Rama nxjerr nga sikleti Vuçiçin në Davos. Kritika Evropës për sanksionet ndaj Rusisë
I ndërgjegjshëm se do të ishte një shënjestër e lehtë mes një paneli europianësh për flirtin me Putin, Aleksandër Vuçiç tentoi ta shmangë temën e luftës në forumin, ku mori pjesë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kryeministrin e Irlandës Leo Varadkar dhe Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola.
Por moderatorit të takimit në Davos, Edmond Anderlini nuk kish si t’i shpëtonte ky detaj. Përveç paraqitjes së pazakontë të Edi Ramës, që u shfaq në takim me atlete, loja me dy porta e Serbisë ishte një shpresë se paneli do dilte nga rutina e mërzitshme e bisedave të tilla.
Në fakt, Vuçiç e anashkaloi pyetjen provokuese, nëse mendonte se Putini ishte një kriminel lufte. Por ai sqaroi se pse Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të BE dhe SHBA për të ndihmuar Ukrainën.
“Ne i kemi përjetuar këto sanksione për 10 vjet. Dhe nuk ishim të lumtur për ato. Nuk mendoj se do të sjellin rezultate të mira” tha Vuçiç.
Pas kësaj, e bëri të qartë se Putini nuk i dukej lunatik, siç flitej rëndom në kancelaritë perëndimore. Pas këtyre, nuk foli më.
Por ajo që ndodhi më pas, ishte po aq e habitshme. Qëndrimi i Serbisë për të mos i vënë sanksione Rusisë u justifikua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili vuri në dyshim zgjedhjen që kishte bërë Bashkimi Europian.
“Me aq sa e kuptoj unë botën, nuk po e zëvëndësojnë burimin e pisët rus me disa burime të pastra nga demokraci vibruese. Është edhe tregu pjesë dhe nuk do të nxitoja” tha Rama.
Përpjekjet e gazetarit Edmond Anderlini për ta sqaruar deklaratën, nëse Rama po i referohej Katarit kur fliste për burimet alternative që nuk janë vende demokratike nuk mori përgjigje.
Por ndërhyrja që bëri Rama ishte një lehtësim për Vuçiçin, i cili ka qenë vazhdimisht nën presion për faktin se nuk iu bashkua sanksioneve të Rusisë. I konsideruar shpesh si “Putini i vogël”, Vuçiç e pranon se duke refuzuar sanksionet, pozitat e Serbisë në arenën ndërkombëtare janë vështirësuar. Por justifikimi i tij për pozicionin e Serbisë janë përfitimet ekonomike nga Rusia. Në takimin e fundit që pati në nëntor të vitit 2021, Vuçiç siguroi një kontratë të favorshme nga Putini për furnizimin me gaz të Serbisë me çmime shumë të leverdisshme.
Arsyet e Vuçiçit për të mbrojtur Rusinë janë të kuptueshme, qofshin këto ekonomike, historike apo politike, por deklaratat pa sens që bën Rama në panelet me zyrtërt e huaj janë një mister i pazgjidhshëm tashmë prej vitesh./Lapsi.al
Rruga Press