Opinion/Aktualitet

Rama, një javë heshtje për skandalin e ri të vjedhjes me inceneratorët

Një plakë që shtyn perëndimin e jetës së saj në azilin e pleqve rezulton pronare e një kompanie që lëviz miliona. Një bari që punon në Greqi për 300 euro gjithashtu. Po e njëjtë është edhe historia e tmerrshme e një të vdekure që vazhdonte të firmoste nga banesa e fundit, si pronare e një biznesi që nuk e dinte se e kishte.

Dëshmitë nga persona, që ndonëse janë për bukën e gojës, kanë “bërë biznes” me kompanitë e inceneratorëve po shtohen përditë. Por, ndonëse tashmë është faktuar se këto firma fantazëm shërbenin për të futur në xhep paratë, që buxheti i shtetit i kalonte Klodin Mëtririt, Klodian Zotos dhe Stela Gugalljes, si dhe për të shmangur tatimet e rimbursuar TVSH-në, askush nuk kujtohet të reagojë. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj që dyshohet personalisht se ka urdhëruar moskontrollimin e këtyre kompanive, ka dhënë disa shpjegime sipërfaqësore duke u mjaftuar me kaq.

Por çudi të madhe bën fakti që kryeministri Rama, ai që s’lë qoftë edhe në batutë të vetme pa përgjigje, ai që ironizon, tallet dhe zapton skemën e komunikimit sa herë në publik hapet një çështje e madhe, ka një javë i kapluar nga një heshtje varri. Ndonëse opozita e ka shndërruar në kauzë zbulimin e fakteve të reja për këtë vjedhje të vjetër, në pallatin kryeministror sillen sikur ky realitet nuk ekziston. Pyetja është PSE?

Për t’iu përgjigjur asaj duhet njohur pak më mirë detajet e skandalit të vjedhjes nga inceneratorët përmes një sistemi të komplikuar faturash fallco që lëshonin kompanitë fantazëm të denoncuara tashmë. Dilema e parë që të vjen në mendje është: si ka mundësi që shteti nuk i kapi këto shkelje që duhet të ishin zbuluar nga tatimet, nga ata që kontrollonin punimet për inceneratorët përpra se të disbursonin miliona euro për punën gjoja të kryer, nga SPAK dhe drejtësia e re?

Lexo më shumë  Bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj qëllon me thikë në mes të Tiranës drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së

Duke dashur të japë një sqarim, ministrja e financave Delina Ibrahimaj tha në parlament se këto shkelje ishin zbuluar që në vitin 2018 nga drejtoria e tatimeve që i kishte denoncuar disa nga këto kompani fantazëm. Por dyshohet se një pjesë e tyre vazhduan punën duke i shërbyer si mbulesë parave të buxhetit që grabëronin inceneratorët.

Pra ky do të qe një rast i pastër që vërtetonte më së miri që vjedha është bërë me lejen e shtetit. Pikërisht për këtë, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi që e shpërtheu e para këtë skandal, duke gjetur një kompani “Elvis 03 Group” që i ka faturuar 3.5 milionë Euro inceneratorëve i ka bërë qeverisë katë pyetje…

1. Si ka mundësi që pasi është zbuluar në vitin 2018, kompania “Elvis 03 Group” është lejuar të ketë aktivitet financiar?
2. A e keni hetuar ITS e Klodian Zoto për këtë aktivitet financiar 3.5 milionë dollarë me një kompani që ju vetë e konsideroni evazioniste, si “Elvis 03 Group”?
3. Nëse po, a është referuar ITS në prokurori?
4. Nëse nuk e keni hetuar, urdhri i kujt e ka bërë administratën tatimore të mbylli sytë?

Lexo më shumë  Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja e Ramës skandalin e burrit të ministres Delina Ibrahimajt!

Pra nënteksti është i qartë. Kryetarja e LSI-së hedh dyshimin se vjedhja është lejuar me urdhër nga lart dhe se tatimet nuk kanë vepruar me qëllim që inceneratorët të vazhdonin të merrnin para nga buxheti, pa e kryer punën. 

Nëse askujt nuk do i digjte miza nën kësulë kjo do të ishte hipoteza më e lehtë për tu kundërshtuar dhe hedhur poshtë. Por Rama po hesht në mënyrë të frikshme dhe askush nga njerëzit pranë tij nuk po jep shpjegime. Pse? Se ndoshta ata i tremben faktit se mos ashtu sikurse zbuloi nga tatimet aktivitetin e shoqërive fantazëm, opozita mund të ketë edhe asa të tjerë në mëngë. Fakte që nuk i ka bërë publike ende. Pyetja e katër e Kryemadhit e lë të kuptohet këtë gjë dhe asaj i trembet qeveria për faktin se mund të prodhojë një alibi të reme që t’i rrëzohet sa hap e mbyll sytë. 

Prandaj kryeministri po përpëlitet që të mos flasë, qoftë edhe me çmimin e lënies së fushës së lirë për opozitën. Ai e ndjen që afera e inceneratorëve është një nga ato që i vë ekipit të tij vulën përfundimtare të hajdutërisë, prandaj ka hequr dorë nga taktika e dikurshme kur prodhonte argumenta në mbrojtje të tyre./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *