Qytetarët e Elbasanit ngrihen në protestë, bllokohet qarkullimi rrugor: Po varfërohemi çdo ditë!
Vështirësia ekonomike dhe rritja e paprecedent e çmimeve kanë detyruar qytetarët në Elbasan të reagojnë duke i kërkuar “llogari” qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama për keqmenaxhimin e krizës.
Bulevardi dhe sheshi “Gensher” është bllokuar nga protesta, kurse qytetarët kanë shprehur revoltën e tyre jo vetëm për çmimin e karburanteve, por edhe për krizën e rëndë ku janë zhytur.
Protesta ka marrë shkasë nga çmimet e larta të karburanteve ku sot një litër naftë kushton 245 lekë. Qytetarët kanë thënë se kanë dalë në shesh për të protestuar përtej ngjyrimeve politike, duke shtuar se Shqipëria është një vend i varfër. Njëri prej tyre tha se si komb kemi humbur personalitetin tonë.
“Protesta është shumë e drejtë, ne përpara jemi si qytetar se sa si përfaqësues i forcave politike, është një kauzë përtej ngjyrimeve politike. Një pjese e mirë e njerëzve janë në punë. Nuk dihet të mohojmë edhe presionin nga autoritetet që nuk duan t’i shohin në shesh. Ky është vetëm fillimi, do të vijojmë. Po paguajmë çmimet më të larta në Europë, ndërkohe jemi më të varfrit”– tha një tjetër.
Bordi i Transparencës ka qenë shpesh në qendër të kritika pasi ka ndodhur disa herë kur çmimet e karburanteve kanë pësuar ulje ndërkombtarisht, ndërkohë në Shqipëri ulja ose nuk ka ndjekur tredin, ose nuk ka ndodhur. Ekonomistë të ndryshëm, por dhe konfindustria thonë se Bordi e Transparencës ndikohet goxha shumë nga interesi i qeverisë për të vjelur më shumë taksa dhe nga interesi i importuesve e shpërndarësve të mëdhenj të karburanteve, si oligarku Shefqet Kastrati.
Rruga Press