paraqet Serbinë para botës si një shtet, që po ecën përkrah Perëndimit duke e kundërshtuar pushtimin e Ukrainës.

Rama, qartazi po e luan rolin e zëdhënësit të Vuçiqit dhe Serbisë, një rast i paprecedent, që një shtet me armiqësi të gjatë me Serbinë për shkak të krimeve që ka kryer ndaj shqiptarëve, pushtimeve të territoreve shqiptare, vrasjeve masive, dëbimit masiv, disa gjenocideve të kryera, dhe që veçse anashkalon qëllimisht këto histori, gënjen për një shtet dhe një sistem edhe aktualisht autokrat. Politika e tij pro serbe është e papranueshme.

Rama në panik

Në ndërkohë, pakënaqësia ndaj Edi Ramës ka filluar të rritet. Kriza e filluar ekonomike, ende pa u rimëkëmbur nga pandemia, tashmë po bëhet problem i madh.

Duke parë tufanin, Rama ka filluar të kalojë në ‘kundërsulm’, duke takuar biznese nga më të ndryshme, dhe duke folur pa ndalur para tyre, si papagall, pasi nuk i lejon të tjerët thuajse fare të flasin, po mundohet t’i rikuperojë humbjet e pësuara në imazhin publik.

Për këtë qëllim, duke pasur një mori mediash përkrah vetes, ai po përpiqet ta sfidojë kohën, rrjedha e pamëshirshme e së cilës, duket se do ta shkatërrojë fuqishëm.

Zakonisht njerëzit e tillë në politikë nuk shkatërrohen nga vetë demokracitë, por nga fati, zhvillimet e papritura në jetë.

Vërshimet e shqiptarëve në protesta, madje si po konsiderohen, pa një mbështetje partiake, shkaktojnë frikë dhe huti tek Rama.

Duke e ditur Rama, se kjo është vetëm vala e parë goditëse e krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ndërsa priten goditjet e reja, veçanërisht për shkak të vazhdimit të sanksioneve ndaj Rusisë, dhe efekteve të tjera të vetë luftës, ai ndodhet në panik.

Por, e keqja e këtij paniku është se sa më shumë që Rama ndodhet në krizë, ai do të përpiqet të mbahet për Serbinë, dhe publikisht siç bënë për presidentin e saj Vuçiqin.

Lexo më shumë  Fjalimi më antidiplomatik i kryeministrit të Shqipërisë

Tronditjet e tregjeve

Derisa në luhatjen e madhe të tregut, me fillimin e pushtimit të Ukrainës, dhe vendosjes së sanksioneve, çmimi i naftës ‘fluturoi’ sa kaq, në mbi 2.2 euro për litër, dhe ndërsa nuk arriti ta mbajë, edhe pse reagoi me vonesë nën 2 euro, përkatësisht nën 1.8 euro (203 lekë). Ndërkohë që çmimi i naftës ra në bursa, thuaja në çmimet e para luftës në Ukrainë, ai nuk u tregua i zoti, që t’i bënte tregtarët e naftës ta ulnin çmimin, sipas lëvizjes së çmimit në bursë, pavarësisht se kur e shtrenjtuan, e rritën më shumë se sa vetë tregtimi virtual në bursa.

Kështu sërish ai ka lëshuar pe, dhe çmimi i naftës u rrit në 221 lekë, pra për 18 lekë, apo për 15 cent, ndërsa çmimi i benzinës u rrit vetëm për 6 lekë, nga 206 në 211 (nga nesër fillon tregtimit me këto çmime në Shqipëri, deri në vendimin tjetër). Kjo ndodhi sapo çmimi u rrit për një javë nga rënia në rreth 92 dollarë për fuqi, në rreth 110 dollarë për fuqi, sot.

Pra, çmimet po rriten pa ia dalur që Qeveria të ushtrojë ndonjë kontrollë, duke mos ia dalur ta shmang spekulimin e tregut.

Po ashtu produktet ushqimore, do ta shtrenjtojnë jetën tonë, pasi vetë lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj në Rusi, do të krijojnë presione të reja në tregun ushqimor, përkatësisht të drithërave, dhe më tej në gjithë zinxhirin e prodhimeve ushqimore.

Po ashtu çmimet e naftës dhe të energjisë do të vazhdojnë të rriten, sikurse edhe të metaleve, siç tërheqin vërejtjen ekspertët e ekonomisë, ndërsa shtetet e dobëta, nuk do të jenë të gatshme ose do ta kenë të pamundur kontrollin e tyre.

‘Deliri’ i Putinit

Përdorimi i armëve hipersonike nga Rusia, nëse ato nuk do t’i rrëzohen nga armatimi perëndimor i ofruar për Ukrainën, do të jenë shpresa ku do të lundrojë ‘deliri’ i Putinit. Për aq kohë sa lufta bëhet më e ashpër, rreziku nga sprovimi i çmendurisë së Putinit do të rritet, bashkë me rrezikun për një sulm bërthamor.

Lexo më shumë  Portret i Le Monde/ Rama, kryeministri tepër mediatik i Shqipërisë

Derisa për këtë të fundit, Shqipëria e ka shpresën tek bunkerët, po mungesa e ushqimeve dhe kushtet e papërshtatshme për ruajtjen e tyre, nuk japin shumë shpresë, në skenarin më të keq.

Por, Rama, do të mbahet dhe duhet të mbahet përgjegjës për dështimet e deritanishme, dhe drejtimin e ‘varkës, për limanin e gabuar, ‘portin e Beogradit’!

Do të jetë tepër e vështirë të shërohen plagët e shkaktuara deri më tash nga qeverisja Rama.

Por, shpresat janë se Shqipëria, dhe fati i shqiptarëve po merr kthesë dramatike për të mirën e shqiptarëve.

Lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë, ia bëri të qartë Perëndimit, se çka nuk funksionon në kulturën ruse, pra nisur nga sistemi politike dhe më tej.

Lufta e Ukrainës është tashmë lufta për ta ndryshuar Rusinë, dhe me këtë për t’i dhënë botës vërtetë një hap të ri, më saktë një ripërtëritje të vetë kulturës perëndimore, për ta ndryshuar zhvillimin e botës.

Edhe në Serbi aleaten e Rusisë, pasi të mundet Rusia suksesshëm, do të kryhen proceset e denazifikimit, dhe spastrimit nga e njëjta mitologji e sëmurë, dhe mitet duhet t’u kthehen të vërtetave, jetës së natyrshme njerëzore.

Rama i vetëm

Në ndërkohë, Rama ka marrë edhe një goditje, ai ka mbetur pa aleatë në terren. Me një Lulzim Basha të dobët, ai dukej se performonte shkëlqyeshëm.

Lulzim Basha, tashmë dha dorëheqje pas një dështimi të madh politik, duke i zhgënjyer edhe miqtë amerikan. Një PD e bashkuar, që nënkupton edhe një opozitë të bashkuar, do të nisin proceset për rrëzimin e Beogradit në Tiranë.

Tashmë PD-ja e ripërtërirë, duhet ta udhëheqë barrën për t’ia dështuar Ramës projektet për ta fuqizuar Serbinë në Ballkan, dhe kundrejt shqiptarëve. “Ballkani i hapur”, duhet të përmbyset me një Shqipëri të hapur, ndaj Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, nga të cilat tri qeveritë udhëhiqen nga shqiptarët, dhe duhet të bëhet edhe qeveria e katërt shqiptare!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *