KryesoreLajme

Rama i jep leje ndërtimi deputetit të tij për të ndërtuar kullë 23 kate në zemër të Pogradecit

Bledi Çomo është një rilindës i devotshëm me një karrierë të gjatë si shërbëtor i pushtetit socialist. Karriera politike e tij nisi si freshist në vitin 2004. Më vonë ai punoi si sekretar i deputetit Fatmir Xhafa, ndërsa pas 2013-ës u zgjodh sekretar i Këshillit të Qarkut Korçë dhe më pas nënkryetar i Bashkisë Pogradec.

Por gjithë këto vite shërbim u shpërblyen vitin e kaluar, kur Edi Rama e mori dhe e emëroi deputet të qarkut Korçë, duke përfaqësuar qytetin e Pogradecit.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, pushteti dhe paraja ecin bashkë. Një vit pasi mori mandatin si deputet i Pogradecit, Bledi Çomo ka vendosur t’i shpërblejë zgjedhësit e tij duke u ngulur një përbindësh betoni 23 kate mu në zemër të qytetit.

Në fund të korrikut, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet për një numër të madh kullash dhe resortesh nëpër Shqipëri. Mes tyre, u miratua dhe një kullë e quajtur Feneri i Pogradecit, e cila do të jetë 23 kate e lartë.

Lexo më shumë  Dy të arrestuarit në Serbi dhe gjurmët që çojnë te sabotazhet ruse në Gjermani

Kompania ndërtuese e kullës është Molos shpk. Ajo zotërohet nga deputeti socialist Bledi Çomo dhe vëllai i tij Genci Çomo.

Në shtator të vitit të kaluar, pasi u zgjodh deputet, Bledi Çomo hoqi dorë nga zotërimi aktiv i kuotave të tij duke caktuar një shtetas të quajtur Kristi Kokoneshi si person të besuar. Kjo është një manovër fiktive, që diktohet nga Kushtetuta, e cila nuk i lejon deputetët të marrin asete, liçenca apo leje publike.

Por zotërimi pasiv nuk heq pronësinë. Pronari i Molos vazhdon të jetë Bledi Çomo. Me pak fjalë, Edi Rama i dha leje deputetit të tij të Pogradecit për të ngritur një përbindësh betoni 23 kate në zemër të qytetit.

Lexo më shumë  Von der Leyen sot në Kosovë, takohet me Haxhiun e Kurtin

Që nga zgjedhja e tij si deputet, ky është ndoshta kontributi më i madh që përfaqësuesi i popullit Çomo ka dhënë për zgjedhësit e tij pogradecarë. Aktiviteti i tij në Parlament është thuajse inekzistent, përtej votimit me besnikëri të ligjeve që dikton Edi Rama.

Kjo maxhorancë është e zhytur gjer në fyt në konflikt interesi. Ministra që marrin status investitori strategjik, deputetë që marrin leje për kulla, drejtor që ndërtojnë kompani private për të marrë kontratat e institucioneve të tyre e shumë bëma të tjera.

Por oreksi i zyrtarëve të maxhorancës nuk kursen asgjë. Jo vetëm tenderat, por tani as qytetet. Të ngulësh kullë 23 kate në Pogradec, është babëzi në kufijtë e kriminales. /Kapitali.al/

YouTube player