Rama shmang dënimin e Serbisë për sulmin terrorist
Kryeministri Edi Rama, ka përngjarë sot me atë anekdotën e atij burrit që guxon të nxjerrë këmbën nga rrethi, ndërsa ka folur për gazetarët në vigjilje të takimit të Komunitetit Politik Europian, në Granada të Spanjës.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist serb ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, kryeministri shqiptar deklaroi: “Fakti se Republika e Serbisë ka deklaruar ditë zie për anëtarët e grupit kriminal paramilitar që vrau policin, është e mjaftueshme për të thënë që kjo nuk është europiane, nuk është e pranueshme”. Sipas Edi Ramës, akti për të cilin duhet mbajtur qëndrim ndaj Beogradit është dita shtetërore e zisë dhe jo faktet se armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake janë bërë në Serbi, se Radojçiçi u arrestua për t’u lënë i lirë dhe nuk po ekstradohet në Kosovë dhe se kriminelët e Banjskës vazhdojnë të strehohen atje.
Të kërkosh të mbash qëndrim ndaj Serbisë për nderimin që u bëri kriminelëve që vranë policin dhe jo për organizimin dhe nxitjen e një konflikti me armë në veri të Kosovës, është të shmangësh thelbin e krizës që burimin e ka në Beograd. Për më tepër që pas këtij “sanksionimi” për Serbinë, Edi Rama i rikthehet përsëri direktivave për Prishtinën, që në këtë rast është viktimë e pastër e agresionit paramilitar serb.
“Në këtë rast ka nevojë që autoritetet e Kosovës të lëvizin përpara dhe të tregohen proaktivë në dialog dhe të marrin në konsideratë planin franko- gjerman që është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe rajonin”, deklaroi Rama, ndërkohë që një pjesë e madhe e opinionit publik, si në Kosovë ashtu edhe në vendet perëndimore, mendojnë se pa dënuar Serbinë për aktin e rëndë, nuk mund të ketë kuptim ulja në tryezën e bisedimeve. /lapsi.al/
Rruga Press