Rama i fal Gjergj Lucës mijëra metra katrorë prona shtetërore në Maliq
Gjergj Luca shton në inventarin e vet të pronave shtetërore që i fal Qeveria edhe mijëra metër katrorë në Maliq.
Sipas një vendimi të marrë në mbledhjen e së enjtes të Qeverisë, Luca ka përfituar për 20 vite me kontratë qiraje 1 euro Kombinatin e Sheqerit në Maliq dhe zonat përreth në një sipërfaqe totale prej rreth 5 mijë metër/katrorë.
Vendimi ngarkon Bashkinë e Maliqit për zbatim, ndërsa kjo nuk është hera e parë e biznesmenit të afërt me Qeverinë që përfiton prona shtetërore përmes qirasë 1 euro.
Në të shkuarën ai ka marrë edhe ish-repartin ushtarak në Labinot Fushë në Elbasan po me qira 1 euro.
Këtu ka ndërtuar Fish City-n, ndërsa është akuzuar nga fshatarët e zonës se u ka përvetësuar pronat që kanë përfituar me ligjin 7501 në fillim të viteve ’90.
Luca është bërë i famshëm edhe për disa video në rrjetet sociale, njëra prej të cilave para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar. Në atë video u kërkonte qytetarëve që të votonin për të (duke nënkuptuar PS), pasi ai po u hapte vende të reja pune.
Rruga Press