BallinaLajme

Qorrolli e Koci numërojnë arsyet pse Kurtit s’mund t’i ndalohet kandidimi për deputet

Profesori Vigan Qorrolli dhe avokati Arianit Koci, hedhin poshtë zërat se me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, do t’i ndalohet liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti të kandidojë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

Të dy vlerësojnë se në periudhën kur është kryer vepra, më 2015, dënimi me kusht e liron Kurtin nga pasojat juridike, sipas Kodi Penal të kohës.

Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e saj të 21 dhjetorit në rastin “Etem Arifi”, vendosi të ndalojë personat e dënuar për vepër penale në tri (3) vitet e fundit – të bëhen pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kurti i është vërtetuar dënimi me kusht nga Apeli në shtator të 2018-s.

Me të drejtë u ngritë dilema e pjesëmarrjes në zgjedhje të të dënuarëve me kusht në proceset gjyqësore të vitit 2018, në mesin e të cilëve edhe kryetari i LVV, Albin Kurti. U tha që ai nuk mund të kandidojë në zgjedhje meqë ka një dënim të plotëfuqishëm gjyqësor. Ani pse dënim me kusht dhe jo dënim efektiv me burg. Por këtë dilemë e ka të zgjidhur Kodi Penal i Kosovës dhe jurisprudenca kosovare. Dënimin me kusht – Kodi Penal i periudhës kur është kryer vepra penale nga z. Kurti, e për të cilën ai është gjetur fajtor nga Gjykata kompetente – e liron atë nga pasoja juridike. Neni 100, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës nr. 04/L-082 të vitit 2012 (të shpallur në Gazetën Zyrtare më 13.07.2012) thotë: {…} ‘Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore ose kur kryesi lirohet nga dënimi’”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Sipas Qorrollit, parimi kushtetues është që “dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”.

“Prandaj vepra penale për të cilën është shpallur fajtor Albin Kurti e lejon atë të merr pjesë në zgjedhje dhe të certifikohet nga KQZ, nga ky institut juridik i paraparë me Kodin Penal të Kosovës, sepse vepra e kryer prej tij në vitin 2018 nuk krijon pasoja juridike”, shtoi Qorrolli.

Njëjtë, në Kodin Penal të periudhës kur është kryer vepra, “është kapur” edhe avokati i njohur, Koci.

“Vepra penale është kryer në vitin 2015, kur në fuqi ka qenë Kodi Penal nr. 04/L – 082, i cili në nenin 100 paragrafi 2, parasheh se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore. Kodi i ri Penal, Nr. 06/L-074, ka pësuar ndryshim. Në nenin 93 paragrafi 2, tani parashihet se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, apo vërejtja gjyqësore. Dënimi me kusht me Kodin e ri, ka pasojë juridike, për dallim prej Kodit paraprak. Sidoqoftë, dispozitat ligjore lexohen dhe interpretohen në mënyrë sistematike”, ka shkruar Koci.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Sipas Kocit, për Kurtin duhet të vlejë neni 3 i Kodit Penal, ku parashihet: “ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale (neni 3 par 1) ose, Në rast se ligji në fuqi ndryshon para shqiptimit të vendimit të formës së prerë, atëherë ndaj kryesit zbatohet ligji që është më i favorshëm (neni 3 par 2)”.

“Vepra penale është kryer në vitin 2015. Prandaj, zbatohet ligji më i favorshëm – Kodi Penal, Nr. 04/L – 082, i cili thotë se pasojat juridike NUK parashihen kur kryesit i shqiptohet dënimi me kusht”, ka shkruar Koci.

Rruga Press

YouTube player