Rama lëshon Ballukun/ Top Channel nis sulmin: “Pse SPAK vonon kërkesën për arrestimin”
Deri dje pjesë e tryezave ku merreshin vendimet, Belinda Balluku duket se ka hyrë tashmë në menunë e pushtetit të Edi Ramës. Sinjalet e para i kanë dhënë mediat pranë qeverisë.
Top Channel sapo sulmoi Belinda Ballukun me një kronikë që sinjalizon një ndryshim të dukshëm të kursit ndaj ish-zëvendëskryeministres.
Raportimi ndalet te kontaktet me kompaninë ndërtuese Balfin për projektin “Green Coast” dhe me arkitektin Alban Eftimiu të studios “Atelie 4”, dy subjekte komunikimet e të cilëve gjenden në dosjen e SPAK për vilën nr. 188 në bregdet. (VIDEO KETU)
“Në dosjen hetimore të SPAK, emri i Ballukut shfaqet në disa prej komunikimeve për vilën. Në një tjetër dokument, për punimet e pishinës, gjendet shënimi ‘PISHINA ARBER ABAZI (DHERMI) + BELINDA’, me një vlerë prej 25 mijë eurosh”, raporton Top Channel.
Ndryshe nga deri tani, kur ka mbajtur një qëndrim steril për aferat e Ballukut apo kur e ka përkëdhelur ish-ministren e energjisë me intervista dhe kronika promovuese, Top Channel këtë herë ngre hapur pyetjen: “Pse SPAK po vonon për Ballukun?”.
Televizioni kombëtar e vuri theksin edhe te luksi i pasurive të ish-zëvendëskryeministres, duke zgjedhur në një prej titujve kryesorë mesazhin “25 mijë euro vetëm pishina”, shoqëruar me një tjetër titull “Heshtje për vilën e Ballukut”.
Sinjalet e para për ndryshimin e qasjes ndaj imunitetit të Ballukut, Edi Rama i dha në intervistën e pak ditëve më parë me Rudina Xhungën. Kryeministri tha se nuk po e mbronte ish-zëvendësen e tij, ndërsa votimin e mazhorancës në Parlament vitin e kaluar e justifikoi me pretendimin se gjyqësori kishte tejkaluar kompetencat duke ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv.
“Ajo ka një çështje me drejtësinë aty as unë dhe askush nuk e mbron, aty ajo mbron veten e vet për sa i takon të mbrojë veten e vet”, u shpreh Rama.
Lapsi.al raportoi më herët se kërkesa e re e SPAK për arrestimin e Ballukut, drejtuar Parlamentit, është çështje ditësh.
Kjo kërkesë pritet në një moment kur pozita penale e ish-zëvendëskryeministres u rëndua ndjeshëm. SPAK bashkoi në dosjen “Balluku” disa procedime penale, ndërsa lista e personave dhe kompanive të akuzuara u zgjerua. Mes tyre janë ish-vartës të Ballukut dhe biznesmenë që dyshohet se përfituan tendera publikë në këmbim të ryshfeteve dhe favoreve.
Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera”, të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, këto të fundit më shumë se një herë.
Hetimi nisi me tenderin e Tunelit të Llogarasë, por më pas u zgjerua në një seri procedurash të mëdha infrastrukturore. SPAK e akuzon Ballukun për shkelje të barazisë në tendera në tetë raste, ku përfshihen Tuneli i Llogarasë, punimet në Sheshin Shqiponja dhe disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës.
Më pas, dosja u rëndua edhe më shumë nga gjetjet që lidhen me pasuritë që SPAK dyshon se Balluku i përfitoi si ryshfet.
Në qershor, Prokuroria njoftoi se ish-zëvendëskryeministrja dyshohet se përfitoi një vilë me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të kompanisë në një tender gjatë kohës kur Balluku drejtonte Albcontrol. Sipas SPAK, prona u fsheh përmes një skeme pastrimi parash, ku u përfshi edhe ish-futbollisti Igli Tare.
Më pas, hetuesit sekuestruan edhe një vilë të dytë, këtë herë në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Prona ishte regjistruar formalisht në emër të Tares, por SPAK pretendon se ishte në “pronësi indirekte” të Ballukut.
Sipas hetimit, punimet luksoze të vilës dhe pishinës, me një vlerë që sipas preventivave varionte nga rreth 289 mijë deri në 411 mijë euro, u paguan nga “Alko Impex General Construction” e biznesmenit Arbër Abazi. Në të njëjtën periudhë, kjo kompani përfitoi, së bashku me “2T”, tenderin prej 2.2 miliardë lekësh për Lotin 7 të Unazës së Madhe.
SPAK pretendon se tenderi u manipulua nën udhëzimet e Ballukut dhe se pagesa e punimeve të vilës ishte shpërblimi për favorizimin e kompanisë. Mes provave të mbledhura janë komunikimet e sekuestruara, dokumentet financiare dhe emailet e arkitektëve, përfshirë komunikime të drejtpërdrejta me Ballukun për mënyrën se si duhej të projektohej vila.
Në pranverë, shumica socialiste e drejtuar nga Edi Rama bllokoi kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë masës së sigurisë ndaj Ballukut.
Vendimi solli reagime të forta ndërkombëtare. Ambasadat e Gjermanisë, Britanisë dhe Holandës, si dhe Komisioni Europian, kërkuan që SPAK të jetë në gjendje të hetojë korrupsionin e nivelit të lartë pa pengesa politike, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë standard me procesin e integrimit europian.
Rama reagoi atëherë ashpër ndaj presionit ndërkombëtar. Ai deklaroi se SPAK nuk ka “karta bianka” për arrestimin e politikanëve dhe mbrojti vendimin e shumicës së tij në Parlament.
Por tani situata duket se po ndryshon. Burime të Lapsi.al thanë se SPAK pritet të trokasë për herë të dytë në derën e Parlamentit. Dhe këtë herë mbi tryezë nuk është më vetëm dosja fillestare e tenderave, por një hetim më i gjerë, me akuza për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe dy vila që Prokuroria pretendon se janë produkte të përfitimeve korruptive.
Rruga Press

