’Rama po e shet Shqipërinë!’ Këlliçi: Ndryshimi s’vjen nga qielli, të majtë e të djathtë të vijnë sot në shesh
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se protesta e sotme është përgjigje ndaj sërë skandalesh dhe një situate të rënduar ekonomike e sociale në vend.
Në një intervistë për Syri Tv, Këlliçi ftoi çdo qytetar përtej bindjeve politike të bashkohen sot në protestën para kryeministrisë, sepse problemi është i krijuar nga mazhoranca, i krijuar nga qeverisja dhe mund të marri zgjidhje vetëm në mënyrë politike.
Këlliçi përsëriti kërkesat e opozitës për “qeveria teknike është kushti, parakushti dhe finishi i kësaj beteje që ne kemi për të rikthyer procesin zgjedhor, për të rikthyer normalitetin në vend përmes një gare elektorale të ndershme”
Pjesë nga intervista e Belind Këlliçit
“Do të kemi një rikthim të podiumit në në sheshin Skënderbej, sepse vetë skandalet e këtij një muaji, që nga protesta e fundit, kanë qenë të paimagjinueshme, të përmasave të të paimagjinueshme.
Duke nisur që me skandalin e ditëve të fundit, skandali i publikuar nga Syri TV, që ka të bëjë me udhëtimin e Edi Ramës në Paris për të festuar me mikun e tij Roni Yeffet, ditëlindjen e bashkëshortes së Roni Afetit, një mashtruesi ndërkombëtar, të paditur në Gjykatë Federale në Majemi, në Florida, në shtetin e Floridës, për mashtrim dhe zhvatje të 7.6 milionë dollarëve të një biznesmeni amerikan, me premtimin se do t’i krijonte akses në një qeveri të një vendi të vogël anëtar të NATO-s, për të shitur shërbimet e tij dhe më pas për të zgjeruar kontratat e tij dhe shërbimet e tij në vende të tjera anëtare të NATO-s.
Edi Rama sot po e shet Shqipërinë pëllëmbë pas pëllëmbe për shkak të interesave të tij dhe për shkak të makutërisë së tij të pakufijshme.
Ky individ që unë po ju flas, është një individ për të cilin Edi Rama ka firmosur dy VKM nominale dhe i ka dhënë dhe kontrollin e plotë të industrisë së armatimit, duke cënuar rëndë dhe drejtpërdrejt kështu dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Po nuk po flas vetëm për këtë.
Çmimi i naftës më i shtrenjti në Evropë. Fuqia blerëse më e ulët në Evropë e qytetarëve shqiptarë. Pagat më të ulëta në rajon. Ekonomia e shpartalluar për shkak të krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit dhe gjithë ekonomisë që tashmë është kriminalizuar.
Fakti që Tirana është shndërruar në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Ajri më i ndotur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ajri më i ndotur në Evropë. Trafiku më i rënduar në Evropë. Jetesa e papërballueshme dhe shpopullimi masiv i shqiptarëve. Largimi i 1.1 milionë shqiptarëve në 10 vite është një kambanë alarmi që ka bërë bashkë të majtë dhe të djathtë, çdo qytetar shqiptar, për të ngritur zërin dhe për të protestuar. E ardhmja dhe integrimi europian i Shqipërisë i bllokuar për shkak se Edi Rama vendosi të bunkerizojë parlamentin duke votuar me 82 mandate bllokimin e heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, një kërkesë e drejtpërdrejtë për herë të parë nga Brukseli e dhënë në mes të Tiranës që rasti i imunitetit të Ballukut është test kritik për integrimin e Shqipërisë në Evropë.
E të gjitha skandalet e tjera me radhë, vjedhja më e fundit dje në parlament e 35 milionë eurove ku u vendos që të merreshin 35 milionë euro hua për të investuar në ato vepra të cilat janë inauguruar dhe përfunduar njëherë nga Ministria e Infrastrukturës në vitin 2019 dhe 2024, janë skandalet më të fundit që kanë ndodhur vetëm në muajin e fundit. Shtuar këtu dhe ndërprerjen e 40% të shërbimit të transportit urban, njoftuar nga shoqata e transportit urban, interurban dhe qytetas, ta çon situatën surreale në kufijtë e të pabesueshmes për jetën normale të një qytetari të zakonshëm shqiptar.
Thënë këtë, bllokimi i procesit të integrimit dhe largimi i Shqipërisë nga standardet europiane dhe përafrimi me Bjellorusinë apo me me vende të tjera autokrate, e ka bërë sot të pajetueshme këtë vend për çdo qytetar normal.”
Kështu që, kjo është arsyeja përse unë jam i bindur që sot do të kemi një protestë të jashtëzakonshme nga ana e qytetarëve dhe e organizuar nga Partia Demokratike. Por nga ana tjetër, kjo është arsyeja pse është aq e nevojshme rikthimi i podiumit dhe i fjalëve nga qytetarët, nga fermerët, nga të rinjtë, nga studentët dhe pa diskutim edhe nga kreu i Partisë Demokratike doktor Berisha, për t’iu adresuar kombit, për t’iu adresuar shqiptarëve, jo vetëm atyre që janë në Shqipëri, por dhe atyre që janë jashtë Shqipërie, për shkak se çdo ditë e më shumë po plakemi dhe po mpakemi.
Po të vazhdojmë me këtë ritëm, duhet të kuptojnë qytetarët që projeksioni i Bankës Botërore për popullatën shqiptare deri në vitin 2050 bazuar në ritmet aktuale të shpopullimit, është që ne do të jemi rreth 700 mijë shqiptarë deri në vitin 2050 nëse vazhdojmë me këto ritme.
Ndaj kjo është një thirrje dhe një kambanë alarmi për të larguar Edi Ramën një sekondë e më parë nga detyra e kryeministrit, për të arritur atë kusht të vendosur nga opozita shqiptare për të patur qeveri teknike në mënyrë që të kemi zgjedhje.
Ajo çka kërkon Partia Demokratike sot, është vetëm të organizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qytetarët të kenë mundësinë të votojnë të lirë për programin apo alternativën që duan.
E patë në Hungari se çfarë ndodhi. E patë që dhe aty ishte një qeverisje e cila ishte në katër mandate, por ndryshe nga Shqipëria, aty pati zgjedhje. Në Shqipëri jepen 100 euro bonus për 780 mijë pensionistë në mes të fushatës, falen 2 miliardë euro gjoba dhe kamata, jepet 29 mijë hektarë licenca për të mbjellë kanabis, ndërhyhet administrata publike 200 mijë punonjës të administratës publike kthehen në patronazhistë për të shërbyer, për të vjedhur zgjedhjet dhe për të organizuar farsën elektorale, dhe në Shqipëri ka vdekur mekanizmi i vetëm që në një demokraci funksionale bën ndryshimin dhe rotacionin, që është vota, është zgjedhjet. Dhe për sa kohë nuk kemi zgjedhje, nuk mund të kemi zgjidhje për qytetarët. Kështu që, ajo që ne kërkojmë, qeveria teknike është kushti, parakushti dhe finishi i kësaj beteje që ne kemi për të rikthyer procesin zgjedhor, për të rikthyer normalitetin në vend përmes një gare elektorale të ndershme.
Për herë të parë, vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it, në raportin e OSBE-ODIHR-it flitet për krim të organizuar. Michel Gahler e tha në mes të Parlamentit Europian se krimi i organizuar nuk lejon ndryshimin politik në Shqipëri.
Për herë të parë flitet për organizata të tëra të strukturuara kriminale që ndikojnë në procesin e votimit, në procesin elektoral. Për herë të parë flitet që nuk ka më një vijë ndarëse midis administratës publike dhe shtetit dhe partisë në pushtet. Ndaj, për sa kohë ne nuk i zhbëjmë këto mekanizma që kanë vrarë zgjedhjet në Shqipëri, nuk mund të kemi zgjedhje. Ndaj ftoj çdo qytetar që na ndjek, përtej bindjeve politike, të majtë e të djathtë, me apo pa parti politike, të vijnë të bashkohen në këtë protestë, që nuk është protestë partiake, por është një protestë politike, sepse problemi është i krijuar nga mazhoranca, i krijuar nga politika, i krijuar nga qeverisja dhe mund të marri zgjidhje vetëm në mënyrë politike. Por aty në shesh nuk është PD-ja. Janë gjithë qytetarët shqiptarë të ftuar, janë të djathtët, janë demokratët, janë qëndrestarët, janë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, por mbi të gjitha janë të ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë qytetarët e Shqipërisë që duan një ndryshim. Ndryshimi nga qielli nuk do të vijë. E patë një javë më parë, shoqëria civile njoftoi një protestë në kuadër të rritjes së çmimit të karburantit dhe për faktin që jemi vendi me karburantin më të shtrenjtë sot në Evropë dhe dolën tetë qytetarë për të protestuar. Nëse nuk është PD-ja dhe nëse nuk është opozita që organizon protesta, në këtë vend nuk do të ketë më shpresë. Ndaj për ta bërë realitet atë ndryshim që presim, duhet të jemi të gjithë në shesh. Duhet të dalim, duhet të ngremë zërin, duhet të protestojmë.
Protesta nuk është i vetmi aksion që ne po bëjmë politik. Ju e shihni që në parlament ka një betejë të qartë në mbrojtje të interesit të qytetarit shqiptar të zakonshëm dhe në denoncimin e aferave të jashtëzakonshme.
Rruga Press

